Mero Baze: Dy paqartësitë e PD për Perëndimin dhe Salianjin

Mero Baze: Dy paqartësitë e PD për Perëndimin dhe Salianjin

Partia Demokratike ka dy qëndrime paradoksale lidhur me zhvillimet që pretendon se do ketë pas burgosjes së deputetit Salianji.

Paradoksi i parë ka të bëjë me gjysmë të vërtetat që thonë për burgosjen e tij. Kur flasin në publik dhe duan ta banalizojnë ndëshkimin ligjor, thonë se ai u akuzua se tha që vëllai i Fatmir Xhafajt është kapur me drogë në Itali. 

Ai fakt i njohur botërisht është publikuar në gazeta në Shqipëri dhe nuk është ndonjë heroizëm ta rithuash më 2014 apo 2024.

Nuk është dënuar njeri për këtë gjë.

Ervin Salianji është dënuar se ka fabrikuar fakte për të akuzuar vëllain e Fatmir Xhafajt se po merrej me trafik droge më 2018. Kjo çështje ka shkuar në gjykatë dhe për këtë është dënuar. Aktori që ka bërë zërin si vëllai i Fatmir Xhafajt ka pranuar se është rekrutuar nga Salianji për këtë gënjeshtër. Kaq. Pastaj referojuni Kodit Penal.

Dhe këtu lind paradoksi.

I mbeturi si kryetar partie në PD, Flamur Noka, pranoi dje në një deklaratë publike se për këtë manipulim fajin e ka Lulzim Basha, se ai e ka futur Salianjin ta bëjë atë manipulim.

Pra PD pranon që ka pas një akt zyrtar të saj për të krijuar një ngjarje imagjinare, dhe për këtë, si për çdo të keqe që i ka ndodhur PD pas 2013, fajin e paska Luzlim Basha.

Po mirë. Ky është një kallëzim i ri. Flamur Noka para se të mbrojë Salianjin si ushtar të Lulzim Bashës, le të shkojë të denoncojë Lulzim Bashën për këtë. Të bëjë dhe ai një kallëzim. Por kujdes se kallëzimi i rremë merr ndëshkim ligjor.

Ndaj PD duhet ta ndajë mendjen kur mbron Salianjin. Se njëherë thotë është i pafajshëm s’ka bërë asgjë, njëherë thotë ka falsifikuar, por e ka shtyrë Lulzim Basha. Nëse është kjo e dyta, natyrisht quhet fakt i ri dhe mund të gjykohet, por ajo e para që Salianji është dënuar se ka thënë që vëllai i Fatmir Xhafajt është arrestuar për drogë, nuk është fakt që është gjykuar. Ajo nuk është shpifje. Ajo është vepër penale që njihet dhe për të cilën ai ka marrë dënimin në Itali.

Prandaj duke dashur ta mbrojnë Salianjin, po e zhysin atë dhe veten në një gropë më të thellë.

Së dyti, ka të bëjë me qëndrimin ndaj diplomatëve perëndimorë dhe qëndrimeve të tyre.

Pas arrestimit të Salianjit, PD vendosi të niste mosbindjen civile, madje gjithë portalet afër saj shpallën si armiq kryesorë dhe diplomatët perëndimorë, të cilët i konsiderojnë mbështetës të qeverisë. Kjo nuk është e vërtetë, por sidoqoftë ata i futën në listën e armiqve. Madje është qesharake, por drejtuesi i medias private të familjes Berisha dha dhe urdhër që të djegin Parlamentin, dhe deputetët e zbatuan.

Të tjera media që identifikohen me Berishën bënë thirrje që tani e tutje ata që dëgjojnë perëndimorët e Tiranës duhen hequr nga listat e deputetëve.

Sot shumica e përfaqësive diplomatike perëndimore në Tiranë kanë reaguar ashpër ndaj zjarrit në Parlament dhe kanë dënuar dhunën.

Për çudinë time, po shikoj që gjithë lidershipi i opozitës, që nga Berisha si antiperëndimor e deri tek Gaz Bardhi si properëndimor, por dhe vet ata që bënë thirrje të distancohen nga Perëndimi, i kërkojnë llogari diplomatëve pse nuk janë dakord me zjarrin e opozitës kundër Perëndimit, qe na solli reformën ne drejtësi.

Tani ndajeni mendjen, do bëni luftë kundër Perëndimit apo doni që Perëndimi të mbështesë luftën tuaj kundër Perëndimit.

Por me një kryetar non grata nga dy shtetet më të mëdha dhe më të rëndësishme të Perëndimit dhe me një politikë të qartë antiperëndimore, nuk e di se si mund të kërkosh mirëkuptimin e Perëndimit për një betejë antiperëndimore.

Kjo më së paku tregon se PD nuk e ka ndarë dot mendjen as me kë do luftojë, as si do luftojë, dhe mbi të gjitha as si ta mbrojë Salianjin e më pas Berishën, Metën e me radhë.

Edhe i konsiderojnë ato viktima të Reformës në Drejtësi që është investim i Perëndimit, dhe i kërkojnë Perëndimit t’i mbështesë kundër Reformës në Drejtësi.

Natyrisht nuk pres që këto gjëra t’i kuptojë Flamuri, se falë zotit ai nga budallallëku thotë dhe të vërteta si ajo puna e manipulimit të Salianjit, por prisja që PD të gëzohej sot që më në fund kishte shqetësuar Perëndimin. 

Por për çudi të gjithë, që nga Berisha, që Perëndimi i ka prishur gjakun dhe i kë përdhosur gjithë historinë politike dhe nderin e familjes, dhe deri tek këta të tjerët që nuk kuptojnë asgjë, ishin të shqetësuar pse nuk kanë Perëndimin me vete, kundër Perëndimit.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës