Mehmet Shehu: “Nudo në Akademi?
Të mbyllet ajo shkollë kurvash…”

Mehmet Shehu: “Nudo në Akademi?<br />Të mbyllet ajo shkollë kurvash…”
DEBAT ARTISTIK/ Shqiptarja.com (print) në 3 numra ka publikuar kujtimet dhe analizën e piktorit Agim Faja mbi paragjykimet e shqiptarëve ndaj artit.

Më 16 tetor 2013 Shqiptarja.com publikoi pjesen e pare   “Origjina e Botës”, Pse shqiptarët i skandalizon arti  

Sot 17 tetor 2013 publikon pjesen e dytë  Mehmet Shehu: “Nudo në Akademi?Të mbyllet ajo shkollë kurvash

Nesër më 18 tetor 2013 publikohet pjesa e tretë dhe e fundit  Buza: Skulpturave iu hoqënorganet para vizitës së ministrit

Pjesa e dyte:
Mehmet Shehu: Nudo në Akademi? Të mbyllet ajo shkollë kurvash...


 Po, ashtu është ngelëm me një dorë.
Në praktikën tonë të Institutit, qe bërë normë, që pasi gjenim modelin mblidheshim dhe së bashku me profesorin (Vilsonin në vizatim dhe Gurin në pikturë), gjykonim se si ta vendosnim. Modeli futej fillimisht në këndin e zhveshjes, që ndahej nga një perde dhe që andej me një rrobëdeshamber veshur vinte tek podiumi, ku prisnim ne. Kur hiqte rrobëdeshamberin, por nuk kishte hequr të brendshmet (megjithëse ne ia kishim thënë që kurse e kishim gjetur), profesori me shumë kortezi i parashtronte kërkesat dhe modeli i hiqte pa problem. Këto ishin praktika të të gjithë akademive të botës.

Në vitin e tretë na ndodhi një gjë që na befasoi. Modeli që do të vizatonim për rreth 120 orë, pasi doli nga këndi i zhveshjes dhe erdhi e hypi në podium përpara nesh, kur hoqi rrobëdeshamberin, doli krejt lakuriq. O zot çfarë trupi i mrekullueshëm, çfarë linajsh e çfarë hiresh. Në momentin që u shfaq, të jem i sinqertë, që të shtatë ngelëm me një dorë, pasi tjetra instiktivisht na hyri në xhep.
Kur prof. Vilsoni nisi të “vizatonte” me dorë linjat e saj dhe format edhe ne me të vetmen dorë që na kishte mbetur nisëm të vizatojmë duke e imituar atë. Në fund të fundit ne të rinj ishim njëzetedy-njëzetetre vjeçarë. Atëherë nuk e kisha lexuar, por kur e kam dëgjuar më pas atë thënie të Ogust Roden se “një grua që zhvishet është si dielli që çan retë” menjëherë më është kujtuar ai moment. Që atëherë e atëherë ne nuk e patëm më problem zhveshjen e modeleve.

Modelen në bashkëpunim me profesorin e vendosëm të ulur mbi një stol të mbuluar me një draperë me vija, me duart lart të lidhura pas kokës, lëvizje që i evidentonte belin, vithet, kofshët dhe gjinjtë. Ajo kishte një trup aq të bukur sa që për vite me radhë, edhe pasi mbaruam ne, qe modele profesioniste e Institutit.
 
“E mo se tërë bota kështu i ka!...”
Fakti që në Institutin tonë punoheshin nudo në vizatim, pikturë e skulpturë edhe mund të ketë shqetësuar ndonjë inatçi apo hasetçi, pa dashur ta quaj injorant. Flitej që kryeministri Mehmet Shehu, sapo e kishte mësuar këtë gjë, (me siguri dikush do ta kishte informuar) menjëherë kishte thirrur: “Të mbyllet ajo shkollë kurvash !... Dëftohej atëherë se kjo kishte shkuar gjer në vesh të Enver Hoxhës dhe ai si e kishte dëgjuar, duke nënqeshur kishte thënë: “E mo se nuk i di të tëra Mehmeti, tërë bota kështu i ka!...” Dhe vërtet, tërë bota kështu i kishte.
Dhe jo vetëm bota perëndimore por edhe ajo Lindore, që atëherë quhej kampi Socialist en në krye Bashkimin Sovjetik. Kështu u mbyll ky muhabet dhe ne vazhduam të punojmë. Nudot shkonin e vinin tamam si në një qendër pune. Në një farë mënyre edhe ne ishim kolegë pune me ta edhe pse ishim student.

Me nudot femra jashtë mureve të Institutit nuk komunikonim fare, por me meshkujt takoheshim pinim kafe, herë herë edhe ndonjë birrë e bisedonim. Domosdo seicili ose seicila kishte jetën e vet. Kjo mënyrë komunikimi ka vazhduar edhe pas mbarimit të Institutit. Kujtoj kështu një rast shumë interesant në Hotel Turizmin “Kruja” në Durrës. Ishte mbrëmje vere e vitit 1977. Me një shokun tim kompozitor, shkuam të pimë nga një birrë në tarracën e atij hoteli që shihte nga deti. Sapo u ulëm më ndeshën sytë me një ish-modelen tonë që e kishim punuar nudo në vitin 1961. Ajo ishte ulur në një tavolinë më përtej me të shoqin dhe fëmijën e vogël tre-katër vjeç, i cili luante nëpër karriget e lokalit. Për kortezi u ngrita shkova dhe e takova dhe ajo nga e ndrojtur, që ishte në fillim, u hap menjëherë, madje më prezantoi të shoqin, një inxhinier simpatik dhe të birin.

Në fund të fundit ne ishim bashkëqytetarë dhe seicili kishte hallet dhe nevojat e veta. Siç e kam nënvizuar më lart të pozuarit nudo ishte një akt i shenjtë, që kishte të bënte me formimin artistik të studentit si dhe përgatitjen e tij për të përballuar tablotë kompozicionale, që e prisnin pas mbarimti të studimeve.
Në fund të çdo viti mësimor Instituti çelte ekspozita me punimet tona. Në ekspozitën vjetore të vitit 1962 që u çel në sallën e ekspozitave të ndërtesës së Komitetit për marrëdhënie me Botën e Jashtme, u ekzpozua edhe një nudo me madhësi natyrale e studentit skulptor Perikli Çuli. Qe nudoja e parë që ekspozohesh në ekspozitat tona jo vetëm studentore por edhe ato kombëtare. Ne, studentët duke qeshur ç’nuk thonim, madje edhe propozonim që përpara skulpturës të vihej dhe një kovë, gjithsesi… por ju them sinqerisht që nuk pat asnjë reaksion negative, përkundrazi e sodisnin me kënaqësi.

Pra ishin krijuar ca frikëra dhe tabu nga njerëz që hiqeshin kur thonë “vëlla me Lenin” megjithëse siç kemi lexuar pas viteve ’90 taze edhe Lenini kishte patur dashnore, bile të huaj, franceze. Ndoshta kjo ndodhi edhe pse nudo ishte skulpturë prej gipsi, qoftë edhe prej mermeri, ç’ka janë materiale të ftohta. Ndryshe, fjala vjen, po të ishte një nudo pikturë, ku ngjyra të krijon emocione dhe të ngjall të tjera ndjenja. E them këtë me bindje, pasi një fenomen i tillë më ndodhi në Galerinë e Arteve të Bukura në Budapest, në vitin 1987. Vizitoja pavionin e artit modern, ku qenë ekspozuar punime të Kandinskit, të Pikasos, të Dalisë etj.

Tek vështroja tablotë famoze, papritur sytë më shkuan tek një derë paska e hapur, prej kah dukej një nudo shumë interesante, që të tërhiqte vëmendjen, tamam si një llampë pesqind vatëshe. Kur u futa brenda mësova se ajo qe vepër e piktorit francez Lë Fëvër, të cilin unë nuk e kisha dëgjuar, por pasi u ktheva më foli gjatë kritiku ynë i njohur Andon Kuqali.
Nudot si detyra mësimore, u ndaluan në vitin 1973, kur u mbajt Plenumi i IV-të i Komitetit Qendror të PPSH, për të ashtuquajturën luftë kundër ndikimeve të huaja borgjezo-revizioniste: konservatore dhe liberale. Që atëherë në Akademinë e Arteve nuk u pikturua më nudo, madje as tors jo. Ato u futën në listën e herezive, aq sa dhe po ti kujtoje të hante mortja.

agim faja
'Odaliska' Agim Faja


agim faja
'Nudo' studim Agim Faja
 
“Po ne na paska vetë kryetari ndikime të huaja!...”
Unë në studion time i kam mbajtur vazhdimisht nudot e bëra në Institut, që nga viti 1970 e gjer më sot. I kam akoma. Sinqerisht nuk mund ta konceptoj studion e një piktori apo skulptori pa nudo. I kam mbajtur edhe në vitet e diktaturës, pasi ato ishin punimet e mia. Që unë kisha në studio nudo këtë e dinin të gjithë, gjer edhe shokët e pushtetit dhe të Partisë, jo vetëm të qytetit tim, por edhe ata të rrethit të Durrësit, ndoshta edhe më përtej. I kisha ekspozuar në një kënd të studios që ndaj me perde, jo për gjë, se gjeografinë e studios time dinin të gjithë, por që të mos i shihnin nxënësit e shkollave, të cilët vinin shpesh për të zhvilluar biseda për artin, sipas programit të tyre mësimor.

Dhe gjatë tërë atyre viteve, vetëm një herë më ndodhi një incident me një punonjës të sigurimit. Ishte viti 1974. Vjeshta e dytë e atij viti, tetori. Duke qenë përpara konkursit dhe Ekspozitës Kombëtare të Arteve Figurative, me rastin e 30 vjetorit të çlirimit të atdheut unë kisha në dorë tabllonë dimensionale “Në emër të jetës”, kushtuar aktit heroik të nënë Zeliha Allmetës, që sakrifikoi jetën për të shpëtuar dy vajzat e vogla nga dallgët e tërbuara të Shkumbinit.. Kisha gjithashtu edhe ciklin grafik me ilustirme për poemën e Dritëro Agollit: “Krevati i Perandorit”.

Një vit më parë Dritëroi sapo ishte zgjedhur kryetari ynë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ishte koha e diskutimeve të zjarrta kundër ndikimeve të huaja borgjezo-revizioniste që bëheshin në prag të mbajtjes së plenumit të IV të Komitetit Qëndror të PPSH. Ai plenum do të më hiqte nga ekspozita kompozimin “Mesditë. Në pushim”, ku kisha paraqitur dy kooperativiste duke pushuar. Të dyja të shtrira, por ajo në plan të parë ishte me të ndjenjurat e kthyera nga vizitorët dhe faji ishte se ua kisha ngritur fustanin më shumë se ç’duhej dhe u kisha mëshuar shumë hireve femërore; vitheve, gjinjve dhe këmbëve.

Dritëroi kishte ardhë bashkë me Sadijen, por i ishte qepur pas edhe ai “shoku” operativ. “Do të vij edhe unë , ta njoh Agim Fajën!” , u kishte thënë dhe erdhi. Pasi i panë ilustrimet, që vërtet i pëlqyen (në fakt i kisha punaur me kujdes, çka dhe u vlerësuan me çmim kombëtar, në konkursin e 30 vjetorit) Dritëroi nisi të shoqë punimet e vëna në muret e studios. Kur erdhi tek kompozimi “Mesditë. Në pushim”, Dritëroi foli: “Këto të paskërkan hequr? Po ç’të keqe ka këtu? Edhe Sadijes time që është ulur në divan, i ka dalë një çikë gjuri, po pastaj? Jo më fshataret që janë shumë të çlirëta! Eh, ç’ti bësh o Agim?!” Më pas u fut te këndi i nudove dhe kur doli që andej më tha: “I ke të bukura ato nudot Agim, ç’ka dëfton se keni patur fatin të keni pedagogë të mirë, si Vilsoni ashtu edhe Guri…”
Ndërsa bisedonim ai shoku i sigurimit foli me zë të lartë, që nga këndi i nudove ku kishte hyrë për të parë: “Ore Dritëro, po ç’flasim kot për ndikime të huaja, ne na paska kryetari **) jonë ndikime të huaja!” . “Për kë e ke fjalën?” – e pyeti Dritëroi.

“Për këto lakuriqet që paska bërë ky, këto pislliqet!”. “Mos more, po ato janë krijime shkollore, siç kam bërë unë kur kam qenë në Rusi, ky i ka bërë këtu në Tiranë. Këto bëhen në të gjithë botën, shok i dashur!”. Ai duke mos ditur ç’të thoshte, pyeti” Po pse a flet kund Marksi për këto?”. “Tëmën – ia priti Dritëroi, duke qeshur, po pse me kurva është marrë Marksi?”. Dhe incidenti u shua, ai nuk foli më. Megjithatë edhe po ta ngrinte lart në Komitetin e Partisë në Durrës, nuk do të gjente përkrahje, pasi në ato vite sekretar i parë i Komitetit të Partisë së rrethit ishte shoku Iljaz Reka, një burrë i rrallë, tamam njeri me shpirt artisti. Që atëherë më incident tjetër nuk më ka ndodhur.
 
“Po, po, o çuni Bejtes, hala ke ura ti!...”
Ka qenë viti 1965. Qe ai vit që u shfaq fenomeni i jashtëzakonshëm i thatësirës. Në verë të atij viti, sapo kisha mbaruar Institutin, në vazhdim të traditës së praktikave mësimore –verore, sapo mbaruan mësimet (atë kohë jepja vizatim në shkollat 8-vjeçare të Shijakut dhe në një fshat) shkova në katundin Eminas i vogël, tek dajë Baromi. Ai më la në dispozicion gomarin e tij, kështu që unë nuk lashë katund pa shkel: Shtrazë, Kënetë, Shatel... Çizmeli, Pinet, Sauqet etj, duke punuar portrete pleqsh, plakash, të rinjsh e të rejash, e gjer edhe fëmijë. Pale peisazhe: në mbrëmje, në mëngjes herët, në drekë, në të gjithë vaktet.

Të premteve shkoja tek xhamia, pranë varrezave ku vinin lloj-lloj tipash për tu falur. Ishte një kthim pas 20 vjetësh, ndaj kërkova dhe gjeta dhe varrin e gjyshes, ku mbi një gur te koka qe shkruar:” SHEQERE GJOSHI (1859-1946) PASTË RRAHMET!”. Thashë që atë vit u shfaq fenomeni i thatësirës, ndaj kam vizatuar tërë ato kooperativistë e kooperativiste, që mbushnin ujë në Erzen e nëpër kroje, me bidona, gjyma, kova, shtëmba e katruve për tua hedhur rrënjëve të ullinjve dhe misërishteve, që tu shuanin etjen.

Dhe kur u ktheva për ekspozitën e 25-vjetorit të Partisë (kështu ishte atëherë) realizova panon dekorative: “VERE 1965” (Lufta kundër thatësirës”), që u vlerësua nga kritika si një vepër artistike e realizuar. Ato dy muaj unë mblodha shumë materiale, që më shërbyen si një burim i pashtershëm për punimet e mia të ardhshme, me temën e fshatit, si poliptiku: “Këngë për gratë e fshatit tim” (në pesë tabllo), “Mesditë . Në pushim”, “Udhë të mbarë!”, “Mëngjes fshatarak”, “Trimin tem ç’e zu rakia!”, etj.

Megjithatë ajo që doja të theksoja është që edhe në këto vizatime, që më vonë do të më shërbenin në krijimin e figurave nëpër tablotë kompozicionale, ndjehej influenca e nudove, që kishim bërë në Institut, qoftë kjo e femrave apo e meshkujve. Kjo materializohej në theksimin e formave dhe të hireve, edhe pse ishin të veshur.
Këtë theksim ose nënvizim unë e kërkoja, edhe nëpër kompozime, ç’ka here-herë edhe më rrezikonin. Gjithnjë në kompozimet e mia jam përpjekur të jap sa më shumë edhe ndjenjën erotike njerëzore, krahas punës. Në fund të fundit ata apo ato që punonin nuk ishin robotë, por njerëz, ku ndjeje kënaqësi kur era ia ngrinte pak fustanin, kur nga djersa u evidentoheshin më shumë hiret, apo kur hidhnin pas supeve flokët e gjatë, apo kur nxirrnin gjirin e plotë për ti dhënë qumësht fëmijës së vogël.

Sjell ndërmend kur gjatë pushimeve bisedonim me bashkëfshatarët e mij. Unë si nip i tyre me shaka u thoja se kështu siç ju lodhen ju gratë, duke prashitur misër, duke korrur grurë, e duke mbledhur groshë e ullinj, kur vjen vakti i darkës bijnë si të vdekura”. “Po po, o çuni Bejtes, ***) hala ke ura ti! Kur shkojmë në dhomë për të flejt, taze e kanë fut nji degë silfiar e hidersha midis cicave”. Sa gjë e bukur, qejfi dhe dashuria, superojnë mbi lodhjen e punës.

Pikërisht këtë gamë njerëzore kam tentuar të jap në punimet e mia, që ato të jenë sa më të ngrohta dhe emocionuese.
Gjithnjë kam pasur parasysh atë porosi shumë interesante të kritikut amerikan Keneth Klark, i cili midis të tjerash shkruan: “Vepra e artit duhet të jetë erotike. Nuk ka vepër arti, sado abstrakte të jetë, që të mos ngjallë tek shikuesi diçka të ngjashme me ndjenjën erotike dhe nëse nuk arrin dot ta bëjë këtë, atëherë është art i keq dhe moral i rremë”.

Në paçim arritur në krijimtarinë tonë ndonjë nga këto kërkesa, është meritë e profesorëve tanë Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi, Kristina Hoshi (Koljaka), Odhise Paskali, Foto Stamo, Androniqi Antoniu, Janaq Paço, Andrea Mano, Kel Kodheli, Arqile Papadhimitri, etj, që kishin mbaruar studimet nëpër Akademitë perëndimore dhe Vilson Kilica, Guri Madhi, Kristaq Rama, Shaban Haderi, Danish Jukniu, Andon Kuqali, Ksenofon Dilo etj, që kishin kryer studimet nëpër akademitë lindore. Këto qenë për ne një pasuri e madhe.


Shënime
**Në vitet ’70 e këndej unë kam qenë kryetari i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve në rrethin e Durrësit
 
*** Bejte është emri i Momës sime (1918-2002), bijë nga katundi Eminas i Vogël të Shijakut, ku kam lindur dhe unë, më 14 mars 1939.
 
**** Në revistën AKS më kujtohet një gazetare e njohur, në gjashtë faqe trajtonte problemet e nudove, në nëntituj të tillë; “Nudo për bukën e gojës”. “Historia e njërës nga ato…”(siç shkruante Migjeni në novelat e veta); “rrëfim mëkatarësh”; “modelet, hallexhinjtë e Nudos”; “pak histori nga nudizmi shqiptar”, por që të paktën nuk mohonte dhe atë, që kishte modele që thoshin: “Më duket punë e mirë” ose “Do të pozoj nudo deri 40 vjeç”.
 
Shkrimi u publikua sot (17.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar