Media/ Një nga reformat që
ende shteti nuk po e bën…

Media/ Një nga reformat që<br />ende shteti nuk po e bën…<br>
Kush e ka në dorë të zgjidhë problemet e përhershme të informalitetit në tregun mediatik? Duket sikur të gjithë sektorët e jetës në Shqipëri janë të përfshirë në reforma, por jo gazetaria. Jo pak, por përgjatë 28 viteve të fundit kanë qenë vetë gazetarët, të cilët denoncojnë raste super të përsëritura të evazionit fiskal nga biznesmenët, janë ndodhur shumë shpesh përballë mungesës totale të seriozitetit nga ana e pronarëve të mediave të tyre. Për shtatë vjet K. ka punuar si gazetar pranë një gazete sportive dhe, për çudi, kur iu desh të bënte një verifikim rutinë pranë Drejtorisë rajonale të Sigurimeve Shoqërore për kontributet e mbledhura në emër të tij në vite, zbuloi se ai kishte punuar shtatë vjet “në të zezë”.

Normalisht, ai vendosi të mos e lejë çështjen me kaq. Avokati e këshilloi të heqë në gjyq kompaninë, me të cilën kishte patur një kontratë pune, të cilën, për fat, e kishte ruajtur. Nuk ishte e vështirë për një gazetar të dëshmonte punën e tij gjatë shtatë viteve, pasi në Bibliotekën Kombëtare ndodhen gazeta të asaj kohe, ku ditë për ditë ka figuruar emri i tij, madje pa asnjë ditë pushim javor, në shkrimet e botuara.

Pra, gjyqi duhej të quhej i fituar: evazori duhet të paguajë kontributet e munguara, si dhe një gjobë, pasi ka vjedhur edhe shtetin, duke mos respektuar një ligj të rëndësishëm, siç është ai i Sigurimeve Shoqërore. Përfaqësuesit e kompanisë erdhën vetëm në seancat e para të gjyqit dhe më pas nuk u dukën më, tregon K. E quajtën çëshjen e humbur? Përkundrazi, nuk e quajnë të humbur, por nuk fiton dot as paditësi. Kështu, pasi nuk u paraqitën më asnjëherë, megjithëse gjyqtarja vijoi njoftimet me shpallje, pasi adresa e kompanisë rezultonte e ndryshuar, por askush nuk e dinte se ku ndodhej, përfundimisht u konstatua se kompania ishte në statusin “e pezulluar” në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Dhe kjo nuk ishte hera e parë që mediat e atij grupi mediatik e bënin një veprim të tillë.

Pasi u pagua eksperti kontabël, që nxorri në pah një detyrim të konsiderueshëm ndaj paditësit nga ana e kompanisë mediatike të pezulluar, vendimi u dha në mungesë. Natyrisht, në favor të gazetarit të mashtruar dhe të vjedhur. Por, fakti që askush nuk e çoi vendimin as në Apel la të kuptohej se pala humbëse nuk shqetësohej më për rezultatin e gjyqit, pasi nuk e kishte për herë të parë veprimin e kryer. Pra, vendimi hyri në fuqi, por ekzekutimi i tij doli më i vështirë se sa kapja e një fantazme.

Kolegu mbetet në pritje të një zgjidhjeje juridike, por mangësitë në legjislacion lejojnë që këta biznesmenë që kryejnë veprime të tilla të mund të shijnë pa u hyrë gjemb në këmbë, në kurriz të punonjësve, të cilëve iu privohet e drejta për një pension të denjë kur të vijë mosha, në të cilën llogaritjet tanimë bëhen me sasinë e kontributeve që ke derdhur gjatë gjithë jetës. Kompania fantazmë nuk ka adresë, nuk ka aktivitet, nuk ka asnjë lek në llogari bankare, që mund të sekuestrohet. Megjithatë, ajo vijon të punojë dhe të nxjerrë organe të mediave nën emra të tjerë, me drejtues të tjerë, me aksionerë që nuk kanë asgjë të përbashkët me pronarët e vërtetë, përveç lidhjeve familjare.

Po çfarë ndihme mund të japë shteti në këtë rast? Ku janë inspektorët e Punës, apo të Tatimeve? Evazioni është evident, i provuar dhe i gjykuar, personat fajtorë dihet se kush janë, ata kanë llogari bankare dhe prona me shumicë, por asnjë organ shtetëror nuk shkon më tej se kaq. Po organizatat e mbrojtjes së interesave të gazetarëve ekzistojnë apo jo? Ky është një rast, por jo i vetmuar. Janë disa media që paditen rregullisht nga punëmarrësit për arsye të ndryshme për mosrespektim të ligjeve të shtetit dhe çuditërisht “bossat” mediatikë ja hedhin gjithnjë paq.

Komisioni Evropian
Ky shkrim është përgatitur në bashkëpunim me Osservatorio Balcani e Caucaso për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi vetëm e Shqiptarja.com dhe nuk mund të pretendohet në asnjë mënyrë se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian

d.b/shqiptarja.com

        

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Ceremonia e ngritjes së flamurit në Shkodër

112-vjetori i Pavarësisë/ Ceremonia e ngritjes së flamurit në Shkodër