Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa po përflitet se mund të martohet në Palermo, ndërsa zërat për një dasmë luksoze në Itali po shtohen gjithnjë e më shumë, edhe pse nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga vetë artistja shqiptare apo përfaqësuesit e saj.
Sipas mediave italiane, hoteli historik Villa Igiea në Palermo thuhet se është rezervuar për një event të madh, data e “po”-së është vendosur tashmë mes 5 dhe 7 shtatorit ndërsa është parë edhe një planifikuese dasmash e njohur italiane, gjë që ka nxitur spekulime se aty mund të zhvillohet ceremonia.
Zërat për një dasmë të mundshme nisën pasi Dua Lipa u pa duke biseduar me një nga organizatoret më të njohura të eventeve në Itali, Alessandra Grillo, e cila ka organizuar disa nga dasmat më të famshme në vend. Kjo u interpretua si një sinjal i mundshëm për përgatitjet e një martese të madhe.
Palermo, ndërkohë, duket se e ka “pranuar” këtë ide, duke u bërë pjesë e spekulimeve që po qarkullojnë në mediat sociale dhe ato italiane, edhe pse deri tani nuk ka prova zyrtare.
Lidhja e Dua Lipës me qytetin nuk është e re. Në verën e vitit 2025, ajo kaloi disa ditë në Palermo së bashku me partnerin e saj, aktorin britanik Callum Turner. Çifti vizitoi monumente historike si Kapela Palatine dhe Katedralen e Palermos, shëtiti nëpër Via Maqueda dhe shijoi ushqimet tradicionale siciliane.
Pas vizitës, këngëtarja publikoi foto në rrjetet sociale me mbishkrimin “Palermo in my heart”, duke treguar lidhjen e veçantë me qytetin. Më vonë, ajo përmendi edhe eksperiencën në një koncert, duke veçuar kuzhinën siciliane si një nga kujtimet më të bukura.
Dua Lipa dhe Callum Turner janë në një lidhje që nga viti 2024 dhe e bënë publike në vitin 2025. Aktori është gjithashtu një nga emrat e përfolur për rolin e James Bond, gjë që ka shtuar edhe më shumë vëmendjen mbi çiftin.
Italia ndërkohë është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për dasmat e personazheve të famshëm, me vende si Liqeni i Comos dhe bregdeti i Amalfit që kanë pritur ceremoni të mëdha ndër vite.
Komente







