Mero Baze: Nuk do ndërpriten paret, por partneriteti me AZHBR

Mero Baze: Nuk do ndërpriten paret, por partneriteti me AZHBR

Pikë e AZHBR

Lajmi se programi IPARD II, ka pezulluar pagesën prej rreth 450 mijë euro si detyrim I radhës për disbursim për qeverinë shqiptare për shkak të verifikimeve për korrupsion në AZHBR, nuk është një lajm I mirë për aftësitë menaxhuese të AZHBR dhe aftësisë së saj për të qenë partner I besueshëm I IPARD. 

Nuk është lajm I mirë jo për shkak të faturës 450 mijë euro, por për shkak të imazhit të krijuar për agjencinë shtetërore e cila më 2018 mori për herë të parë menaxhimin e fondeve të IPARD. Më parë IPARD e ka bërë vet menaxhimin e tyre. E keqja më e madhe që mund të ndodh pas kësaj është që AZHBR të dal si partner I besueshëm I IPARD dhe fondet të vazhdojnë siç kanë vazhduar më parë nga vet IPARD.

Ndaj në këtë debat nuk jemi para ndonjë rreziku që të bllokohemi nga BE, por jemi në problemin tonë të përhershëm, atë të betejës me korrupsionin e brendshëm, I cili në shumë prej institucioneve që kanë në dorë fonde kthehet në gangrenë.

Për më tepër AZHBR, nuk shquhet vetëm për skema klienteliste dhe korruptive, por dhe për politika ribursimi të cilët nuk janë efiçente për bujqësinë dhe blegtorinë.

Le të marrim shembullin e zvogëlimit të tufave të bagëtive të lira që ka ndodhur kudo në kullotë në Shqipëri. Numri I tyre ka rënë në mënyrë drastike. Natyrisht nuk është AZHBR fajtore kryesore për këtë problem, por është përgjegjëse për mos nxitjen e mbijetesës së tyre. 

Rimbursimi për tufat e bagëtive, bëhet bazuar në numrin e krerëve dhe sidomos në faktin se kush aplikon më shpejt. D.m.th. nëse janë dy vëllezër, me dy tufa, ndodh që njeri klasifikohet që duhet ndihmuar, se ka aplikuar më shpejt e tjetri jo. Si përfundim njëri është I favorizuar në treg se përveç produkteve ka dhe subvencion, kurse tjetri shet tufën se falimenton. 

Qeveria ka bërë një reformë shumë të mirë duke pajisur blegtorët dhe fermerët shqiptar me NIPT falas. Rimbursimi I blegtorëve fare mirë mund të bëhet duke u bazuar tek prodhimi I tyre, nëse tufat I kanë për qumësht, apo për mish. Ata dorëzojnë qumështin në baxho me nipt, baxho u pret faturë tatimore, dhe shteti vendos të rimbursoj një kg qumësht me aq lek sa ka mundësi. Nëse ka mundësi 1 lek aq le të jap, por ama t'ia jap çdokujt që prodhon një litër qumësht, jo atij që klasifikon sistemi I AZHBR, pas të cilët qëndrojnë sekserët dhe konsulentët që e kanë çuar bashkërinë në këtë pikë të zezë. Njësoj për ata që duan të prodhojnë mish apo produkte të tjera.

Ajo që dua të them është që Shqipëria duhet të adaptojë rregulla rimbursimi për bujqësinë dhe blegtorinë të cilat duhen konsideruar si e drejt e bujkut dhe blegtorit dhe jo si garë e tij. Ato duhet të jenë detyruese, që blegtorët dhe bujqit të mos jenë në dorë të burokratëve të AZHBR për të marrë rimbursimin. 

Ata duhet ta kenë të qartë se nëse prodhojnë një litër qumësht do marrin x lek rimbursim, nëse prodhojnë perime apo grurë do marrin x lek rimbursim për sasinë, nëse bashkohen në kooperativa dhe bëjnë magazina frigoriferike per të ruajtur prodhimet do rimbursohen x lek për energjinë etj. 

Pra nëse duam ta bëjmë të qartë ndihmën për bujqit dhe blegtorët duhet ta bëjmë të qartë dhe të llogaritshme të drejtën e tyre për rimbursim. Ata duhet ta kenë këtë të drejt të garantuar dhe nuk duhet të hyjnë në garë për të. Hyrja në garë për të rimbursuar tufën që aplikon më parë, është thjesht korrupsion dhe prishje tregu. 

Qeveria bën më shumë dëm se sa nder duke ndërhyrë në një treg ku njërin e ndihmon e tjetrin e fundos. Mos të them pastaj për fushat e tjera të investimit në turizmin malor apo ato që quhen bujtina, pasi aty humori I zi nuk ka të sosur. Fjala vjen restoranti më I shtrenjte I turizmit në Dhërmi është financuar nga AZHBR si biznes “agroturizmi” meqë është lart në fshat dhe meqë është quajtur pronare gruaja e një biznezmeni që bën 20 milion euro xhiro në vit nga lekët e tenderave të qeverisë. Mos të them pastaj komedinë kur Edi Rama përuronte si bujtina të AZHBR në Qarkun e Gjirokastrës gjatë fushatës së shkuar elektorale gjithë kryetarët e LSI që kishin marrë fonde nga AZHBR dhe në mëngjes u përuronte bujtinat e në mbasdite i shante si kundërshtarë. Arsyeja ishte se AZHBR ishte foleja e tyre. Shumica e donacioneve të AZHBR nuk kanë prodhuar turizëm të qëndrueshëm pasi janë para të dhëna jo për skema reale biznesi por për klientë të tyre. Njësoj mund të thuhet për bujqësinë dhe blegtorinë. Situata të tilla komike prodhuar nga klientelizmi dhe korrupsioni kanë bërë që të ketë këtë besueshmëri të ulët AZHBR.

Ndaj nuk është problemi thjesht pse IPARD ka pezulluar një pagesë. Ndoshta pezullon dhe tjetrën të radhës, por projekti nuk do të bjerë. IPARD do të vazhdojë të ndihmojë ekonominë shqiptare por thjesht mund të ndërroj partnerin që I besoi më 2018. 

Ky nuk është një alarm për ndonjë prishje  me BE, por një alarm për një agjenci që duhet pastruar nga hajdutët dhe sekserët dhe mbi të gjitha për politika eficente në ndihmë të fshatit. Dhe kjo nuk është një histori që mund tu lihet në dorë ca njerëzve vanitozë të cilët kam frikë se ende e dinë që qumështin e bën dyqani dhe jo bagëtitë. Se ata në fakt në “dyqan” punojnë. 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 19/07/2023 20:33

    Korrupsioni pa ndeshkim te ashper nuk ndalohet.Prokuroria te hetoje dyshimet e europianeve dhe te nxjerr per denim personat pergjeghes per korrupsion

    Përgjigju
    • Shqipëria tashmë është një burg i madh: 19/07/2023 22:52

      Ti kujton se Europianve ua hedhin këta leshkot tonë? Ata i japin paratë atje ku i marrin mbrapsht në sistemin e tyre nga këta të korruptuarit tonë, s'ka rëndësi se çfarë ndodh me Shqipërinë e Shqiptarët. Kush i mban këta në pushtet? Ndryshe do ishin me Kinën këta.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë