Paris SG i ka thënë jo ofertës së parë prej 160 milionë eurosh nga Real Madrid për Kylian Mbappe pavarësisht se futbollisti ka refuzuar 3 oferta rinovimi, e fundit me 35 milonë euro pagë në sezon. Klubi francez po tregohet moskokëçarës edhe pse rrezikon ta humbasë 22-vjeçarin pa asnjë qindarkë verën e ardhshme kur edhe përfundon kontrata.
Mes Mbappe-s dhe Paris SG tashmë ka një mur të ngritur dhe sipas L’Equipe në Francë dhe AS në Spanjë marrëveshje mund të mbyllet për 200 milionë euro. Edhe nëse kjo ofertë vjen nga Reali i Madridit sërish nuk ka asgjë të sigurtë, pasi Paris SG preferon më shumë ta humbasë pa asnjë lek se sa ta shesë këtë merkato.
Ndërkohë zëvendësimi i Mbappe-s me Ronaldon për momentin duket i pamundur. Dëshira e 5 herë fituesit të ‘Topit të Artë’ është që të largohet me çdo kusht nga Juventusi, por Paris SG nuk është i interesuar për të. Kjo pavarësisht se vëllai i Al Kalaifit, presidentit të Paris SG, postoi një foto të portugezit me bluzën e parisienëve, njëjtë siç bëri para se të transferohej Messi.
Sipas raportimeve nga Italia dhe Anglia agjenti i Ronaldos Jorge Mendes po përpiqet të bindë Manchester City-t për të blerë 36-vjeçarin. Këta të fundit shpresojnë ende për Harry Kane, ndërsa Juventus e ka bërë të qartë se nuk heq dorë pa 30 mln euro për Ronaldon. Problem është edhe paga e Ronaldos që shkon 31 mln euro në sezon. Për momentin asnjë ofertë në klubin bardhezi për portugezin, por kur kanë mbetur edhe 7 ditë nga merkato opsioni i vetëm është Manchester City.
Të reja vijnë edhe për Interin, që më në fund ka bindur presidentin e Lazio-s për blerjen e Joachim Correa-s. Argjentinasi do meret në huazim për 5 milionë euro, ndërsa verën e ardhshme do paguhen 25 të tjera. Në vijim do të ketë edhe bonuese, ndërsa Lazio ka mbajtur një përqindje të kartonit. Me rëndësi mbi të gjitha është fakti se drejtori Marotta i përmbush një dëshirë trajnerit Inzaghi që Correan e kërkonte me çdo kusht, pasi e ka stërvitur te Lazio.