I ftuar në "5 pyetjet nga Babaramo" në Report Tv, Mediu sqaroi se problem për situatën aktuale është tranzicioni i administratës së Trump dhe për shkak vëmendja e Uashingtonit nuk është në Shqipëri.
Mediu s'e quajti të dështuar vizitën e fundit të Bashës në SHBA ku nuk u njoftua zyrtarisht asnjë takim dypalësh, pasi sipas tij takimet janë mbajtur me përfaqësues të lartë pranë Presidentit amerikan.
"Sa i takon vizitës së z.Basha thelbi i diskutimit nuk ishte më në Senat dhe Kongres, por në nivele të larta në administratën Trump. Në dijeninë time kanë qenë takime të rëndësishme dhe do ketë zhvillime sa i takon zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Për herë të parë në historinë e politikë shqiptare 6 senatorë kanë shkruar një letër ku ngrenë shqetësime për situatën në Shqipëri, situatën zgjedhore. Të mos harrojmë që për shkak të tranzicionit të administratës së Trump në rajon dhe në Shqipëri nuk është vëmendja e duhur", u shpreh Mediu.
Kreu republikan thekson gjithashtu se opozita nuk do tërhiqet nga kërkesa për qeveri teknike. Sa i takon uljes së palëve në një tryezë, Mediu tha se Basha duhet të shkojë me një formulë konkrete për qeverinë teknike dhe luftën kundër krimit të organizuar.
"Ajo që i kam propozuar z.Basha është të dalim me një formulë të qeverisë teknike dhe për çështjen e krimit dhe të parave të krimit të organizuar", tha Mediu.