Merkel uron Kurtin për detyrën e re: Me rëndësi dialogu me Serbinë! Erdogan: Rishiko vendosjen e ambasadës në Jerusalem

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, përmes një letre ka uruar Albin Kurtin për rizgjedhjen e tij si kryeministër i Kosovës.

Ajo shkruan se në detyrën e tij si kryeministër ka një punë sfiduese për të bërë sidomos në këtë periudhë pandemie dhe se mund të mbështetet te Gjermania si një partnere e Kosovës.

Kancelarja nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjen e “nxehtë” të dialogut me Serbinë, ku theksoi se Kurti duhet t’i kushtojë vëmendjen e duhur.

“Suksesi në këto fusha do të jetë çelës për të konkretizuar perspektivën evropiane të vendit tuaj.”, tha Merkel në fund.

Dy ditë më parë pas zgjedhjeve parlamentare më 14 shkurt, në Kuvendin e Kosovës me 77 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim është formuar qeveria e re, me kryeministër Albin Kurtin.

Letra e Kancelares Angela Merkel: 

 “I dashur Kryeministër

Ju uroj ngrohtësisht për rizgjedhjen tuaj si Kryeministër i Republikës së Kosovës!

Ju dhe qeveria juaj keni punë sfiduese përpara, në të cilat vendi juaj mund të gjëjë mbështetje te Gjermania si një partner.

Pandemia e Covid-19 kërkon veprim të paprecedent nga të gjithë ne. Me reforma, rend dhe ligj si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeveria juaj ka identifikuar reformat e rëndësishme të kërkuara. Dialogu me Serbinë për normalizim i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian gjithashtu kërkon vëmendjen tuaj.

Suksesi në këto fusha do të jetë çelës për të konkretizuar perspektivën evropiane të vendit tuaj.

Ju uroj çdo sukses në punët tuaja.

Me respekt

Angela Merkel

Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:16
Erdogani i dërgon letër urimi Albin Kurtit: Rishiko vendosjen e ambasadës në Jerusalem

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë një letër urimi edhe nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pas marrjes së detyrës së re.

Në letrën e urimit, Erdogan ndalet te çështja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke thënë se kjo duhet të rishikohet “brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”.

“Nga ana tjetër, pasi që e di se edhe ju keni gjithashtu shqetësime në lidhje me çështjen e Ambasadës së Kosovës, hapja e së cilës është njoftuar se është bërë në Jerusalem, mendoj se do të ishte e dobishme për qeverinë tuaj të rishikonte këtë çështje brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në letër.

Mes të tjerash, Erdogan ka vlerësuar edhe përfshirje e Partisë Demokratike Turke të Kosovës në qeverinë e Kosovës, duke e konsideruar tregues vëmendje dhe prioriteti ndaj Turqisë.

Kjo është hera e dytë që Erdogan i bën këtë kërkesë Albin Kurtit, pasi një të tillë ia adresoi edhe para hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Ndërkohë, Turqia reagoi ashpër pas hapjes së ambasadës, duke e konsideruar atë një hap të papërgjegjshëm dhe të paligjshëm.

Hapja e Ambasadës në Jerusalem ishte pjesë e marrëveshjes së katër shtatorit që u arrit në SHBA mes Kosovës dhe Serbisë.

Ora 11:04
Kurti bisedë telefonike me senatoren amerikane Ernst: Përkrahëse e palëkundur e Kosovës, FSK po shndërrohet në ushtri profesionale

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter ka bërë me dije se ka zhvilluar një bisedë telefonike me senatoren amerikane, Joni Ernst.

Ai shkruan se Ernst ka qenë gjithmonë një përkrahëse e palëkundur e Kosovës në Senatin e SHBA-së.

Kurti shtoi gjithashtu se ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e Forcave tona të Sigurisë, të cilat po transformohet në një ushtri profesionale duke punuar krah SHBA për promovimin e paqes dhe stabilitetit në botë.

Ora 09:59
Kurti bisedë telefonike me kancelaren Merkel, fokusi te pandemia e COVID-19, integrimi në BE dhe dialogu me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel ku diskutuan rreth disa çështje të rëndësishme.

Kurti ka bërë me dije se kanë diskutuar lidhur me situatën e pandemisë së COVID-19, procesin e integrimit në BE dhe dialogun me Serbinë.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, ai ka shtuar se kancelarja ka ofruar mbështetjen e Gjermanisë në luftën kundër korrupsionit dhe programit të reformave.

Kurti është shprehur gjithashtu se kanë rënë dakord për një dialog të udhëhequr nga qeveria me Serbinë për të normalizuar më tej marrëdhëniet dhe për të hequr të gjitha pengesat jo-tarifore.

Biseda telefonike mes dy krerëve të shteteve ka ardhur pas letrës së urimit të Kancelares për detyrën e re të Kurtit si kryeministër i Kosovës.

J.GJ./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 26/03/2021 03:28

    GO FACK YOURSELS ERDOGAN ,DICTATOR OF TURKEY,KOSOVO IS NOT YOUR DOMAIN !!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Zbulohet identiteti i autorit të masakrës në Magdeburg: Psikiatër saudit anti-islam, fans i AfD-së dhe Elon Muskut

Zbulohet identiteti i autorit të masakrës në Magdeburg: Psikiatër saudit anti-islam, fans i AfD-së dhe Elon Muskut