Fëmija 9-vjeçar, për të cilin e moshuara Hajrije Taushani ishte kujdesur në Siri, mes vështirësive dhe kushteve jo normale në kampin Al Hol, është kthyer në gjirin familjar. 

I vogli është marrë nga të afërmit e tij në Rrogozhinë, pasi kishte mbetur i vetëm në Siri.

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, vizitoi familjen, ku u prit me emocion riatdhesimi i të voglit nga kampet në Siri, si pjesë e një operacioni shpëtimi të ndërmarrë nga autoritetet shqiptare më 26 gusht. Ai zbriti në Rinas duke i mbajtur dorën 79-vjecares që ishte kujdesur për të në Siri, dhe 3 shqiptarë të tjerë, 1 grua dhe dy vajza të mitura. 

Balla theksoi se institucionet shtetërore të shëndetësisë, kujdesit social dhe arsimit do të angazhohen për integrimin e plotë të fëmijës në shoqërinë shqiptare, duke i garantuar mbështetjen e nevojshme për një fillim të ri.

Sipas Ballës, përkujdesja ndaj fëmijëve të riatdhesuar është një detyrim njerëzor dhe shtetëror, ndërsa shteti shqiptar do të vijojë të ofrojë mbështetje të plotë për rehabilitimin dhe integrimin e tyre.