Pas kapjes së 678 kilogramë kanabis në ishullin e Zakynthos në Greqi, policia greke ka deklaruar shpartallimin e një bande trafikantësh shqiptaro-greke. Policia helene ka dy ditë që ka ndërmarrë një operacion në shkallë të gjerë në të gjithë vendin ku janë arrestuar 15 persona nga të cilët 5 janë shqiptarë dhe 10 grekë. Sipas medias greke që ka zbardhur detaje nga ky operacion ky grup zhvillonte trafik ndërkombëtar të drogës dhe drejtohej nga një shqiptar. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme emri i shqiptarit që drejtonte bandën nuk është bërë i ditur, por vetëm inicialet e tij K.B. Sipas medias helene K.B. është një bisnezmen shqiptar 44-vjeçar që banon në Sarandë me lidhje shumë të forta në politikën shqiptare. Madje po sipas medias greke biznesmeni K.B njihet si një person që ka financuar fuqishëm një parti politike me influencë në vendin tonë. 44-vjeçari shquhet për një jetë luksoze dhe posedon vila dhe skafe të shpejta.

Droga shkonte në Norvegji
Policia greke ka zbuluar të gjithë skemën e trafikut të lëndës narkotike. Sipas saj shqiptari K.B ishte personi që financonte operacionin si dhe siguronte lënëdën e parë, pra hashashin që mbillej në Shqipëri, ku sërish përgjigjej ai për mbarëvajtjen. Nga këtu droga dërgohej në Greqi, në ishullin Zakynthos me skafe të shpejta. Këtu hynte në lojë bashkëpunëtori kryesor i shqiptarit, një grek 46-vjeçar i cili është një biznesmen në sektorin e transporteve. Nëpërmjet tij ata merrnin me qira maune të cilat pjesëtarë të tjetrë të bandës i modifikonin dhe aty futej lënda narkotike.

Nga këtu droga dërgohej në portin e Patras ku fillonte shpërndarja nëpër Europë. Fillimisht destinacioni i drogës ishin vendet e Europës Perëndimore dhe Qendrore. Nyje kuçe ishte Belgjika, ku në Bruksel kishte qendrën një bashkëpunëtor tjetër i grupit, një 50-vjeçar shqiptar, i cili gjithashtu është arrestuar. Destinacioni kryesor i drogës ishin vendet skandinave ku fitimet ishin jashtëzakonisht të mëdha. Dërgesa e fundit që u kap kishte destinacion Oslon, kryeqytetin e Norvegjisë, aty ku çmimi është shumë i lartë. Për një kile kanabis që në Greqi shitet rreth 2.000-2.500 euro në vendet skandinave e njëjta sasi shitet 15.000-17.000 euro.

Shqiptari mbante kontaktet në Europë
Sipas policisë greke 44-vjeçari K.B ishte personi që mbante kontakte me “bosët” e tjerë të drogës në vendet europiane. Shqiptari lidhej me “bosët” në Itali, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Finlandë, Norvegji etj, ku dërgoheshin sasi shumë të mëdha droge, kryesisht kanabis, por edhe kokainë. Në këto vende krijohehsin “depo” që të kishte sasi të mjaftueshme për tregun e atjeshëm.

DIA amerikane
Sipas mediave greke një ndihmë të madhe policisë helene për shpartallimin e kësaj bande i ka dhënë zyra e DIA amerikane (Departamenti i Antidrogës) si dhe ambasada e SHBA në Greqi. Hetimet kanë filluar që në vitin 2011 dhe tani u vendos që rrethi ishte mbyllur. Të dielën pas zbulimit të sasisë prejt 678 kg hashash të papërpunuar në një plazh të një ishulli të pabanuar pranë ishullit Zakynthos, policia ëhstë hedhur në veprim njëkohësisht në të gjithë Greqinë. Pas 5 arrestimesh në Zakynthos janë bërë kontrolle e arrestime në Athinë, Patra dhe në shumë qytete të tjera të Greqisë.

5 maune e një skaf
Policia greke ka sekuestruar një skaf detare shpejtësie, 5 maune për transport ndërkombëtar, 3 konteinerë të lëvizshëm. Veç tyre është gjetur një pushkë , fishekë, 39 celularë, 14.940 euro si dhe një mori dokumentash që i shërbenin bandës për të lëvizur personat e mallrat.

droga

Redaksia Online
Shqiptarja.com