Hoti i dorëzon detyrën! Mblidhet Qeveria ‘Kurti 2’, Kryeministri: Pres planin për menaxhimin e pandemisë dhe të ringjalljes ekonomike

KOSOVË- Pas zgjedhjeve parlamentare më 14 shkurt, në Kuvendin e Kosovës me 77 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim është formuar qeveria e re, me kryeministër Albin Kurtin.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, shkruan se në detyrën e tij të re do të jetë i përulur përpara detyrave dhe se ky është një kapitull i ri për njerëzit e Kosovës.

“Të përulur përpara detyrave, ne shënojmë fillimin e një kapitulli të ri për njerëzit në Kosovë. Le të mos pajtohemi dhe le të debatojmë ashpër për të drejtën dhe drejtësinë, por nuk do të dështojmë kurrë të bashkohemi në të mirën e vendit tonë. Puna fillon tani.”, shkruan ai.

Pasi është zgjedhur kryeministër i Kosovës, ai ka shpalosur programin qeverisës duke bërë me dije se prioritet do të jetë pandemia e COVID, ku premtoi se 60% e popullsisë do të vaksinohet brenda 1 viti, ndërkohë që ka bërë publike edhe emrat e ministrave.

Në fjalën e tij në Kuvend, Kurti tha se nga 15 ministra, 8 janë nga Lëvizja Vetëvendosja dhe 1/3 janë gra.

Sipas protokollit shtetëror, ditën e sotme, ish-kryeministri Avdullah Hoti, do t’i dorëzojë detyrën kryeministrit të zgjedhur Albin Kurti.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:46
Vuçiç: Mesazhe të këqija për serbët nga Qeveria e re e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, tha se fakti që serbët nuk kanë marrë dy pozita ministrore në qeverinë e re të Kosovës është një “mesazh i keq”. Kjo, sipas tij, përbën “shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës”.

Më 22 mars, u konstituua Kuvendi i ri dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në përbërjen e qeverisë së re, për Listën Serbe, është ndarë udhëheqja e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Kushtetuta e Kosovës parashikon një ministër nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera jo-shumicë. Nëse qeveria ka më shumë se 12 ministri, siç është rasti me kabinetin e ri, Kushtetuta e Kosovës thotë se ajo duhet të ketë një ministër të tretë për të përfaqësuar komunitetet jo-shumicë në Kosovë.

Përveç ministrit nga komuniteti serb, qeveria e re e Kosovës ka dy ministra nga komunitetet e tjera jo-shumicë. Ministër për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, dhe ministër i Administrimit të Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi, nga radhët e komunitetit egjiptian. Emilija Rexhepi nga komuniteti boshnjak është emëruar zëvendëskryeministre për Çështje të Pakicave dhe Të Drejtat e Njeriut.

Në lidhje me ndarjen e ministrive për komunitetet jo-shumicë ka reaguar edhe subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe. Para votimit të qeverisë nga ana e Kuvendit të Kosovës, deputeti i këtij subjekti politik, Igor Simiq, tha se qeveria Kurti nuk do ta ketë mbështetjen e tyre.

Sipas tij, Listës Serbe i takojnë dy ministri, meqenëse, ajo i ka 11 deputetë. Simiq tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit që janë mbajtur në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë.

Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës./ REL

Ora 12:50
Mblidhet Qeveria ‘Kurti 2’, Kryeministri: Pres planin për menaxhimin e pandemisë dhe të ringjalljes ekonomike

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka mbajtur mbledhjen e parë të Qeverisë “Kurti 2”.

Ai tha se do të jetë bashkëpunues në çdo kohë dhe se pret nga ministrat që të vijnë me propozime konkretë dhe me vendime për probleme që i kanë evidentuar vitet e kaluara.

“Nga zyra ime do të ketë bashkëpunim në çdo kohë por do të ketë edhe veprim. Qytetarët presin punë dhe angazhim dhe përfaqësim. Në ditët në vazhdim pres nga secili nga ju që të vini me propozime për vendime konkrete që i keni parë ndër vite. Unë besoj në dijet dhe kapacitete tuaj po tani ka ardhur koha që t’u tregojmë edhe qytetarëve që emërimi juaj në këto pozita është meritor. Le të punojmë me nder dhe përgjegjësi. Këtë javë do të takohemi në mbledhjen e punës ku do të marrin vendimet e nevojshme siç e parasheh ky kabinet i yni qeveritar”, tha Kurti.

Kurti tha se përveç veprimeve urgjente për menaxhimin e pandemisë, duhet tw krijohet një plan konkret për ringjalljen e ekonomisë.

“Përtej veprimeve urgjente nevojitet edhe menaxhimi i pandemisë. Duhet të  veprojmë shpejt që të ndalim humbjet financiare nga kompanitë publike por dhe të ndalim recensionin ekonomik, duke ndihmuar sektorin privat që të shpëtojnë vendet e punës dhe prodhimin …. Pres që në tavolinën time të vijë urgjent si plani për menaxhimin e pandemisë, po ashtu edhe plani për ringjalljen ekonomike”, tha Kurti.

 

Ora 11:59
Kurti zgjidhet kryeministër i Kosovës, Lajçak: Urime! BE gati të lehtësojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka shprehur urimin e tij për kryeministrin e zgjedhur të Kosovës Albin Kurti.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, ai shkruan se Bashkimi i Evropian është gati të lehtësojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ora 11:56
Zhvillohet ceremonia, Hoti i dorëzon Kurtit detyrën e kryeministrit

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka dorëzuar detyrën kryeministrit të ri të vendit, Albin Kurti.

Ceremonia e pranim-dorëzimit është bërë në Kuvendin e Kosovës.

 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni