Deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj deklaron në një takim me të rinj të LRI në njësinë bashkiake numër 1 se të rinjtë që do të jenë në këshillin bashkiak do të jenë zëri më i fuqishëm për problemet e rinisë.

“Kandidatët tanë për në Këshillin Bashkiak të Tiranës nuk janë thjesht kandidatë për të mbushur listat por janë aty vajza dhe djem të shkëlqyer, me vlera, modeli i të rinjve më të mirë të Shqipërisë. Nga ana tjetër ata janë dhe miqtë tuaj më të mirë, dinë mirë se çfarë ju shqetëson, dinë mirë se çfarë nuk shkon mirë me rrugën, çfarë problemi ka me ujin e pijshëm, dinë ku ka probleme me kopshtet", tha Mehmetaj.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe kryetari i LSI-së për Tiranën, Shezai Rrokaj, kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Endrit Braimllari. Në këtë bashkëbisedim u diskutuan disa nga problematikat që kanë të rinjtë e njësie 1.

Në fjalën e tij kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Tiranën, Shezai Rrokaj, tha se LSI-ja është me fat që punon me të rinjtë, sepse vetëm rinia ka energjinë e duhur, vizionin e duhur, sinqeritetin e duhur për të shkuar përpara.

“Investimi tek rinia është investim për të ardhmen, ndaj Lëvizja Socialiste për Integrim e ka në qendër të vëmendjes investimin për rininë nëpërmjet përfaqësimit të saj në të gjitha strukturat e vendimmarrjes. Ju duhet të jeni pjesë e vendimmarrjes në mënyrë që Shqipëria të bëhet më e mirë. Ju nuk keni arsye që ta braktisni vendin tuaj, ju nuk keni arsye që të braktisni Tiranën, por të gjithë bashkë e bëjmë Shqipërinë më të mirë, të gjithë ne bashkë e bëjmë Tiranën më të mirë, një Tiranën të denjë për të gjithë qytetarët, një Tiranë që gjeneron punësim dhe që i jep shërbime për qytetarët e saj.”, - tha kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Tiranën, Shezai Rrokaj.

Kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Endrit Braimllari, në fjalën e tij para të rinjve kërkoi nga të rinjtë mbështetje për LSI-në dhe Erion Veliajn pasi sipas tij vetëm kështu do të zgjidhen problemet e të rinjve në Tiranë.
LRI
LRI
 
Redaksia Online
(al.h/shqiptarja.com)