Mëkati i vetëm i SHBA në Shqipëri dhe sulmi enverist i Berishës

Mëkati i vetëm i SHBA në Shqipëri dhe sulmi enverist i Berishës

Yuri Kim dhe Sali Berisha

Sali Berisha e ka të vjetër lokacionin e përdorur prej tij “guvernatorë të paemëruar”, që ka pasur e ka parasysh ambasadorë të SHBA në Shqipëri. Me të rrallë edhe ndonjë të BE-së dhe OSBE-së.

Kronika e përplasjeve të tij pothuajse kronike me ta është evidenca e antagonizmit të tij me Uashingtonin dhe Brukselin për çështje themelore të demokracisë në vendin tonë, siç janë liria e medias, zgjedhjet e lira, ndarja demokratike e pushteteve, sundimi i ligjit, pavarësia e sistemit gjyqësor, e tjerë.

Tabloja nuk ka qenë bardh e zi. Kaq gjatë në pushtet, Berisha ka pasur e nuk mund të mos kishte edhe akte të një gjatësi vale me qëndrimet amerikane. Ajo që ka mbetur si sumum i historisë tridhjetëvjeçare është se në këtë të ashtuquajtur “republikë guvernatorësh të paemëruar”, ai ka nusëruar pa ndalim në majat e pushtetit si president i Republikës nga viti 1992 deri në vitin 1997, si kryeministër nga viti 2015 deri në vitin 2013, si shef opozitë sa herë nuk ka qenë shef i shumicës, duke qenë kryetar de fakto i Partisë Demokratike nga viti 1991 deri me 9 shtator 2021 kur Lulzim Basha vendosi ta pezullonte nga grupi parlamentar për shkak të shpalljes së tij non gratta nga SHBA.

Po në këtë “republikë të guvernatorëve të paemëruar” Ilir Meta i ka provuar gjithë postet me të larta: të kryeministrit, të kryetarit të Kuvendit, të Presidentit, kurse Edi Rama, që prej vitit 1998 e këndej, ka marrë sa herë ka dashur karrigen që ka piketuar. Me përjashtim të zgjedhjeve bashkiake të vitit 2011. Triniteti “Berisha-Meta-Rama” kanë si stafetë autorësinë tri gangrenave të demokracisë shqiptare: manipulimin e zgjedhjeve, pandëshkueshmërinë në sferat e larta, korrupsionin masiv në sistem. Këto janë shkaku madhor i prapambetjes dhe zbrazjes periodike të Shqipërisë.

Në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër në Europë dhe rajon, kush ka qenë dhe është në pushtet ka financa të fuqishme, ka shumë media, ka sisteme linçimi dhe denigrimi të zërave kritikë, ka ortakëri me banda. Deri dhe me killer.

Ky realitet i hidhur sugjeron në fakt një vlerësim të kundërt me atë se Shqipërinë e paskan qeverisur guvernatorët e paemëruar amerikanë dhe europianë. Nëse SHBA dhe BE kanë një mëkat në Shqipëri gjatë këtyre tridhjetë vjetëve është tolerimi i gjatë, sa për arsye të real politikës, sa për oportunizëm, i sundimit autokratik dhe i pandëshkushmërisë në sferat e larta këtu.

SHBA dhe BE reflektuan një ditë me angazhimin e tyre historik për konceptimin, miratimin dhe zbatimin e reformës madhore në drejtësi. “Askush mbi ligjin” është qëllimi i kësaj reforme. Është premtimi amerikan për popullin shqiptar. Që ka nisur të bëhet realitet. Pengesat që ka ndeshur e vazhdon të ndeshë zbatimi i saj nuk janë gjë tjetër veçse vërtetimi i madhësisë së të keqes që ka venë në shënjestër për të luftuar. Lajmi i mirë për publikun shqiptar është se Uashingtoni dhe Brukseli janë të vendosur të mos ndalen derisa “askush mbi ligjin” të bëhet një standard normal i demokracisë normale shqiptare. Është e natyrshme që ambasadorët dhe diplomatët e këtyre aleatëve, si të përditshëm këtu, janë më aktivët e më të ekspozuarit në këtë mision. Në emër të shteteve respektive dhe për të mirën e Shqipërisë.

Kështu ka qenë gjithnjë. Operandi i çdo ambasadori amerikan në Shqipëri gjatë këtyre tre dekadave ka pasqyruar, me përpikmëri do të thosha, prioritetet e SHBA-së në periudhën përkatëse, lidhur ngushtë me situatën dhe problematikat e vendit tonë të së njëjtës periudhë. Protagonizmin e tyre e kanë diktuar gama e pasur e marrëdhënieve dypalëshe në një anë dhe problematikat e rënda të vendit në anën tjetër, siç janë krimi, korrupsioni, shitblerja e votave, pandëshkueshmëria, veprimet destabilizuese antidemokratike, e tjerë.

Ambasadorja e tanishme Juri Kim nuk bën përjashtim. Asaj i ra shorti të shërbente në Tiranë në një periudhë që mund ta quajmë periudha e qartësimit të historisë sonë në aulën e drejtësisë dhe në aula të tjera të së vërtetës, kur drejtësia e re dhe transparenca do të fillonin të shkelnin në tokën e pashkelur të sferave të larta dhe të preknin të paprekshmit. Ka qenë dhe është e pritshme dhe madje e kërkuar nga publiku i gjerë që ambasadorja amerikane të ishte në arenë si asnjëherë tjetër, në përputhje me natyrën dhe fazën finale të betejës kundër korrupsionit që po udhëheq SHBA edhe në vendin tonë. Emërimi dhe puna e saj në Tiranë përkon me fillimin e përdorimit të instrumentit “non grata” nga SHBA edhe për zyrtarë dhe ish zyrtarë shqiptarë; përkon me përcaktimin e korrupsionit si një dukuri që cënon sigurinë kombëtare të vendeve aleate dhe të vetë SHBA-së; përkon me vendosjen e luftës kundër korrupsionit si një prioritet i politikës së jashtme amerikane, çfarë nuk e kishim hasur deri më sot të formuluar në këtë formë; përkon me nxjerrjen e urdhrit Ekzekutiv të Presidentit Biden për sanksionimin e korrupsionit dhe akteve që minojnë demokracinë, ku Shqipëria përmendet me emër. Për herë të parë në historinë e akteve të tilla. Aq sa të duket se ky urdhër, i cili vjen në zgjerim të një urdhri të mëparshëm të ish presidentit Bush për dënimin e krimeve të luftës në ish Jugosllavi, është bërë enkas për Shqipërinë. Të gjitha këto si pjesë e një projekti shumë të gjerë të Presidentit Biden për mbrojtjen dhe forcimin në shkallë botërore të demokracisë së sfiduar e sulmuar në lloj-lloj formash gjatë viteve të fundit nga lidhjet e shenjta të iliberalëve, autokratëve dhe tiranëve të rinj që e kanë qendrën në Moskën e Putimit.

Ky është kuadri, ky është dispozitivi- le të quajmë kështu- që ka përcaktuar fushën e veprimit të përfaqësuesit më të lartë të SHBA në Tiranë. Ambasadorja Kim po vepron ekzaktësisht brenda këtij kuadri. Po bën punën e qeverisë së saj për të mirën e Shqipërisë. Me gjithë cilësitë e saj të spikatura që publiku i gjerë shqiptar i ka parë dhe i sheh çdo ditë. Siç themi në anët tona, SHBA i kanë gjetur njeriut punën. Sulmet e orkestruara ndaj saj të shoqëruara me fyerje dhe narrativa për budallenj në lidhje me instrumentin non grata përkthehen në Uashington, siç e kemi parë, si merita të saj. Po ashtu edhe në opinionin e gjerë publik në vendin i tonë, i cili qëndron në shumicë absolute përkrah miqësisë me SHBA dhe angazhimeve të tyre në Shqipëri.

S’do mend e kalem, siç thotë një shprehje popullore, për të kuptuar se këto sulme të stampës enveriste nuk e kanë me ambasadoren. E kanë me politikën zyrtare të SHBA, të cilën synojmë ta zhurmojnë e silurojnë. Pa asnjë shans për sukses. Për fat.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Coli: 28/04/2022 19:36

    Pra nese dikush nuk i pelqen politika Bideniste merr stampe enveriste. Por nese i pelqe ajo Trumpiste? Ose Bushiste?? Regjimi enverist prodhoi nje nga modelet me vdekjeprures te demokracive: Kuadrin, Njeriun e Ri! Qe sot materializohet me dallkauke si Rama dhe shoqerohet nga pyka si ky ish bp i sigurimit te shtetit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!