Në përfundim të samitit të BE në Bruksel, Donald Tusk, kryetar i Këshillit Evropian gjatë një konference për shtyp, deklaroi atë që prej ditësh qëndronte pezull në ajër pas zgjedhjeve europiane. "Nuk kemi folur për emra të veçantë, por për procedurat në lidhje me emrin favorit për President të Komisionit Europian”.
Mos dakortësimi për një emër të përveçëm, ka nxjerrë në sipërfaqe dallimet mes Francës dhe Gjermanisë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, pretendon të drejtën e krerëve të shteteve dhe qeverive për të zgjedhur një emër pa iu nënshtruar rezultateve të zgjedhjeve evropiane, ndërsa kancelarja gjermane Merkel, të paktën zyrtarisht, vazhdon të mbështesë kandidaturën e Manfred Weber.
Për Macron, emra të tillë si Barnier, Timmermans dhe Margarete Vestagher, kanë më shumë përvojë dhe besueshmëri, krahasuar me Weber.
Mbi shpatullat e Tusk tani bie bara e paraqitjes së tre emrave për President të Këshillit Europian, Bankës Qëndrore Europiane dhe Përfaqësuesit të Lartë për politikën e jashtme të BE.
"Partia Popullore Evropiane është më e forta e Parlamentit Evropian, edhe pse nuk ka shumicën e nevojshme për të bërë zgjedhje. Megjithatë partnerët tanë duhet të tregojnë gatishmëri për kompromis”- tha Merkel gjatë një konference shtypi.
Disa indicie për një kandidat të mundshëm kanë rrjedhur prej kryeministrit portugez Antonio Costa, sipas të cilit Këshilli duhet ti propozojë Parlamentit kandidatë që gjatë karrierës të kenë mbuluar role qeveritar në nivel kombëtar ose ndërkombëtar. Pikërisht këto kushte duket se nxjerrin jashtë loje Manfred Weber dhe lënë derën e hapur për socialistin Timmermans dhe liberalen Margarete Vestagher.
Megjithatë, negociatat e gjata pritet të arrijnë një kompromis mbi emërimet në institucionet evropiane por mbi të gjitha për të shmangur një përplasje midis Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian. Shpresa është që në muajin qershor të ketë një emër kompromisi, por fragmentimi i spektrit politik dhe qëndrimet e udhëheqësve evropianë janë pasiguri e madhe./Përgatiti Ilir Çuçi