TIRANE - Shkrimtari thumbues Mehmet Kraja, autori i librit “Identiteti Kosovar”, flet për: Ikjen qesharake të partive politike nga e majta; Mosbesimin e tij te ndryshimet politike dhe bandat e politikës në kulturë; Indiferencën ndaj gazetave në kafe me Ali Podrimjen; Letërsinë kosovare që ka pushuar së ekzistuari dhe përvetësimin e përkthimeve....
Si e përkufizoni imazhin e shtetit të Kosovës? Sa mund të jenë krenarë qytetarët e Kosovës me shtetin e tyre?
E di që nuk do të pëlqehet kjo që them, por imazhi i Kosovës është i tillë çfarë jemi ne. Edhe politikanët i kemi të tillë çfarë jemi ne. Bota ka shpikur sistemin demokratik dhe të drejtën e votës, pastaj lirinë e mendimit dhe të fjalës. Ne nuk jemi askund në matjet për këto standarde. Është hipokrizi të fajësosh vetëm njërën palë.
Jemi vetë përgjegjës për atë që ndodh sot në Kosovë dhe për imazhin e saj. Serbia ka qenë dhe është një faktor pengues dhe kufizues, por ka gjëra të cilat do të duhej t’i bënim dhe nuk i bëjmë, ose i bëjmë keq. Themi se Kosova është e jona, por sillemi ndaj saj sikur vërtet të ishte e Serbisë.
Nuk e duam, gënjejmë në emër të dashurisë për të, e vjedhim deri në rrjepje, vetëm se gjithnjë akuzojmë të tjerët për këtë dhe përpiqemi të përjashtojmë ose të arsyetojmë veten. Kjo nuk funksionon më. Kosova jemi ne dhe ne jemi një hiç! Përse të mos ia themi vetes këtë, më shumë se një herë, pastaj të përpiqemi të ndryshojmë diçka.
Çfarë ju thotë fakti se shteti i Kosovës ndan më pak se 1 për qind të buxhetit për kulturën?
Mbase nuk iu ka shkuar mendja, por më keq se buxheti i vogël në kulturë, është përdorimi i tij i gabuar, sepse kultura e një vendi mund të funksionojë edhe pa buxhet dhe pa donacione, por një buxhet i përdorur keq krijon deformime kulturore me pasoja largvajtëse.
Kjo ka ndodhur me Kosovën që nga viti 1999 e këndej. Ky buxhet ka bërë që nëpër institucione të instalohen grupe të interesit, madje disa institucione të bëhen filiale të bandave politike. Pastaj, vetë njerëzit e kulturës tashmë i kanë krijuar bandat e tyre, të cilat operojnë sipas të njëjtave parime, si bandat e krimit të organizuar.
Pra, pas vitit 1999 ne kemi dështuar jo vetëm të nxisim një lëvizje të emancipimit kulturor, për të cilën ka pasur nevojë Kosova, por kemi dështuar edhe në krijimin e institucioneve, të cilat i rithemeloi UNMIK-u dhe na i la me një deformitet të tmerrshëm përbrenda tyre: u fuqizua i ashtuquajturi menaxhment, i cili abuzon ditë e natë në emër të kulturës...
Po kaq e keqe është gjendja në institucionet e arsimit të lartë dhe të shkencës, të cilat gjithkund janë mbështetje për kulturën, ose pjesë e saj: Instituti Albanologjik është në mbyllje e sipër, Instituti i Historisë gjithashtu, Fakulteti i Arteve është në kaos, në Universitet nuk bëhet më shkencë etj.
Shkoni në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare dhe shihni çfarë ndodhë atje. Këto institucione nuk kanë probleme të buxhetit, por kanë probleme të banditizmit kulturor, arsimor dhe shkencor.
Po Akademia? Jeni anëtar i saj dhe ju kemi parë të shfaqeni në mbrojtje të këtij institucioni...?
Jo, Akademia nuk është dhe nuk mund të jetë ndryshe, sepse edhe ajo është pjesë e këtij ambienti kulturor dhe shoqëror. Unë jam shfaqur publikisht në mbrojtje të Akademisë nga ndërhyrjet e jashtme, sepse kam konsideruar se këto ndërhyrje, qoftë përmes ligjit, qoftë përmes presionit politik ose publik, do të shkaktojnë rrënimin e institucionit
Realisht ne arritëm ta zmbrapsnim presionin politik për ndërhyrje nga jashtë, sikundër që zmbrapsem edhe një mësymje antiintelektuale, e cila, e kamufluar si debat kulturor, kishte për qëllim ta deformonte ose ta rrënonte mitin e Akademisë, bashkë me këtë edhe mitin e intelektualit në Kosovë, nëse mund ta quajmë kështu.
Por deformimi ndodhi që ndodhi, madje duke na nxjerrë qesharakë disave që dolëm në mbrojtje të Akademisë, sepse ne, së paku unë po që po, i preokupuar me atë që ndodhte jashtë institucionit, kisha harruar se brenda tij tashmë ishin profilizuar qartë grupet e interesit dhe klanet, të cilat, pasi shfrytëzuan atmosferën e krijuar, në fund, nuk bënë gjë tjetër, përveç se deformuan procesin e pranimit të anëtarëve të rinj në Akademi dhe rrënuan imazhin e saj.
Pra, bënë po atë që donte edhe pala tjetër, përmes ndërhyrjeve nga jashtë. Ndodhi, kështu, mbase për herë të parë, që në Akademi të pranohen njerëz, në referatet për pranim e të cilëve mund të mos gjendet asnjë njësi bibliografike, ose të tillë që janë të njohur publikisht për plagjiatura shkencore dhe artistike. Pra, mund të thuhet se ky ishte rezultati i parë i mësymjes kundër Akademisë, të individëve të autoritetshëm, të medies apo të politikës.
Sa ka intelektualë të angazhuar në Kosovë? A janë kualitative elitat intelektuale dhe kulturore të Kosovës?
Pak më parë përmenda mitin e Akademisë, mitin e intelektualit, por e relativizova çështjen duke thënë “nëse mund ta quajmë kështu”. Ky mit është rrënuar përfundimisht dhe ndoshta është mirë që është rrënuar, sepse ishte mit i ndërtuar në kohën socializmit iluminist kosovar.
Kjo fazë duhej të tejkalohej. Por vendin e këtij miti, në shoqërinë kosovare, është dashur ta zinte një sistem i vlerave, të cilin gjithashtu është dashur ta krijojë një elitë kulturore dhe krijuese. Kjo elitë në Kosovë është shfytyruar ndjeshëm, sikundër që është shfytyruar, ose është rrënuar në tërësi një shtresë e mesme shoqërore, qytetare, ku bëjnë pjesë edhe intelektualët.
Pra, në rrethanat tona nuk mund të flasim për elita kulturore kualitative ose jokulitative, por për ekzistencën ose mosekzistencën e tyre. Mungesën e elitave kulturore, shkencore, krijuese ose intelektuale shumë njerëz as që e kuptojnë çfarë është.
Në të vërtetë, është një gjë shumë e thjeshtë: Kosova është bërë shtet, por, sikundër shihet, e ka të vështirë të stabilizohet, sepse i mungon, ose e ka shkatërruar ndërkohë, një shtresë shoqërore të stabilizuar, quani si të doni, elitë kulturore ose elitë qytetare, por ajo do ta mbante Kosovën. Dikur shtetet i themelonin dhe i mbanin aristokracitë. Tani i mban qytetaria, përfshirë gjithë strukturimet e vlerave brenda saj...
Ndërkaq, nëse e keni fjalën për angazhimet politike të intelektualëve, duhet ta dini se deformimet që burojnë nga politika janë më të fuqishme se çdo kredo intelektuale, prandaj mos u çuditni kur shihni disa intelektualë të përfshirë në politikë që janë model i së keqes, sepse të tillëve ua shtojnë veseve të politikës kreativitetin e tyre rrënues.
Zhvillimet e letërsisë në Kosovë dhe Shqipëri kanë pasur trajektore të ndryshme historike. Si i shihni ju kushtet e sotme të krijimtarisë letrare, por edhe të angazhimit intelektual, në dy vendet tona?
Do të përpiqem të jem sa më i qartë: letërsia e Kosovës ka pushuar së ekzistuari, nuk ka më një të tillë, sepse kushtet të cilat e kanë krijuar atë, pra letërsinë e Kosovës, kanë pushuar së vepruari. Ekziston një letërsi shqipe me disa përvoja, edhe më parë ka ekzistuar një e tillë, ta zëmë, letërsia shqipe e Rilindjes Kombëtare me përvojën arbëreshe brenda saj.
Tani ekziston letërsia shqipe me përvojën kosovare dhe me përvojën e diasporës brenda saj. Por këtu ka një problem jo të vogël, sepse njerëzit, shkrimtarët, krijuesit në përgjithësi, nuk duan t’i përshtaten kësaj rrethane, disa pse nuk munden, disa pse nuk iu leverdis.
Në rrethanat e tashme, letërsia e Kosovës është letërsi lokale dhe ajo zhvillohet sipas të gjitha parametrat e një letërsie lokale, me hierarkinë e saj provinciale. Një integrim i letërsisë së Kosovës në letërsinë e gjithëmbarshme shqipe do ta shpëtonte nga provincializmi dhe nga dështimet e tjera, me të cilat ajo ballafaqohet që një kohë.
Ideja se mund të krijohet një letërsi shtetërore do të mund të qëndronte, sikur Kosova të kishte potencial kulturor dhe krijues, por ja që nuk ka. Do të thoni, e ka pasur.
Po, e ka pasur, por ajo ka qenë letërsi autonomiste, me elitë shkrimtarësh autonomistë, për një Kosovë autonomiste, e krijuar me ndërhyrje të drejtpërdrejta ose të tërthorta të Jugosllavisë, ndërkohë që lexuesin e Kosovës e kishte në dorë letërsia socrealiste e Shqipërisë.
Këtyre fenomeneve të çuditshme letrare dhe kulturore iu ka ardhur fundi. Pra, Kosova do të përfshihet në letërsinë shqipe, me përvojën e saj, me veçantitë e saj. Azem Shkreli dhe Ali Podrimja janë De Rada dhe Gavrill Dara i Ri i poezisë bashkëkohore shqiptare.
Por ky proces normal, ka edhe kundërshtarët e vet, si çdo proces tjetër. Më së keqi ndihen ata që kanë krijuar iluzionin e shkrimtarit të madh të provincës, të mëhallës, ose ata që mungesat e tyre gjuhësore i afishojnë si veçanti dhe vlera identifikuese.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.03.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)