Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Helena Kaçe

Dëgjova shumë komente dhe mbi të gjitha komentin e kryeministrit Rama për fjalimin e një vajze të re të quajtur Helena, përmes të cilës donte t’u thoshte “rivalëve” në PS të mos lodheshin kot, se ai do dilte në pension kur të bëhej gati Helena për kryetare të PS.

Ishte një gjetje e mirë për t’u thënë të mos ziheshin për pasardhësin. Por meqë kam shumë vite mbi supe duke u marrë me politikën shqiptare dhe Helena është moshatare e fëmijëve të mi, ja lejoj vetes t’i jap disa këshilla.

Guximi për të lexuar një tekst aq të mirë, në atë moshë, ndonjëherë të bëhet problem gjithë jetën, pasi të mbush mendjen se fati është në anën tënde, dhe ti tani do bësh karrierë politike.

Kjo vlen për vendet me traditë në karrierën politike. Madje vlente dhe në komunizëm. Por më beso që nuk vlen në këtë Shqipërinë tonë politike. Në këto 34 vjet pluralizëm, ata që i kanë mbijetuar karrierës politike janë një pakicë anekdotike, përveç kryetarëve të partive. Ata po. Ato nuk ikin dhe mos ikjen e konsiderojnë karrierë.

Këtu as kryetari i shoqatës së gjuetarëve nuk ikën, as kryetari i shoqatës së ujërave, as kryetari shoqatës të verbërve, nëse nuk vdes.

Kush është zgjedhur më 1991 nuk ikën nga posti për shkak të karrierës. Ikën nga mosha, ose arsye të tjera, jo politike, siç është tani drejtësia.

Prandaj harroje atë tekst që lexove aq bukur. Mos e merr seriozisht se do çosh dëm pjesën më të bukur të jetës tënde.

Dil me shoqet e shokët e tu, bë jetën tënde si e re e lirë në këtë vend, përpiqu të bësh një shkollë të mirë përveç Akademisë Politike të PS, që ka emrin e një dëshmori në moshën tënde, që me gjasa e vranë shokët e vet komunistë.

Dhe kur ti bësh gjithë këto, përpiqu të bësh një punë serioze. Sidomos përpiqu të kesh një zanat që të bën të pavarur nga politika në çdo kohë.

Politikani nuk është zanat në Shqipëri. Është argat!

Nëse dikush të zgjedh të bësh punë si politikan, dhe ti e ke me qejf, quhet fat. Përndryshe mos u dëshpëro, se nuk ja del dot të bëhesh përmes karrierës.

Nuk ka shembuj karriere politike në Shqipëri, nga të rinjtë që ja dalin vetë. “Mjaft” ka qenë grupi më i suksesshëm të cilët në momentin që shumica u shkrinë me PS, dhe një pjesë me PD, humbën identitetin e tyre dhe shumica kanë përfunduar si mish për qentë e politikës.

Prandaj mos e merr seriozisht fjalimin tënd. Kjo ka shumë rëndësi për të ardhmen tënde dhe të brezit tënd.

Mos merr seriozisht as parashikimin prej orakulli të Edi Ramës, që do të jesh kryetare e ardhshme e PS.

Nuk e kishte me ty. E ka me ata që ka në pushtet, që kacafyten me njëri- tjetrin, sikur është hapur lajmi që ai do vdesë pas gjashtë muajsh e duhet një kryetar i ri. Është duke u thënë që do të jem gjatë këtu, derisa të rritet kjo vajza.

Kjo mund të të kthehet më shumë në fatkeqësi se sa në fat në politikë. Prandaj injoroje! Është pak a shumë si fotografia e mikut tim Fatmir Xhafaj me Enver Hoxhën në vitet ’80, në një nga parakalimet e fundit të festës së 1 Majit. Akoma nuk i ndahet si fatkeqësi sa herë duan ta sulmojnë.

Të siguroj se dhe ai ka ndenj pa gjumë disa ditë me siguri pas asaj fotoje, duke menduar që tani do niste karrierën dhe ajo foto mund ta ndihmonte në jetë. Vetëm sherrin i ka parë asaj fotoje.

Dhe së fundmi, dua ta të them se shembulli më i mirë i gjithë këtyre që të them është Kongresi i sotëm.

Unë që kam 34 vjet që shkruaj çdo ditë për politikën, si rrallëkush në këtë vend, nuk i njihja tre drejtorët që u bënë ministra. Ata mund të jenë më të mirë se ata që zëvendësuan, por një ditë më parë nuk i njihja.

Kjo do të thotë që nuk vlen marrja me politikë, nuk vlen karriera politike, nuk vlen kontributi politik për t’u bërë dikush, qoftë ministër, deputet, e aq më shumë kryetar partie.

Rri e qetë se fati mund të trokasë papritur dhe mund të bëhesh dhe deputete, dhe kryeministre, dhe presidente.

Shumica e këtyre posteve në këtë vend, janë kryesisht aksidentale. Kemi bërë presidentë me zor, kryeministra me zor, deputetë me zor, ministra me zor. Vetëm kryetar partie s’kemi bërë me zor. Ata as i kemi hequr dot me zor. E ke shembullin e atij plakut në penxhere.

Ndaj merre qetë. Harroje atë fjalimin. Po qe se fati është me ty, do të trokasë në derën tënde. Por mos e merr seriozisht t’ia arrish përmes karrierës. Nuk ka funksionuar deri më sot. Fundi i Kongresit ishte kundër fjalimit tënd.

Vetëm nëse ti e vret këtë Kongres, e vret këtë fjalim, dhe këtë kryetar që të premtoi stafetën, atëherë mund ta bësh vet fatin tënd.

Por unë nuk shpresoj se do të arrij ta shikoj këtë gjë të ndodhë.Tema

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Elbasan/ Burri plagosi me thikë ish gruan, arrestohet, 48 vjeçarja dërgohet në spital (EMRI)

Elbasan/ Burri plagosi me thikë ish gruan, arrestohet, 48 vjeçarja dërgohet në spital (EMRI)