Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 16 vite burg të autorit të mitur të vrasjes së Martin Canit.
Në qershor, Apeli rihapi hetimin dhe vendosi kryerjen e raporteve psikologjike për autorin dhe për të miturin që mbeti i plagosur gjatë sherrit mes disa personave.
Në dhjetor 2025, autori i mitur u shpall fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj Martin Canit dhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë” ndaj një të mituri tjetër, i cili mbeti i plagosur.
Si u vra Martin Cani?
Ngjarja ndodhi më 18 nëntor 2024, 3 ditë pasi kishte lindur konflikti mes dy adoleshentëve brenda shkollës, për motive krejt banale, i cili në dukje u mbyll, por që u rindez sërish po brenda shkollës. 2 të miturit u takuan paradite në tualetet e shkollës, debatuan sërish por u ndanë nga roja i sigurisë. Pas mësimit, me shokët respektivë, u takuan jo shumë larg oborrit të shkollës, ku nisi një sherr që përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosje të autorit me thikën e tij. Pas ngjarjes autori e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër, e cila u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza nxori se me të njëjtën thikë ishte goditur viktima dhe i plagosuri.
Autori u arrestua. Për ditë me radhë ngjarja u mbulua me mister. Babai i 14-vjeçarit të plagosur akuzoi policinë se ngjarja po fshihej dhe se në konflikt janë përdorur 2 thika dhe se djali i tij ishte goditur me të dyja. Këto deklarata të ripërsëritura detyruan policinë të bëj disa reagime publike, duke u shprehur se në ngjarje, referuar pamjeve te kamerave, dëshmive dhe provave, në sherr ishte përdorur vetëm një thikë dhe autori i dytë i pretenduar nuk kishte rol dhe thikë tjetër.
Çështja mori edhe kontekst politik pasi protesta të shumta u organizuan, me kërkesë për më shumë siguri në shkolla dhe dorëheqje të ministres së Arsimit. Një konsultim i gjerë publik, i urdhëruar nga Kryeministri Rama, me prindër në të gjithë vendin konkludoi në vendimin e qeverisë për të mbyllur rrjetin social “TikTok” si një hapësirë bullizmi dhe dhune, ku adoleshentët nisin përplasjet mes tyre.
Komente









