Deklaratave të Shehut, të pasuara edhe me një profil të vlerësuar si “dinjitoz” të kryeministrit komunist shqiptar, i bënë jehonë në atë kohë edhe shumë media e gazeta të tjera amerikane. Por çfarë përmbante intervista e Shehut dhe cilat ishin mendimet e tij për marrëdhëniet me SHBA-në, varësinë e Shqipërisë ndaj Moskës, marrëdhëniet me Jugosllavinë etj?
Duke cituar pjesë nga intervista e Shehut, rezultonte se: ai foli me një krenari të dukshme rreth zhvillimit të industrisë në Shqipëri dhe theksoi se afro gjysma e tokës bujqësore tanimë ishte kthyer në kooperativa dhe ferma shtetërore.
Shehu pohonte se “ushqimi mbetej ende problemi primar i vendit të tij dhe se para 1960, Shqipëria nuk do të ishte në gjendje t’i siguronte dot produktet ushqimore. Shehu adresoi lëvdata disi të tepruara për ndihmat sovjetike, të cilat kishin nisur qysh prej vitit 1948.
Në lidhje me përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, kryeministri shqiptar ishte shprehur i përmbajtur, por këmbëngulte se Shqipëria do të dëshironte marrëdhënie më të mira brenda familjes së vendeve socialiste, pa ia ndjerë nevojën arbitrave të jashtëm”.
Duke e përsëritur disa herë, ai shfuqizoi akuzat se Shqipëria ishte një “shtet policor” ...Rreth marrëdhënieve e varësisë ndaj Moskës, Kryeministri Mehmet Shehu, tha se: “Marrëdhëniet tona me Bashkimin Sovjetik nuk janë marrëdhënie ku ne e shohim veten në një pozicion satelit, por janë të barabarta dhe vëllazërore”.
“Në qoftë se ju, zoti Salisbury, keni ardhur këtu në Shqipëri që të kërkoni për vende satelite, atëherë keni trokitur në derë të gabuar”. ..Shehu tha se “jam i mendimit se ju duhet të theksoni përmes kësaj vizite në vendin tonë, se Shqipërua as ka qenë dhe as do të jetë pjesë e kontingjentit rus”.
Kryeministri i Republikës Popullore të Shqipërisë, foli gjatë intervistës edhe për objektivat ekonomike të qeverisë së tij, duke theksuar se standardet e jetesës ishin shumë më të prapambetura se sa në Çekosllovaki për shembull, por bënte thirrje për të bërë krahasime me të shkuarën.
Duke këmbëngulur ndër të tjera mbi mosdomosdoshmërinë e ndryshimeve e metodave qeverisëse në Shqipëri, Shehu i drejtohet gazetarit të “Neë York Times” me fjalët: “institucionet janë të respektuara në popullin tonë. Zoti Salisbury! Shqipëria është një shtet demokratik, ku populli është zot. Ne kemi një kushtetutë demokratike dhe ajo nuk rri mbyllur në një gotë prej qelqi”.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)