Meri Hajati tregon ditët
e fundit të Marashit

Meri Hajati tregon ditët<br />e fundit të Marashit
TIRANE - Meri, bashkëshortja e Marash Hajatit, kjo zonjë e hijshme, e përmban pikëllimin për hir të mikpritjes. Psherëtin duke hedhur sytë nga biblioteka, pikturat, librat, fotografitë me kujtime në mure dhe thotë: “Eh si është jeta. Nuk mbaj mend tani se cili shkrimtar e pat shkruar: jeta është si puna e asaj pikës së ujit të nxehtë që kur e hedh në stufë avullon”.

“E ka shkruar Sterio Spase tek romani “Pse”, tha një ish-regjisor i kinostudios. Në shtëpinë e Hajatit dje bëheshin ngushëllimet për të shtatat e ditëve të ikjes nga jeta, siç është rituali shqiptar. Dera e Marash Hajatit në një nga pallatet e vjetra të Tiranës pranë Pazarit të Vjetër qëndron ende e hapur. Një grup njerëzish hynin e një grup dilnin.

Shtëpia e tij ishte tepër e vogël për të pritur vargun e gjatë. Marash Hajati paskej pasur, jo vetëm një fis të madh në Shkodër si djali i madh një shtëpie ku janë pesë vëllezër dhe një motër, por edhe miq të pafund, kolegë, fqinjë. Dhe ja një lum artistësh, regjisorë, valltarë, balerinë, etj, vinin pandërprerje nga Tirana dhe Shkodra.

Dje miqtë hynin e dilnin pareshtur në atë derë. Në atë hyrje të heshtur ngushëlluese, kuptuam se prapa këtij njeriu, që mbante një post jo pak të rëndësishëm në jetën e tij, fshihej një portet i panjohur i njeriut familjar e tejet miqësor. Marash Hajati paskej fshehur me humorin dhe bujarinë edhe thjeshtësinë e mirëqenies së tij, ku gjysma e aneksit të kuzhinës ishte bërë studio, gjysma sallon pritjeje.

Ish-drejtori “i kupolës” së madhe mediatike të komunizmit ka jetuar dhe ka krijuar në një hyrje shumë të vogël. Pjesa që i përkiste sallonit i kishte muret të veshura me rafte bibliotekash dhe piktura. Sende të thjeshta mikpritëse e të  vendosura me shije dhe nikoqirllëk na tregonin se kishim hyrë në shtëpinë e njeriut tepër idealist,por që ka kontribuar gjithë jetën në shoqërinë shqiptare.

NGUSHËLLIMET E ARTISTËVE


“Marashi kishte shumë humor”, thoshte një shok që e ka njohur që në rini. “Më shumë humor kishte vëllai i tij”, tha një ish-regjisor i Kinostudios. “Epo edhe Marashi humor të madh kishte, por duhej ta kontrollonte paksa për punën që kishte”, u hodh dikush tjetër, duke na rikujtuar se si drejtuesi i RTSH-së në komunizëm, humori mund të keqpërdorej ideologjikisht.

Këtu pati pak heshtje. Dhe një nga kolegët rrëfen: “Kam parasysh kur ishte drejtor. I shkonte ndonjë të spiunonte në zyrë. S’e duronte dot këtë gjë, sepse ç’kishte t’i thoshte vet në sy. Ditën tjetër i thërriste të dy personat duke i thënë atij që kishte folur. “Ma thuaj edhe njëherë atë që më the dje, si ishte puna, që të sqarohemi me ju të dy”. 

Zonja Meri, e dinit që Marashi do të ikte kaq shpejt?
Në të vërtetë jo. Dukej mirë dhe megjithëse ishte nën kujdes mjekësor ai shpresonte ende për jetën. Nisi të lëvizte vetë. Madje atë ditë më 28 mars m’u bë qejfi që kërkoi të ngrihej dhe të lëvizte pa ndihmën time. Besoi edhe vetë se ndihej më mirë. Por ndërsa afrohej mbrëmja ai më tha “Jam mirë jam, por dua të fle pak”.

Unë pata merak dhe nuk mund të flija ndërkohë. Dhe ndodhi papritur që ai merrte frymë me vështirësi. I thashë të ngrihej, nuk lëvizte. Ndoqa këshillat e mjekëve, të cilët më kishin thënë sesi ta përmendja në raste krize, por nuk funksionoi. Insulinën e bënte vetë. Ishte hera e parë që ia bëra unë me duart që më dridheshin, por ai iku.

Ka lënë gjëra të shkruara, të pabotuara. Ndonjë libër?
Ka shumë gjëra në dorëshkrim. Por unë tani nuk mundem t’i mbledh. Pas pak kohësh do t’i grumbulloj, sepse ai ka poezi, shkrime, ese. Duhet t’i shoh, t’i sistemoj se di që ka shumë gjëra në dorëshkrim. Marashi ka punuar shumë. Gjithë jetën e mbaj mend të përkushtuar, të shqetësuar për punën, për njerëzit.

Nuk pati kohë të qetësohej një çast dhe ja tani çfarë mbeti pas kësaj. Marashi ishte shumë i përkushtuar pas punën, pas familjes, pas librave. Jeta e tij ka qenë shumë aktive dhe detyrimi për të mos lëvizur nga sëmundja për të ishte një gjë shumë e rëndë.

Cilat qenë fjalët e fundit?
Nuk arriti të më thoshte gjë. Ndaj dua të mbledh shumë nga ato gjëra që ka shkruar. Di që janë shumë. Sepse ai shkruante më shumë për kënaqësinë e tij sesa për t’u dukur. Aty janë shprehur shumë dëshira dhe ëndrra të tij. Marashi nuk mendonte se do të ikte. Ai kujdesej me durim gjatë kurimit. Kishte shumë merak pastërtinë. Mund të them se ishte shumë steril në këtë pikë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve