TIRANE- Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, legalizon shkatërrimin e Parkut Kombëtar të Tiranës për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit. Në një vendim të 4 korrikut 2012, ministri Mediu nxori akt miratimin për autorizimin mjedisor për ndërtimin e segmentit rrugor pranë fakultetit Histori- Gjeografi”.

Pavarësisht debateve se punimet nisën pa lejen mjedisore, Ministria duket se është tërhequr duke miratuar autorizimin për kryerjen e punimeve. Pikërisht ky legalizim punimesh bën që Bashkia e Tiranës të vijojë punën e saj për zgjerimin e rrugës si pjesë e unazës së madhe.

Leja mjedisore është lëshuar nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licensave më 4 korrik 2012, por është bërë publike në faqen e licencave të QKL-së më 31 korrik, 27 ditë më vonë, çka tregon dhe hezimin që ka pasur kjo ministri për të publikuar lejen, shkruan sot gazeta Shqip. 

Leja i është lëshuar Drejtorisë së Përgjithshme e Rrugëve, në një kohë kur ky institucion u gjobit nga inspektorati mjedisor me 1 milionë lekë të reja për shkak të mosaplikimit për Leje mjedisore pranë QKL-së. Gjoba u vendos më 22 qershor, por mesa duket Ministria e Mjedisit është tërhequr duke pranuar që të kryhet masakra ndaj Parkut Kombëtar.

Leja mjedisore përmban kushte të përgjithshme dhe nuk saktëson në mënyrë konkrete sasinë e pemëve që autorizon të priten. Gjithashtu nuk saktësohet lloji dhe sasia që duhet të mbillen. Dokumenti nuk përban as vendin se ku do të depozitohen mbetjet inerte të gërmimit, duke rrezikuar që këto mbetje të flaken në brigjet e lumit Erzen, duke i shtuar koston mjedisore këtij projekti.

Në një aksion të datës 14 qershor, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve rrafshoi një sipërfaqe të konsiderueshme me pemë, në hyrje të parkut kombëtar të Liqenit, përballë fakultetit të Filologjisë. Ambientalistë të Shoqërisë Civile dhe gazetarë kundërshtuan dëmtimin e parkut duke denoncuar se bashkia nuk ka bërë publike projektin e zgjerimit të rrugës.
(sg/shqiptarja.com)