Mentor Kikia: Shoqëria në rrokullisje fatale, duhet të shpëtojmë fëmijët!

Mentor Kikia: Shoqëria në rrokullisje fatale, duhet të shpëtojmë fëmijët!

Foto nga vendi i ngjarjes (18 nëntor 2024)

Të mbërthyer në një luftë të ethshme për mbajtje-marrje të pushtetit, në të cilën janë të angazhuar të gjithë, partitë politike, qeveria, pushteti vendor, struktura të shtetit, media, grupime qytetare etj, ne nuk po shikojmë se jemi në një rrokullisje pa ndalim si shoqëri. 
Një ngjarje e rëndë tronditi kryeqytetin, kur në një shkollë 9-vjeçare dy nxënës 14 vjeçarë u sulmuan me thika para hyrjes së shkollës, duke shkaktuar vdekjen e njërit dhe plagosjen e rëndë të tjetrit.

Ngjarja është nën hetim dhe ende nuk dihen të gjitha detajet. Nuk dihet nëse sulmuesit ishin po nxënës të të njëjtës shkollë, apo më të rritur.(Ka dyshime që krimi ishte vijim i një grindjeje të nisur që të premten, kur viktima ishte dhunuar dhe sot e qëlluan me thikë). Gjithësesi, pavarësisht rrethanave të kësaj ngjarjeje, krimi i radhës nuk është një rastësi fatale. Përkundrazi, është rrjedhojë e një mjedisi social të dhunshëm që vazhdon të thellohet.  

Unë jam mes atyre që s’kanë reshtur së shkruari e së foluri, për një gjeneratë pa edukatë, pa etikë, me një fjalor fyes, bullizues e të dhunshëm; për ngjarje të dhunës në grup, me protagonistë djem e vajza; për një sistem shkollor ku mesuesit i bëhet çdo ditë e më i vështirë ushtrimi i profesion-misionit të tij, pasi fëmijët kanë vetëm të drejta dhe jo detyrime. Dhe ja ku kemi tragjedinë e radhës. Nuk do të jetë e fundit, pa asnjë dyshim. 
Sot pashë shumë njerëz që drejtonin gishtin nga shteti, nga policia dhe shkolla. Po, edhe ato kanë përgjegjësinë e tyre. Por përgjegjësia kryesore duhet të kërkohet në familje. Janë ata që duhet të reagojnë të parët për çdo sjellje jo normale të fëmijëve. Ku janë prindërit kur fëmijët 10-14 vjeçarë enden rrugëve në formën e bandave deri në mesnatë? 

Në një rast konkret, ndërsa një inspektor policie tentonte të “vinte rregull” mes një bande fëmijësh që sulmonin bizneset në një zonë të Tiranës(e theksoj, bandë fëmijësh) babai i njërit prej tyre i bënte video të fshehtë dhe e shantazhonte inspektorin se do e bënte publike, sepse ai po u bënte presion fëmijëve. Ky soj fëmije do të shkojë me thikë në shkollë nesër, sepse e mbron baba. 

Në episodin e radhës të një seriali televiziv, prokurorët po hetonin një grup të rinjsh, vrasës. Ata e shtrinë hetimin edhe tek familjarët e tyre dhe zbuluan se çdo familje kishte qenë në dijeni të sjelljeve dhe veprimeve të fëmijëve, por nuk kishin ndërhyrë dhe nuk kishin denoncuar. 
Arkivi i policisë tonë është i mbushur me krime djemsh, prindërit e të cilëve nuk e dinë as në cilën shkollë janë. Por, është mbushur edhe me krime djemsh, të cilëve prindërit e pasur e me pushtet u janë bërë mburojë, duke i zhytur thellë e më thellë në botën e krimit. 

Prindër mblidhni fëmijët, para se tia lexoni emrat në titrat e televizioneve News.
Në këtë situatë kaotike, qeveria nuk mund të jetë indiferente apo të ndezë vetëm qiriun e radhës. Të qeverisësh nuk do të thotë të bësh vetëm rrugë e tunele. Por të jesh përgjegjës mjedisin social, kriminalitetin dhe dhunës mes të miturve. Të jesh përgjegjës për të përgatitur një gjeneratë më të denjë për të ardhmen e vendit. Dhe për këtë duhet të ndërtohen mekanizma që ndërthurin shkollën, familjen dhe shtetin, që çojnë në arsimimin dhe edukimin e fëmijëve.
Shkolla ka nevojë për DISIPLINË, mjaft me “tabelën” e të drejtave të fëmijëve në çdo muar klase dhe me prindër që kërcënojnë mësuesit “nëse i bërtet fëmijës tim”.
 

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kiki: 19/11/2024 12:51

    Kshu I kemi bere vete! Ti shpetojme nga prinderit apo vetja?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë