Konferenca e nivelit të lartë e Berlinit e  28 gushtit 2014, ringjalli në mendjet e shumë shqiptarëve shanset e humbura të Shqipërisë të dy vizitave të Kryeministrit Gjerman të Landit të Bavarisë Franc Jozef Shtraus më gusht  1984 dhe maj 1985. Me fuqinë e Kryetarit të partisë në pushtet në atë kohë në Gjermaninë Federale, Shtraus kishte rregulluar kredi shumë të favorshme për Shqipërinë e asaj kohe, në nivele 60-70 milionë dollarë, për zhvillimin e infrastrukturës rrugore të vendit.

Mendësia komuniste e qeverisë shqiptare të viteve 80-të të shekullit të kaluar prishi gjithshka. Tani gjendja është krejt tjetër. Qeveritë e vendeve të Ballkanit Jugperëndimor janë në garë me njëra-tjetrën, për të tërhequr investimet dhe kreditë gjermane. Por edhe qasja e qeverisë së sotme gjermane është e ndryshme. Edhe pse nevoja për zgjerim të investimeve gjermane, paraqitet e njëjtë me atë të 30 viteve më parë. Ekonomia e këtij vendi lokomotivë të Evropës së zhvilluar dhe shpëtimtar jo vetëm të Greqisë nga kriza e rëndë financiare dhe buxhetore që përfshiu kontinentin në vitet 2008-2012, por të të gjitha bankave të mëdha evropiane, është në zhvillim të plotë. Kapitali gjerman ka nevojë për hapësira dhe zgjerim përtej kufijve të Gjermanisë.

Qeveritë gjermane tradicionalisht kanë qenë në shërbim të interesave të ekonomisë së vendit të tyre, që sot rivalizohet si eksportuesi më i madh në botë vetëm nga Kina. Sigurisht, diplomacia ekonomike gjermane dhe çdo lëvizje tjetër në vendet evropiane ende jo në BE, kryhet nën emblemën e integrimit me familjen e madhe të BE-së. Por gjermanët do të ishin shumë të interesuar të merrnin në duart e tyre gazifikimin e plotë të Shqipërisë, që me vendosjen e tubacioneve të TAP, në më pak se 5-6 vjet mund të jetë një realitet i plotë. Për fatin tonë, qeveria e sotme gjermane sheh në qeverinë e sotme shqiptare një strukturë jo të kapur nga interesa personale biznesi dhe kërkon mundësi të plota bashkëpunimi. Kjo është arsyeja kryesore pse vjen Merkel së shpejti në Tiranë.

Frazeologjia integruese është një grumbull i bukur fjalësh e shprehjesh, por tek e fundit gjithsecili sheh interesin e vet. Kryeministri ynë i sotëm mund të jetë një dialogues me vlera, por qeveria gjermane kërkon të shohë seriozitetin e angazhimit të të gjithë qeverisë sonë. Ky angazhim nuk kufizohet vetëm tek klima më e favorshme që duhet t’u sigurohet si biznesit gjerman në Shqipëri, edhe investuesve të tjerë të huaj. Tani steka është ngritur më lart dhe qeveria e kapitali gjerman janë të tërhequr pas një tregu të Ballkanit Jugperëndimor që përmban  21 milionë banorë-Sërbinë, Kroacinë, Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kosovën- .

Është këtu që ata duan të adresojnë investimet dhe mallrat e tyre. Shqipëria do të duhet të luajë edhe rolin e galvanizuesit dhe lehtësuesit të tregtisë së lirë mes këtyre vendeve. Deri tani, ajo ka qene e tillë me fjalë, por duhet t’i hyjë detit me këmbë dhe të kalojë në nisma konkrete. Sfida e parë janë vetë marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë e Kosovës, aspak të lehta, sikurse mund të duken, dhe në disa raste të mëparshme, plot me ngecje e bllokime të rregjimeve të ndryshme doganore të të dyja vendeve.

Sfida duhet pasuar me një treg dhe destinacion unik të turizmit, pse këto vende janë shumë të ngjashem në tipet e turizmit që ofrojnë-të rërës dhe detit, të turizmit kulturor, malor, etj.-. Së fundi, dhe jo më pak e rëndësishme, Shqipëria duhet të japë prova se po lufton korrupsionin në nivelet më të larta. Kroacia e dy viteve më parë, e para hyrjes së plotë në BE, arrestoi ish-kryeministrin e saj, për një rast të provuar korrupsioni. Qeveritarët tanë të rinj vetëm sa me vullnet të plotë në muajt shtator 2013-janar 2014 dërguan disa dhjetëra dosje në prokurori.

Dhe këtu gjithshka filloi e mbaroi, duke mos treguar vijimësi dhe seriozitet në luftën ndaj korrupsionit. Ka qenë, për fat, muzikë tjetër ajo e luftës kundër krimit të organizuar dhe prodhimit të drogës tek ne. Por nuk mjafton. Qeveria Rama duhet të japë prova të tjera, për të parë agimin e një Shtrausi 3 me vizitën e konfirmuar të Kancelares Merkel në Tiranë. Por a i di Kryeministri ynë cilat janë këto prova?     


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)