Rikthimi i Medon Berishës në fushën e lojës është gjithnjë e më i afërt. Mesfushori shqiptar i Lecces ka marrë dritën jeshile nga stafi mjekësor pas një periudhe të gjatë rikuperimi nga dëmtimi i rëndë muskulor.
Berisha ka qëndruar jashtë fushave që prej muajit mars, kur pësoi dëmtim gjatë një seance stërvitore. Lëndimi ishte serioz dhe e detyroi futbollistin kuqezi t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Klubi italian ka njoftuar zyrtarisht se mesfushori ka kaluar me sukses testet fizike në Turku të Finlandës, duke marrë një sinjal të rëndësishëm pozitiv për vazhdimin e rikuperimit.
Kontrollet janë kryer edhe nga kirurgu Lempainen, i cili realizoi ndërhyrjen kirurgjikale ndaj Berishës. Mjeku ka dhënë tashmë autorizimin për rikthimin gradual të futbollistit në aktivitet.
Sipas stafit mjekësor, Berisha pritet të nisë stërvitjen me pjesën tjetër të grupit që nga java e ardhshme, duke bërë kështu një tjetër hap të rëndësishëm drejt rikthimit në dispozicion të Lecces.











Komente
Komento