Mero Baze: Kurti po mbjell frymën antiamerikane në Kosovë, Vuçiç po shpëton prej tij nga skandalet e brendshme! Të dy mbajnë njëri-tjetrin

Mero Baze: Kurti po mbjell frymën antiamerikane në Kosovë, Vuçiç po shpëton prej tij nga skandalet e brendshme! Të dy mbajnë njëri-tjetrin

Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti

Botuesi i gazetës TemA, Mero Baze është tallur me këshilltarët tiranas të kryeministrit Albin Kurti, duke i krahasuar ata me Sejdo Bajramoviç, që Milosheviçi e mori nga komuniteti rom I Kosovës dhe ja caktoi Kosovës si përfaqësues të Kosovës në Presidencën e Jugosllavisë pas shuarjes së autonomisë më 1990. Sipas tij, ata janë si mbetje toksike, të cilëve duhet gjetur vendi për ta shpëtuar mjedisin nga helmimi.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Baze ka vlerësuar se Kurti i ka gjetur të ngjashmit e tij në Tiranë, ngase ai nuk beson tek njerëzit nga Kosova. Baze ka dënuar gjuhen e tyre ndaj aleatëve të Kosovës, duke shtuar se çdo mesazh i tyre është mesazh lufte i shtetit të Kosovës ndaj SHBA-së. Sipas tij, ata janë si mbetje toksike, të cilëve u duhet gjetur vendi për ta shpëtuar mjedisin nga helmimi. Në këtë intervistë të gjatë, gazetari i njohur shqiptar ka folur edhe për draftin e kryeministrit Edi Rama për Asociacion.

Ai ka thënë se në këtë rast kryeministri shqiptar ka bërë detyrën e tij, pasi Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë bazohet në aleancën me Perëndimin. Pa alencën me Perëndimin Shqipëria nuk mbron dot as shtetin e saj dhe as Kosovën. Kush e prish këtë alencë është armik I kombit shqiptar. Duke komentuar kritikat që Rama ka marrë në Kosovë për këtë propozim, Baze ka thënë se këshilltarët e Albin Kurtit ndjehen të tradhtuar pse Edi Rama nuk ka mbështetur marrëzinë e kryeministrit kosovar.

Nacionale: Z. Baze, kryeministri Edi Rama ka treguar se tashmë ka dërguar në Gjermani dhe Francë një draft-statut për formimin e Asociacionit. Si e keni parë këtë veprim të Ramës?
Baze
: Shqipëria ka detyrim shtetëror të jap kontributin e saj për Kosovën në çdo rrethanë dhe në çfarëdo pozite që gjendet ajo, duke respektuar orientimin euroatlantik të Shqipërisë, si korniza më e rëndësishme e Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë. Siguria Kombëtare e Shqipërisë bazohet prej vitit 1992 tek orientimi saj euroatlantik, që nënkupton, se ne nuk mund të jemi të sigurt si popull, si shtet por dhe si komb, nëse nuk kemi aleancë me perëndimin. Duke respektuar këtë kornizë të Sigurisë Kombëtare, Shqipëria e ka detyrë të ndërhyjë në një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Perëndimit për ta mbajtur Kosovën në shinat euroatlantike. Të njëjtën gjë duhet të bëj dhe Kosova me Shqipërinë. Nëse çmendet kryeministri i Shqipërisë dhe i shpall luftë Perëndimit, Kosova duhet të distancohet. Ibrahim Rugova është pat distancuar nga Sali Berisha në vitet 1996 e më pas pikërisht për shkak të konfliktit të Berishës me SHBA dhe Perëndimin në tërësi, për të mos dëmtuar Kosovën. Shqiptarët nuk mund të ndjehen të sigurt po nuk ishin në aleancë me Perëndimin. Shqipëria po ja kujton këtë dhe Kosovës.

Nacionale: A mund të konsiderohet kjo si një përzierje e Ramës në punët e brendshme të Kosovës?
Baze
: Ky debat nuk do të ekzistonte sikur Edi Rama dhe Albin Kurti të kishin raporte personale të qëndrueshme dhe të sinqerta. Nuk i kanë ndaj dhe shtrohet kjo pyetje. Nuk shtrohej kjo pyetje kur ishte President Hashim Thaçi, fjala vjen. Edi Rama nuk po përfshihet në agjendën politike të Albin Kurtit. Nuk po konkurron në zgjedhje në Kosovë, nuk po i propozon reforma fiskale apo partneritete politike brenda Kosovës. Meqë çdo këshillë e tij për Kurtin mund të keqpërdorej në Kosovë, ai thjesht u ka rekomanduar faktorëve ndërkombëtarë qëndrimin e Shqipërisë. Ai qëndrim nuk është as detyrues, as imponues për askënd. Kurti dhe Vuçiq mund ta grisin e ta hedhin në kosh. Por para se ta bëjnë këtë duhet të shkruajnë secili nga një draft që ky problem të zgjidhet. Nuk e shkruan asnjëri as tjetri. Edi Rama thjesht ka bërë detyrën si përfaqësues i shtetit shqiptar, ka angazhuar ekspertët më të mirë ndërkombëtarë për të bërë një të tillë.

Interesi i Vuçiçit dhe Albin Kurtit është që ai problem të mbetet i ngrirë dhe të mos zgjidhet derisa të jenë ata në pushtet. Ata duan të qëndrojnë në pushtet duke mos e zgjidhur atë problem dhe duke justifikuar me atë gjithë dështimet e tyre. Mjafton fakti që sapo nisi konflikti në veri, Aleksandër Vuçiç i cili ishte në pikën më të ulët të popullaritetit të tij, përmirësoi sondazhet në Beograd fal dhuratës së Albin Kurtit. Nga ana tjetër Albin Kurti që nuk po qeverisë Kosovën fare, por me merret me krizat e shpikura prej tij, shpreson se do mbijetoj në zgjedhje si patriot i rremë. Kjo është arsyeja që nuk duan të zgjidhin. Njeri i rraskapitur nga protestat tjetri nga rënia e vazhdueshme e gjeten shpëtimin tek njeri tjetri. Problemi që ka Kurti me ndërkombëtarët është se u tregon atyre histori me letërsinë ruse, se si Dostojevski, ka shkruar romanin “Idioti” dhe ka pas parasysh Vuçiçin, ndërkohë që ata presin një draft jo leksione për letërsinë ruse. Edi Rama thjesht u ka treguar Bashkimit Evropian dhe SHBA se interesi kombëtar i shqiptarëve është të jenë në anën e tyre. Nëse Kurti ka ndonjë opsion tjetër kundër perëndimit, atëherë lirshëm mund të quhet se Shqipëria po ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës, pasi kërkon ta mbaj Kosovën të lidhur me perëndimin. Këtë e ka detyrim kombëtar. Ndryshe nuk e shpëtojmë dot as veten as Kosovën në rast konflikti.

Nacionale: Rama ka treguar se për këtë veprim nuk është koordinuar me kryeministrin Kurti. Është dashur të ndodh një koordinim paraprak?
Baze
: Ajo do ishte situatë ideale. Por po të ishin të koordinuar nuk do kishte nevojë për draft se nuk do shkonte puna tek konflikti me Perëndimin. Kurti nuk është i koordinuar as me Tiranën, as me SHBA, as me BE, as me KFOR, as me NATO. Këta janë të gjithë aleatë të shqiptarëve në rajon. Deri tani më ngjan i koordinuar vetëm me Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Nacionale: Nisma e Ramës ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Zyrtarët e partisë në pushet janë tallur me Ramës dhe ka etiketuar atë në mënyra të ndryshme. Pse mendoni se ka nxitur reagim kaq të fuqishëm ky veprim i Ramës?
Baze
: Ka një përpjekje të ligë për të identifikuar Albin Kurtin me Kosovën kur vjen fjala tek kjo krizë. Në fakt SHBA-ja e ka ndarë. E ka thënë qartë që nuk kemi gjë me Kosovën e kemi me Albin Kurtin. Dhe këta këshilltarët e Albin Kurtit, ndjehen të tradhtuar, pse Edi Rama nuk ka mbështetur marrëzinë e Kurtit, por është në anën e perëndimit. Ata e quajnë Perëndimin në anën e Serbisë pasi në logjikën e tyre, kush nuk është me Kurtin është me Serbinë.

Nuk mendoj se Edi Rama shqetësohet nga mesazhet që Kurti i dërgon atij me “emisarë” marksistë. Edi Rama shqetësohet nga marrëzitë që Kurti me gojën e vet u thotë perëndimorëve. Ato i bëjnë gjëmën Kosovës. Edi Ramën nuk e gjen gjë.

Nacionale: Tensionet në veri kanë vendosur Kosovën në përplasje të fort me Perëndimin. Madje, kjo përplasje tashmë ka sjell edhe pasoja për Kosovën. Cili është vlerësimi i juaj për këto zhvillime?
Baze
: Problemi që ka Kosova me Perëndimin është problem që ka një shtëpi e re, një familje e re, e cila për të qëndruar në këmbë duhet të jete në harmoni. Kosova figurativisht është e martuar me Perëndimin. Kjo që po bën Albin Kurti është i ngjashëm me divorcin dhe natyrisht do të ketë pasoja, nëse ne e lëmë Albin Kurtin ta bëj.

Kosova nuk duhet vuaj pasojat e mendësisë së tij antiperëndimroe dhe urrejtjes së tij ideologjike për Perëndimin. Albin Kurti e ka ngritur gjithë karrierën e tij dhe aksionin politik bazuar tek urrejtja dhe mosbesimi ndaj perëndimit. Për këtë arsye tani në Kosovë ne shikojmë kontingjente të egra antiamerikane që fyejnë shajnë dhe kërcënojnë çdo zë kundër Kurtit. Ato janë rrezik afatgjatë për Kosovën pasi nuk janë thjesht ushtarë të Albin Kurtit, por janë kontingjente të fshehura antiperëndimore në shoqërinë e Kosovës që shikojnë tek Kurti, KURDIN e tyre.

Nacionale: Ajo që kemi parë këto ditë është një sulm i ashpër i këshilltareve të Kurtit, të cilët janë nga Tirana, ndaj emisarit amerikan. Si e shpjegoni këtë?
Baze: E para, e punës ata këshilltarët e Kurtit nga Tirana janë vet emisarë. Ndryshimi është se nuk janë emisarë të SHBA-së apo BE-së, por emisarë të Albin Kurtit. Nuk di pse e gjejnë me vend të tallen me atë post që kanë dhe vet. Së dyti, kur thoni janë nga Shqipëria, duket sikur dhe këtë të keqe e keni nga Shqipëria. Nuk ua ka çuar Shqipëria. I ka gjetur të ngjashmit e vet Albin Kurti, pasi nuk beson tek njerëzit nga Kosova ngaqë është paranojak. Në Shqipëri nuk i njeh as shkalla e pallatit ku kanë banuar.

Pak a shumë ua ka bërë si Milosheviçi në vitin 1990 kur emëroi Sejdo Bajramoviqin, si ushtrues detyre të Jugosllavisë në Kosovë. Për ta kuptuar se kush ishte ai në Kosovë, një miku im më ka treguar se e ka kërkuar një herë tek libri i telefonit, e ka thirrur dhe është siguruar që ishte ai. E kishte zgjedhur si përfaqësues nga komuniteti rom i Kosovës. Pak a shumë i njëjti mundim është dhe për ne në Tiranë, nëse na pyesni kush janë këta këshilltarët e Albinit në Tiranë.

Së fundmi, që është dhe më e rëndësishmja, sulmet e tyre ndaj përfaqësuesve të SHBA në Prishtinë Beograd apo ndaj të dërguarit special Escobar, janë skandale të rënda shtetërore, pasi ata identifikohen me Albin Kurtin si kryeministër i Kosovës. Çdo mesazh i tyre është mesazh lufte i shtetit të Kosovës ndaj SHBA. Kjo është e vetmja rëndësi e dëmshme e tyre që duhet neutralizuar. Ata janë si mbetje toksike të cilëve u duhet gjetur vendi se ndryshe helmojnë mjedisin./Nacionale

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Mbi 100 mijë çekë po vijnë për turizëm në Shqipëri', Spiropali takim me homologen Adamova

'Mbi 100 mijë çekë po vijnë për turizëm në Shqipëri', Spiropali takim me homologen Adamova