Paris Saint-Germain po përballet me probleme për të mbyllur përfundimisht blerjen e talentit francez Kylian Mbappe. Lajmi i bujshëm vjen nga Spanja, ku sipas “Chiringuito”, rregullat e “fair play financiar” kanë vënë në vështirësi parisienët, që kanë kohë deri më 27 gusht që të depozitojnë 180 milionë euro në arkat e klubit të Monaco, për ta kthyer huazimin e sezonit të kaluar në blerje përfundimtare. Çuditërisht nëse nuk ia del të paguajë këtë shifër, PSG do të detyrohet të heq dorë nga kampioni i botës me Francën.
Kjo ka ngjallur vëmendjen e klubeve më të mëdha të planetit, mes të cilëve Real Madrid. “Los Blancos” kanë bërë gati 180 milionë, për t’i paguar më 28 gusht, nëse 24 orë më parë, Parisi nuk arrin të plotësojë detyrimet financiare ndaj Monaco. “Los Blancos” janë në kërkim të zëvendësuesit të Cristiano Ronaldos, e kush më mirë se Mbappe do ta mbushte gropën që hapi largimi i portugezit.
Presidenti Florentino Perez ka patur gjithmonë objektiv brazilianin Neymar, por ish-sulmuesi i Barcelonës është i lidhur ngushtësisht me PSG-në. Paraqitja mbresëlënëse në Botëror është një tjetër arsye pse Reali do të preferonte Mbappenë, një sulmues i klasit të lartë, që mund të bëjë shumë më tepër në klubin mbretëror. 27 gushti po afron dhe Monaco po pret një valixhe me 180 milionë euro. Nëse PSG e ka të vështirë t’i gjejë, Reali është gati.
Mbappe eklipson Neymar.Performanca e shkëlqyer në Botërorin e Rusisë shpërblen Kylian Mbappe që tashmë kurorëzohet me statusin e fenomenit, e diçka të tillë e vërteton edhe fakti se 19-vjeçari francez ka eklipsuar edhe brazilianin Neymar që renditet vetëm i treti në klasifikimin e yjeve botëror të skenës futbollistike. Edhe pse sezoni i shkuar i pa të dy lojtarët e Paris Saint Germain me rezultate shumë pozitive, Botërori duket se bëri diferencime mes tyre.
Neymar nuk arriti të përmbushte pritshmëritë duke mos u shfaqur në nivelin e pritur prej tij, ndërkohë që Mbappe rezultoi të ishte një ndër më të mirët e evenimentit madhor duke u kurorëzuar edhe kampion bote me përfaqësuesen franceze. Krahas një fakti të tillë, kujtojmë se sulmuesi ka ndërruar edhe numrin e fanellës nga 29 në 7 duke realizuar ëndrrën për të ecur në gjurmët e ikonës së tij Cristiano Ronaldo, por që njëherazi e kthen Mbappen në protagonistin që monopolizon fasadën zyrtare të klubit kryeqytetas.
Nga ana tjetër Neymar, qëndron thuajse në hije bashkë me Thiago Silva, Marquinhos dhe Edinson Cavanin. Ky i fundit ishte idhulli i tifozerisë sezonin e shkuar edhe pse më pak i mediatizuar krahasuar me blerjet e bujshme të klubit, por falë sakrificave dhe golave fitoi mbështetjen e tifozerisë, të cilët qëndruan krah tij edhe në episodin që krijoi polemika të mëdha mes tij dhe Neymar. Sidoqoftë ndryshe nga viti i shkuar lufta për protagonistin është fituar nga Mbappe që është kthyer në emrin më të lakuar dhe që shet më shumë për klubin e sheikut Al Khealifi,e që zbeh automatikisht domincanën e Neymar që konsiderohej si princi i Parisit.
Di Maria drejt rinovimit
Angel Di Maria është një hap larg rinovimit. Kjo është ajo që shkruan gazeta franceze “Le Parisien”, sipas të cilës argjentinasi do të firmosë për Paris Saint-Germain deri në vitin 2021. Argjentinasi do të ketë të njëjtën pagë si aktualisht, por marrëveshja e tij do të shtyhet për dy vjet, nga viti 2019 deri në vitin 2021. 30-vjeçari zbarkoi në Europë si pjesë e Benfica në vitin 2007 dhe pas dy sezonesh në Portugali u transferua te Real Madrid, ku qëndroi katër vjet, luajti 124 ndeshje dhe shënoi 22 gola. Pas një sezoni të dështuar te Manchester United, shkoi te Parisi ku në 87 ndeshje ka shënuar 27 gola. Me kombëtaren e Argjentinës, ku ishte i pranishëm në Kupën e Botës, “Rusi 2018”, Di Maria numëron 97 ndeshje dhe 20 gola.
Blerja
Paris Saint-Germain po përballet me probleme për të mbyllur përfundimisht blerjen e talentit francez Kylian Mbappe, në vlerën 180 milionë USD. Nëse nuk ia del të paguajë këtë shifër, PSG do të detyrohet të heq dorë nga kampioni i botës me Francën.
Real Madrid
Kjo ka ngjallur vëmendjen e klubeve më të mëdha të planetit, mes të cilëve Real Madrid. “Los Blancos” kanë bërë gati 180 milionë, për t’i paguar më 28 gusht, nëse 24 orë më parë, Parisi nuk arrin të plotësojë detyrimet financiare ndaj Monaco.