Mero Baze: Opozita me qasje prej sekseri ndaj Portit të Durrësit

Mero Baze: Opozita me qasje prej sekseri ndaj Portit të Durrësit

Berisha dhe Meta

Qasja e kritikave të opozitës ndaj projektit të Durrësit e orienton opinionin publik jo nga problemet që mund të sjellë projekti, apo dhe të mirat e tij, por shqetësimi që ajo tregon për pjesën e imagjinuar të fitmit që mund ta marrë dikush, që është në vend të tyre në pushtet.

Kontrata e Portit të Durrësi ka gati pesë vite që negociohet dhe “kritikuesi” më i madh i saj natyrisht ka qenë kryeministri, që disa herë ka shkuar deri tek prishja e kontratës. Është një marrëveshje shumëpalëshe, që prek rritjen ekonomike të vendit, sigurinë ligjore të pronarëve dhe raportet qeveri- investitor privat.

Dhe natyrisht aty mund të gërmosh gjithë jetën për saktësime apo korrigjime.

Por opozita qysh nga fillimi ka pasur një qasje sekseri ndaj kësaj kontrate. Qysh në fillim e deri sot, i vetmi shqetësim i opozitës është se kush mund të fitojë nga ky projekt, dhe sa është pjesa që marrin.

Në fillim shpikën sekser, kuantin e Lulzim Bashës. Se ku gjetën ca faqe interneti që panë emrin e një prej kompanive të tij në fushën e marketingut dhe e shpallën Bashën 50 për qind pronar të Portit të ri.

Pastaj një studio që ka mbrojtur Shkëlzen Berishën në SHBA, dhe që është e lidhur me “Foltoren”, u shfaq tek disa hallka të procesit, por “Foltorja” heshti. Këtyre nuk u caktuan pjesë, se i kishin të tyre.

Më vonë u ngrit shqetësimi pse tre kompanitë që janë pjesë e kontratës, janë në “offshore” dhe këtu dilte pronar Edi Rama. Pastaj panë që kompanitë janë të gjitha të Mohamed Alabbar, presidentit të kompanisë më të famshme të Emirateve të Bashkuara dhe ndër më të mëdhatë në botë, për të cilin shkruhet e flitet përditë në mediat më prestigjioze të botës.

Atëherë Berisha ndryshoi akuzat dhe shpiku pronar “vëllezërit Kariç”, meqë në një projekt në Beograd ata kanë qenë pjesë e ndertimit. Madje dhe Lukashenkon, meqë ata kanë dalë në fotografi me të.

Në fakt, vëllezërit Kariç janë licencuar nga Berisha për hidrocentrale në Tropojë, bashkë me nipin e tij dhe dy këshilltarë të tij, por nuk kanë asnjë lidhje as me projektin dhe as investitorët. E vetmja lidhje që ata kanë me Shqipërinë, është që janë “non grata” nga SHBA, njësoj si Berisha dhe familja e tij.

E gjithë qasja dhe balta e “Foltores” mbi projektin më të madh të historisë së Shqipërisë, që në fakt do të thyejë kufirin e rritjes ekonomike në vend dhe do të ristandartizojë vlerat e pronave në bregdetin e Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, është vetëm qasje prej sekseri. Ajo flet vetëm për pjesë, për aksionerë të fshehura dhe sidomos për makthin se mos në këtë pjesë ka dhe kundërshtarë të Berishës.

E kam takuar Mohamed  Alabbar në verën e vitit 2019, gjatë një vizite në luginën e Vjosës, nga Peshtani në Përmet, për të parë mundësinë e një investimi në një zonë malore pranë Vjosës.

Më tregoi historinë e investimit të tij në Beograd, që shkon pak a shumë sa investimi në Durrës. E përfundoi për dy vjet dhe blerësit janë të gjithë serbë, asnjë arab.

Por dhe aty ishte përballur nga një sulm i egër nga opozita serbe. Por qasja e tyre nuk ishte qasje sekserësh. Ata e sulmonin qeverinë politikisht pse po sjell arabë në zemër të Beogradit.

Alabbar tregoi se kur u takua me një nga njerëzit më agresivë të opozitës, u shokua.

-Ti vazhdo punë, i tha, se nuk kemi gjë me ty, e kemi me qeverinë. Mos u shqetëso.

I ardhur nga një vend pa luftë politike dhe pa opozita, miliarderi i Emirateve natyrisht e kishte të vështirë ta kuptonte të gjithë këtë, dhe në fund thoshte i lehtësuar se “asnjë arab nuk ka blerë aty.”  D.m.th. kishte hallin se opozita aty ishte shqetësuar kot për arabët dhe po e qetësonte.

Tani nuk e kam idenë se si ndjehet kur i thonë kujt i jep para, se ai në fakt i ka paratë e veta dhe po i investon për të fituar vetë dhe për të transformuar një vend, për ta bërë lider të truizmit rajonal.

Ëndrra e gjithë opozitarëve të “Foltores”, është që një natë ai të presë Zenin diku fshehur dhe t’i thotë :”Po çfarë halli keni mo vëlla, sa përqindje doni”. Dhe ata pastaj të qetësohen.

Nuk ka për të ndodhur, kështu që do vazhdoni të dëgjoni dërdëllitjen derisa të mbarojë projekti. Pastaj mos u çudisni t’i shikoni banorë të Portit, këta që çirren. Jo për gjë, por është lehtë se mund ta blesh nga Dubai. Aty ku kanë dhe lekët.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë