'Problemet me Kosovën' mediat serbe: BE refuzon hapjen e kapitullit të tretë të negociatave me Beogradin

'Problemet me Kosovën' mediat serbe: BE refuzon hapjen e kapitullit të tretë të negociatave me Beogradin

Aleksandër Vuçiç

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian sërish nuk kanë arritur të bien dakord për hapjen e Kapitullit të 3 në negociatat me Serbinë, raporton RTS duke cituar burime diplomatike në Bruksel.

Edhe takimi i tretë në nivel ambasadorësh nuk ka sjellë konsensusin e nevojshëm. Hungaria, që mban presidencën e radhës së BE-së, ka bërë të ditur se diskutimet do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme.

Koha për një marrëveshje është gjithnjë e më e kufizuar, pasi konferenca ndërqeveritare për hapjen e kapitullit, nëse mbahet, duhet të zhvillohet midis datave 16 dhe 20 dhjetor. Sipas burimeve diplomatike, qëndrimet e vendeve anëtare nuk kanë ndryshuar në mënyrë të ndjeshme nga diskutimet e mëparshme.

Në takimin e fundit, shtatë vende, përfshirë vendet baltike, ato skandinave, Holandën dhe Kroacinë, refuzuan propozimin e Hungarisë për të nisur procedurën për hapjen e Kapitullit të 3.

Si arsye kryesore për refuzimin, ato përmendën mospërputhjen e Serbisë me politikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet ndaj Rusisë, orientimin e paqartë gjeopolitik të Beogradit, problemet në sundimin e ligjit dhe marrëdhëniet e tensionuara me Kosovën.

Nga ana tjetër, vendet që mbështesin hapjen e kapitullit theksojnë se duhet pranuar vlerësimi i Komisionit Evropian, sipas të cilit Serbia ka përmbushur kriteret teknike. Ato argumentojnë se ky hap do të dërgonte një mesazh pozitiv për rajonin dhe do ta afronte Serbinë më shumë me BE-në. Disa prej tyre paralajmëruan se, nëse nuk arrihet marrëveshje për Serbinë, nuk do të pranojnë hapa për vendet e tjera që aspirojnë integrimin.

Dokumenti “non-paper” me hapat e planifikuar

Sipas burimeve diplomatike, Serbia ka dorëzuar një dokument të quajtur “non-paper” ku renditen hapat që synon të ndërmarrë në afat të shkurtër për të inkurajuar hapjen e Kapitullit të 3.

Ndër masat që priten të merren në fillim të dhjetorit janë: nisja e procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të REM-it (Rregullatori i Mediave Elektronike), rishikimi i listës së votuesve sipas rekomandimeve të ODIHR-it, vendosja e vizave për shtetasit e vendeve të treta në përputhje me politikën e vizave të BE-së dhe operacionalizimi i plotë i tubacionit të gazit me Bullgarinë.

Sipas burimeve të RTS-së, diskutimi i ardhshëm për hapjen e kapitullit pritet të zhvillohet më 11 dhjetor. Koha për të arritur një marrëveshje po mbaron, pasi konferenca ndërqeveritare ku do të hapet kapitulli është planifikuar të mbahet midis 16 dhe 20 dhjetorit.

Në qarqet diplomatike përmendet edhe mundësia e mbajtjes së një “konference ndërqeveritare politike”, ku delegacionet e Serbisë dhe BE-së do të shkëmbenin mesazhe politike, ndërsa hapja zyrtare e kapitullit do të shtyhej për tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Hapja e fundit në negociatat me Serbinë ndodhi në dhjetor 2021. Tani në rendin e ditës është Kapitullit i 3 “Konkurrenca dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, që përfshin tetë kapituj, pesë prej të cilëve janë hapur më herët sipas metodologjisë së vjetër.

Në pritje për t’u hapur janë kapitulli 10 – Shoqëria e Informacionit dhe Mediat, kapitulli 16 – Politika Tatimore dhe kapitulli 19 – Politika Sociale dhe Punësimi.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

Rezart Kthupi: Përballë PS dhe PD duhet një pol i tretë! Të luftojmë bipartizanizmin

Rezart Kthupi: Përballë PS dhe PD duhet një pol i tretë! Të luftojmë bipartizanizmin