Mero Baze: Ai i vuri flakën PD, ju i bëni gjyq pse dogji dhe PS

Mero Baze: Ai i vuri flakën PD, ju i bëni gjyq pse dogji dhe PS

Foto nga protesta e Opozitës, 7 tetor 2024

Shikoj shumë komente serioze pas ditës së djeshme, që e konsiderojnë një ngjarje të rëndë djegien e selisë së Partisë Socialiste nga çeta e Berishës. E konsiderojnë të rëndë, pasi përveçse është e pangjarë ndonjëherë në historinë politike të një vendi, është dhe një shenjë gangsterizmi primitiv, pasi duke tentuar djegien e shtëpisë së kundërshtarit, ke prishur çdo rregull loje.

Por ndaloni, mos nxitoni të gjeni arsye tek Sali Berisha, për t’i përdorur si pengesa në rrugën e tij për pushtet. Nuk ka gjetur ndonjë tjetër para nesh që kërkojmë tani që ai është tetëdhjete vjeç dhe pret në majë të penxheres të nusërojë për herë të tretë.

Për të gjithë ata që janë të shqetësuar pse u dogj selia e PS, ktheni kokën dy vite më pas dhe shikoni si i vuri flakën selisë së PD, selisë së partisë së tij, vetëm se e sfidoi kryetari në detyrë i saj, pasi u shpall “non grata” nga SHBA për korrupsion madhor familjarisht, për minim të demokracisë dhe shantazhim të sistemit të drejtësisë.

Mblodhi banditë, makina të blinduara, shkallë metalike, qysqi dhe vare, molotovë dhe tymuese, dhe ju turr mureve të SHQUP, si osmanët kalasë së Skënderbeut, për ta pushtuar me dhunë.

Në historinë e politikës shqiptare, por as botërore, rrezik se do gjeni një shembull të dytë, që një politikan i cili vet mbahet si themelues dhe baba i asaj partie, edhe duke ikur në botën tjetër, ka rrëmbyer urat e zjarrit për të djegur selinë e partisë së tij vetëm nga makthi se do t'ia merrnin pasardhësit që vet i kishte emëruar

Tani ai nuk mund t’ia linte vetes këtë turp që të hynte në histori si njeriu që ka djegur vetëm selinë e partisë së tij. Së paku e balancoi duke djegur dhe selinë e partisë kundërshtare. Tani së paku është më i qetë.

Ka të tjerë që ankohen se ai mërziti qytetarët, pasi disave u rrezikoi jetën, një gruaje i pamundësoi lindjen normale, një ambulance i zuri rrugën etj.

Po shikoni pak se ç 'bën me militantët e vet dhe pastaj ankohuni për të tjerët. A e pat se si një protestues i moshuar për pak u përfshi nga flakët e molotovëve që vajza e tij dhe shokët e saj e hodhën mbi policët për t’i djegur të gjallë. Dhe ata në përpjekje për t’u mbrojtur e shtynë dhe desh e dogjën të moshuarin.

E dëgjoni se çfarë thonë nga pas? Akuzojnë policinë që desh e dogji me molotov. A thua policët kishin shkuar aty me molotovë në duar dhe këta me trëndafila, dhe policët u hodhën molotovë. Pikë mëshire nuk kanë pse i rrezikuan jetën atij plakut, por janë të shqetësuar pse molotovi shkoi dëm dhe nuk dogji policin.

I keni parë sot se si policia ka shpall dhjetëra militantë në kërkim dhe disa të tjerë i ka ndaluar dhe janë në komisariate? Do humbasin ditë të tëra aty për të mos thënë muaj, duke u marrë me drejtësinë. Shumë prej tyre mund të jenë dhe hallexhinj të dëshpëruar. Flamur Noka do flejë rehat në një pallat me Shkëlzenin tek Liqeni, ndërsa ata do enden qelive e dyerve të gjykatave.

E si ti kërkosh tani llogari Berishës, pse u prish qetësinë qytetarëve, pse i zë rrugën makinës së gruas shtatzanë, kur ai vet ushtarët e tij që po i keqpërdor, po i lë rrugëve, në mëshirë të fatit.

Dhe në fund kur mendoni vërtet se Berisha ka dashur të poshtërojë PS dhe institucionet, mendoni se çfarë i ka bërë Partisë Demokratike. I ka vënë në krye Flamur Nokën.

Mendoni vetëm një moment se si Tirana apo Shqipëria, të shikojë tek fytyra e Flamur Nokës, të ardhmen e saj, mendoni se si studentët apo të rinjtë shqiptar të shikojnë tek fytyra e tij modelin që duhet të ndjekin, mendoni një moment se si inteligjenca shqiptare të shikojë tek ai shpresën për ta zhvilluar Shqipërinë, ish- të burgosurit politikë ta konsiderojnë dhe atë të burgosur vetëm se ka bashkëbiseduar në vitin 1991 disa javë me operativin e UDB në Prizren dhe e ka rikthyer të vazhdojë jetën në Shqipëri, dhe pastaj nuk ka nevojë të ngrini pyetjen pse një parti me 1 milionë e 200 mijë vota më 1992, u katandis dje më 1200 vetë pas Flamurit.

Po kush mund ta poshtëronte PD më shumë se sa Sali Berisha me këtë akt?

Edhe armiku më i egër i PD, nuk e shkon në mendje ta ketë partinë rivale me një idiot të këtyre përmasave në krye të saj. Mes të tjerash, askush nuk do rivalë kaq idiotë, pasi ul dhe fyen dhe veten duke e pasur rival.

Por Sali Berisha, nën paranojat se ja marrin ende pa vdekur partinë, e ka guximin ta poshtërojë PD përtej ëndrrave të kundërshtarëve të saj, për shkak se ai mbi gjithçka, nuk ka as Shqipërinë, as partinë, por vetëm pushtetin.

Ndaj mos i bëni gjyq se çfarë i bën PS. Shikoni çfarë po i bën PD dhe të vetëve, dhe lëreni të ngrysë jetën si armiku më i madh i PD, dhe aleati më i madh i PS.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alfred: 08/10/2024 21:33

    Në kërkim një farë Ivzi Bushati, a mendoni që ky kodosh është në një moshë rreth 70 vjeçare , një ish mësues në kohen e diktaturës, në pushtetin e salës rreth vitit 92 katapultohet komandant i ndërhyrjes së shpejtë në Shkodër dhe bëhet oficer i larte pa asnjë llogjikë dhe pa asnjë meritë dhe sot mbas shumë vitesh fshihet si mi para policisë dhe shpallet në kërkim për gansterizmin e tij dje në protestë, medet keto vemje jetojnë mbi dhe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor/ Kosova shpreh rezervat, Osmani: Pse nuk dënohet agresioni dhe terrorizmi i sulmit në Banjskë?

Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor/ Kosova shpreh rezervat, Osmani: Pse nuk dënohet agresioni dhe terrorizmi i sulmit në Banjskë?