Mercenarë nga Kosova në Ukrainë?! Ministria e Jashtme hedh poshtë pretendimet ruse

Mercenarë nga Kosova në Ukrainë?! Ministria e Jashtme hedh poshtë pretendimet ruse

Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe raportimeve nga agjencia ruse e lajmeve, TASS se “mercenarë nga Kosova” po dërgohen në rajonin Donbas të Ukrainës, ku forcat qeveritare ukrainase luftojnë me separatistët e mbështetur nga Moska.

MPJD përmes një njoftimi i cilësoi si të “pavërteta dhe tendencioze çdo pretendim të agjencisë të lajmeve ruse TASS dhe të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se kinse ‘Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen terren për krimin….’”.

Agjencia e lajmeve ruse TASS ka raportuar më 18 shkurt se ministri Lavrov kishte deklaruar se Rusia po verifikonte raportimet se “mercenarët nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina po dërgohen në Donbas”.

Në reagimin e MPJD-së thuhet se me ligjet në fuqi, qytetarëve të Kosovës u ndalohet që të marrin pjesë në luftëra jashtë vendit.

“MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane”, thuhet në reagim.

Sipas MPJD-së, fushata e Rusisë kundër Kosovës dhe shteteve të tjera në Ballkanin Perëndimor, “ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë”.

MPJD tha se Kosova është në solidaritet me Ukrainën dhe dënon “politikën hegjemoniste dhe ekspansioniste ruse në dëm të shtetit sovran e të pavarur të Ukrainës”.

Në fund të dhjetorit, nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka shprehur gatishmërinë që komponentët e caktuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i vendosë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rast se kjo i kërkohet për ndonjë mision.

“Ajo [SHBA-ja] e di më së miri se cilët komponentë të FSK-së mund t’i angazhojë në task-forcën e saj, apo t’i integrojë në kuadër të forcave të NATO-s, në operacionet eventuale në mbrojtje të vlerave euro-atlantike – gjë që është edhe vizion dhe aspiratë e Kosovës”, deklaroi për REL-in, shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Sefer Isufi.

Kosova më herët ka bërë thirrje që qytetarët e saj që gjenden në Ukrainë të largohen, për shkak të rrezikut nga një pushim i mundshëm rus. Megjithatë, MPJD nuk ka treguar se sa është numri i shtetasve kosovarë që ndodhen në Ukrainë.

Shtetet perëndimore kanë shprehur frikën e tyre se Rusia po përgatitet që ta pushojë Ukrainën, pasi ka grumbulluar 190,000 trupa në kufijtë e këtij shteti. Në këtë shifër përfshihen edhe separatistët që mbështeten nga Ukraina, të cilët për tetë vjet po luftojnë me forcat ukrainase në rajonet lindore Donetsk dhe Luhansk, që njihen me termin Donbas. Rusia mohon se ka plane që ta pushojë Ukrainën./REL

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër (VIDEO)

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër (VIDEO)