TIRANE - Mediat e huaja kanë filluar të shkruajnë për kandidatët e mundshëm për të qenë Papa i ardhshëm, pas deklaratës së sotme të Papa Benediktit XVI, i cili tha se do të dorëhiqet më 28 shkurt.

Papa i ardhshëm do të zgjidhet brenda muajit mars. E veçanta e këtyre kandidaturave është se për herë të parë, papa mund të jetë me ngjyrë.

Kardinali Peter Turkson (në foto), presidenti aktual i Këshillit Papnor për Drejtësi dhe Paqe, thuhet të jetë një kandidat favorit për papë. Më parë ai ka deklaruar "në qoftë se Zoti dëshiron të shikojë një papë me ngjyrë, kjo do të ndodhë falë Perëndisë.

Ndër kandidatët e favorizuar është edhe Kardinali Angelo Bagnasco, Kryepeshkopi i Genovës i cili bëri bujë vitin e kaluar për kritikat e ashpra kundër ish-kryeministrit Silvio Berluskoni dhe udhëheqësve të tjerë italianë si modele joetike.

Një tjetër kandidat është Kardinali i Kuebekut Marc Ouellet, i cili njihet një person i mençur dhe intelektual.
Gjithashtu edhe kardinali Gianfranco Ravasi i cili është zgjedhur si kreu i Këshillit të Kulturës në Vatikan është një tjetër kandidat favorit. Ndërkohë edhe Kardinali Angelo Sola, arqipeshkv i Milanos, dhe Kardinal Leonardo Sandri i cili është një figurë kryesore e Vatikanit për politikat e Kishës Katolike në Lindje.

Papa Benedikit i XVI do të largohet nga Drejtimi i Kishës Katolike më 28 shkurt. Lajmi u njoftua nga vetë Ati i Shenjtë sot në një meshë përkujtimore për martirët e Otrantos.

Redaksia Online
(Gre.M/l.c/Shqiptarja.com)