Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka dënuar ashpër deklaratat e Donald Trump ndaj Papa Leone XIV, duke i cilësuar ato “të papranueshme”.
“E konsideroj të papranueshme gjuhën e përdorur nga Presidenti Trump ndaj Atit të Shenjtë. Papa është kreu i Kishës Katolike dhe është normale që ai të bëjë thirrje për paqe dhe të dënojë luftën”, u shpreh ajo në një reagim zyrtar.
Reagimi i Melonit nuk është i vetmi.
Presidenti Sergio Mattarella vlerësoi mesazhet e Papës për paqe dhe unitet, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë kolektive për të kapërcyer ndarjet.
Edhe lideri i Lega-s Matteo Salvini u shpreh se Papa është një udhëheqës shpirtëror për miliarda besimtarë dhe se sulmet ndaj tij “nuk janë të dobishme”.
Ndërkohë, kryetarja e Partisë Demokratike Elly Schlein i cilësoi deklaratat e Trump si “akt shumë të rëndë”, duke theksuar se ato tregojnë arrogancë dhe mungesë tolerance ndaj zërave të lirë.
Në të njëjtën linjë edhe Maurizio Lupi, i cili shprehu solidaritet të plotë me Papën dhe mbështetje për mesazhet e tij për dialog dhe paqe.
Lajmi kryesor:
E quajti Papa Leone XIV ‘të tmerrshëm’, Trump: Nuk i kërkoj falje, ai gabon për disa gjëra! Ati i Shenjtë: S'kam frikë, do të vazhdoj të kundërshtoj luftën










