Zyrtarë të lartë iranianë po përpiqen të shkarkojnë ministrin e Jashtëm, Abbas Araghchi, duke e konsideruar atë tepër të rreshtuar me qëndrimin e kreut të Gardës Revolucionare në negociatat me Shtetet e Bashkuara. Kështu raporton media e lidhur me diasporën iraniane jashtë vendit, Iran International.

Sipas raportimeve, presidenti Masoud Pezeshkian dhe kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf e akuzojnë shefin e diplomacisë se i ka anashkaluar dhe se nuk po vepron si ministër në përfaqësim të qeverisë, por si ndihmës i komandantit të Gardës Revolucionare, Ahmad Vahidi.

Duke cituar dy burime në dijeni të çështjes, media thekson se Pezeshkian u ka komunikuar bashkëpunëtorëve të tij se do ta shkarkojë Araghchi nëse situata vazhdon.

Ky zhvillim vjen në sfondin e zërave për mosmarrëveshje të forta mes zyrtarëve më të lartë iranianë lidhur me qëndrimet në bisedimet me SHBA-në për t’i dhënë fund luftës dhe për ta bërë të përhershme armëpushimin aktual. Përplasjet lidhen sidomos me çështjen nëse programi bërthamor i Iranit duhet të përfshihet apo jo në negociatat për luftën.


Lajmi kryesor:

Trump: Po shqyrtoj tërheqjen e trupave amerikane nga Italia, Spanja e Gjermania, s'na ndihmuan me Iranin! Qeveria gjermane: Politika e kërcënimeve ka arritur kufirin