Një faktor i rëndësishëm që ndikoi në këtë botim të dytë, ishte edhe shpallja e Qendrës historike të Beratit, krahas asaj të Gjirokastrës, “Pasuri Botërore”. Ky studim monografik dëshmon qartësisht punën e autorëve të lartpërmendur, pasionin dhe përkushtimin e tyre, hulumtimet në terren dhe konsultimet me literaturë shkencore por jo vetëm. Puna e specializuar e këtyre autoriteteve në fushën e Trashëgimisë Kombëtare, mbajtja mbi supe peshën e përvojës gjysmë shekullore tregon edhe njëherë qartësinë e vlerave intelektuale, seriozitetin dhe veprimtarinë e tyre profesionale. Ky fakt dëshmon çelësin e vlerës së kësaj pune kërkimore duke na ofruar historinë dhe vlerat urbanistiko-arkitekturore të Beratit të lashtë. Monografia e ribotuar me titull “Berati, historia dhe arkitektura”, e përmbledhur në 285 faqe, përmban shtatë kapituj të ilustruar me foto dhe material dokumentar grafik si edhe shpjegimet sqarues.
Në këtë monografi, kapitujt I, II, III janë shkruar prej Apollon Baçes, ata të IV, V prej Aleksandër Meksit dhe kapitujt VI, VII prej Emin Rizës. Duhet thënë se ky ribotim ruajti trajtimin e botimit të parë të vitit 1988, duke përjashtuar kapitullin VI dhe VII, të cilët u zgjeruan, veçanërisht ai i VI, i cili trajton kryesisht urbanistikën dhe banesën beratase.
Kapitulli i parë, na ofron një panoramë mbi mjedisin përreth Beratit, kushtet natyrore dhe zhvillimin ekonomik të tij.
Kapitulli i dytë, jep përshkrimin historik, ku mesazhet më të hershme të fillesës së jetës janë dy çekanë të gurtë të kohës së bakrit-fillimit të bronzit gjetur rrëzë mureve rrethuese, të cilët dëshmonin se këtu ishte një qendër e banuar. Në shek.IV p.e.s lindja e qytetit të mirëfilltë tregohet me muret e fuqishme rrethues, më pas vazhdon me periudhën e pushtimit romak dhe antikiteti i vonë, mesjeta e hershme, zhvillimi urban i Beratit në mesjetën e mesme deri në shekullin e XVIII ku Berati bëhet qendër e pashallëkut të madh të njëemërt. Synimi i autorit Apollon Baçe është hulumtimi dinjitoz mbi bazën e substancës arkeologjike, gjurmëve dhe të dhënave burimore historike.
Kapitulli i tretë, trajton qytetin e fortifikuar, kalanë e Beratit. Çdo periudhë ka lënë gjurmët e saj në muret e qytetit të fortifikuar ku ndërthuren fazat e ndryshme ndërtimesh ilire me ato të Despotatit të Epirit, ato të principatave feudale shqiptare me ndërtimet e pashallëqeve të mëdha etj.
Në kapitullin e katërt, autori Aleksandër Meksi paraqet arkitekturën e ndërtimeve të kultit. Ne mendojmë se ky kapitull duhej të ritrajtohej dhe të thellohej më shumë duke studiuar shpërndarjen e elementëve paleokristiane në Berat, të cilët kanë ekzistuar në ambjentet e kishave në kalanë e Beratit, disa prej tyre të ripërdorura, dhe disa të vendosura në interieret e tyre, duke mos u vrojtuar me kujdes dhe duke mos ju dhënë rëndësia e duhur për t’u thelluar dhe më pas studiuar.
Një fakt tjetër është dhe zbulimi i pjesshëm deri tani të rreth 31 m² mozaik polikrom (u zbulua në gusht 2012 nga punimet që po bëheshin për hapjen e një depo uji e cila do të shërbejë për hidrantët e kalasë) në pikën më të lartë në Akropolin e kalasë së Beratit. Kjo do të eleminonte përsëritjen e së njëjtës frazë edhe në botimin e dytë se”asgjë nuk gjendet në qytetin e Beratit që të dëshmojë arkitekturën paleokristiane, veçse tri kapitele”. Këto të dhëna do të ishin të dobishme në orientimin për konsultimet e studiuesve, historianëve dhe arkeologëve me këtë literaturë në botimet e tyre pasardhëse si dhe për të orientuar kërkimet e ardhshme arkeologjike. Sidoqoftë, gjurmët e elementëve të përmendura më lart mbetet detyrë për studimet e ardhshme.
Kapitulli i pestë, trajton ndërtimet inxhinierike e shoqërore, të tilla janë ato të furnizimit me ujë, kullat e sahatit, urat etj, të cilat plotësonin nevojat e popullsisë.
Në kapitullin e gjashtë, autori Emin Riza ofron studimin e arkitekturës popullore, zhvillimin urbanistik të qytetit të Beratit dhe tiparet e saj. Autori vendos theksin tek banesa beratase një kategori që përbën temën kryesore të vlerave ndërtimore, i cili qëndron së pari në kriteret klasifikuese tipologjike të banesës tradicionale beratase si dhe ambjentet formuese dhe funksionin e tyre.
Kapitulli i shtatë dhe i fundit, synon të shpjegojë momentin më të rëndësishëm, mbrojtjen e qendrës historike. Autori thekson në këtë kapitull se vënia në mbrojtje të qendrave historike të Beratit dhe Gjirokastrës që në vitin 1961, e vendoste Shqipërinë ndër vendet e para të Europës për sensibilizimin relativisht të hershëm, për vlerat e arkitekturës popullore në njësi kaq të mëdha si hapësirat urbanistiko - arkitekturore të bërthamave krahasimisht të vjetra të qendrave qytetare.
Studimi monografik “Berati, historia dhe arkitektura”, i akademik Apollon Baçes, Prof. Dr. Aleksandër Meksit dhe akademikut Emin Riza përmbledh tërësinë e vlerave të qytetit historik të Beratit. Kjo monografi nuk ju drejtohet vetëm specialistëve të Trashëgimisë Kombëtare apo historianëve, arkeologëve dhe arkitektëve ku do t’i shërbejë si burime referimi në punime të tjera me karakter kërkimor, por në të njëjtën kohë, edhe lexuesve të interesuar për vlerat e rralla kulturore, arkitektonike dhe historike të Beratit, si dhe njerëzit që promovojnë njohjen e trashëgimisë së qytetit dhe turizmit kulturor. Prandaj ky studim nuk pretendon të jetë shterues, përkundrazi ai do t’ia arrijë qëllimit nëse do të nxitë studime e monografi mbi gjini e monumente të veçanta, ashtu siç tregohet edhe nga vet autorët.
Berat më, 06 Mars 2014
Shkrimi u publikua sot (16.03.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)