Media-lajmës vs
media-shantazh

Media-lajmës vs<br />media-shantazh
Presidenti i Republikës pati dje pritjen zyrtare me median. Ai evokoi gazetarët profesionistë dhe kurajozë, si dhe kritikoi natyrën militante të TVSH dhe disa mediave të njësuara me pushtetet e radhës. Ai tha se kërkon që TVSH të jetë ekran kombëtar dhe gazetarët të informojnë të lirë tej oborreve të pushtetit. Ky mesazh nuk është i pari dhe as i fundit referuar medias. Edhe BE, edhe OSBE, edhe Freedom House citojnë të njëjtat vlerësime.

Sepse Shqipëria, dikur vend pa liri fjale, rrezikon të jetë një vend ku liria e fjalës nuk ka vlerë, ku sunduesit qeverisin përmes kontrollit të informacionit dhe ku gazetari ideal nuk është ai që qëllohet me plumba në krye të detyrës por ai që jeton e pasurohet duke shërbyer në oborrin e pushtetit. Në traditën tonë zakonore lajmësi nuk preket, ai nuk cënohet, por ai nuk deformon asnjëherë lajmin. Në demokraci media informon dhe formon opinion publik pa lejuar të identifikohet me propagandën politike. Në Shqipëri kjo fazë nuk është arritur ende. Këtu ndodh që media të caktuara fitojnë pushtet dhe imunitet të emërojnë deputetë e ministra, të shantazhojnë zyrtarë e politikanë të lartë, të vendosin gjoba mbi bizneset, por edhe të imponojnë ligje preferenciale për kompani, apo grupe interesi. Nuk ka rëndësi nëse je i ndershëm, nëse abuzon me detyrën, nëse gënjen apo dëshmon moral politik; rëndësi ka të kesh në krah median e duhur, manjatët që e kalojnë vitin midis Rogner dhe Sheratonit. Në modele autoritariste pushteti kontrollohet duke kontrolluar informacionin, në shoqëritë e lira media është rojë e parimeve demokratike nga pushteti. Kur roja pranon ose më keq, kërkon të ushqehet dhe të njësohet me atë prej të cilit duhet të ruhet, atëherë nuk ka dallim midis gazetarit, politikanit, zyrtarit, gardianit, policit, militantit.

Shqipëria e 2011 nuk ka sistem konkurrues vlerash, nuk ka sistem imun ndaj korrupsionit, nuk ka parti politike demokratike, nuk ka projekt të qartë europian, pikërisht edhe sepse nuk ka ende një media të fuqishme profesionale dhe të pavarur, të aftë që midis turmës e qytetarëve, midis interesit personal e publik, midis shantazhit dhe lajmësit të zgjedhë gjithnjë alternativën e dytë. A ka shembuj ndryshe? Natyrisht që po, por siç e thotë edhe kënga “Pranvera me një lule, nuk vjen”.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë