Dy ditë pasi SPAK goditi dy prej grupeve më të mëdha të dyshuara të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave, pesë nga të arrestuarit e operacionit kanë dalë këtë të diel para Gjykatës së Posaçme.

GJKKO po zhvillohet seanca për verifikimin e masave të sigurisë ndaj Orest Sotës, Orgest Birçajt, Dritan Agës, Edmond Jaupit dhe Gëzim Islamit, të cilët SPAK i konsideron pjesë të rrjetit kriminal që dyshohet se trafikoi mbi 6.7 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt porteve të Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian.

Seanca nisi në orën 09:00, por u ndërpre për rreth dy orë pasi avokatët mbrojtës kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore. Gjykimi ka rinisur, ndërsa në sallë janë të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, prokurorja Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.

Sipas dosjes hetimore, në krye të dy grupeve të goditura qëndrojnë Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai. Hetimet e SPAK pretendojnë se organizatat kriminale kishin ngritur një rrjet që shtrihej nga laboratorët e kokainës në Ekuador dhe Kolumbi deri te magazinat e përpunimit në Belgjikë e Holandë, ndërsa droga fshihej në ngarkesa me qymyr, fruta dhe sojë për t’u futur në Europë.

Në dosje përmendet edhe roli i Orgest Birçajt, pronar i kompanisë “Top Seven”, i cili sipas SPAK dyshohet se organizonte dërgimin e punëtorëve shqiptarë drejt laboratorëve në Ekuador përmes agjencisë së tij të udhëtimeve. Ndërsa Orest Sota dhe persona të tjerë dyshohet se kishin role në rrjetin e trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Megaoperacioni i 12 qershorit çoi në lëshimin e 20 masave të sigurisë. Mes emrave të përfshirë janë edhe biznesmeni Ilir Shtufi, i arrestuar në Greqi, si dhe Artur Shehu, i shpallur në kërkim. Sipas SPAK, fitimet e krijuara nga trafiku i drogës janë investuar më pas në kompani ndërtimi, prona të paluajtshme dhe aktivitete të tjera ekonomike.

Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 18 vila, 336 llogari bankare, kompani, apartamente, automjete luksoze, prona në Tiranë, Palasë, Jalë, Himarë e zona të tjera, ndërsa vetëm një transaksion i dyshuar i lidhur me pronat në Zvërnec arrin vlerën e 128 milionë eurove

Lajmi në përditësim

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:56
Orest Sota kërkon lirimin nga qelia në GJKKO, avokati: Caktoni masë më të lehtë sigurie, nuk provohet se është i përfshirë

Biznesmeni Orest Sota ka kundërshtuar masën e sigurisë “arrest në burg” në seancën që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme për të arrestuarit e megaoperacionit të SPAK kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Përmes mbrojtësit të tij ligjor, Sota i kërkoi gjykatës caktimin e një mase më të lehtë sigurie, duke pretenduar se nuk ka prova që e lidhin me veprimtarinë kriminale që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme.

“Caktoni masë më të lehtë sigurie, nuk provohet se është i përfshirë në këtë proces”, argumentoi avokati para trupës gjykuese.

Vetë Sota mbajti një qëndrim të shkurtër para gjykatës, duke deklaruar se ishte dakord me mbrojtjen e paraqitur nga avokati i tij.