Mero Baze: Përpjekje për të fshehur braktisjen e partisë

Mero Baze: Përpjekje për të fshehur braktisjen e partisë

Sali Berisha

Më në fund Berisha e gjeti një zgjidhje se si të maskojë braktisjen e partisë së tij nga demokratët. Pas shumë përpjekjesh për të testuar zgjedhje të brendshme dhe për të rritur interesin e demokratëve, ai kuptoi atë që tha dhe publikisht dy ditë më parë, se ka një vdekje të partisë në bazë. 

Njerëzit nuk kanë më interes për të ndjekur atë dhe askush nuk u beson më garave që shpik për të emëruar disa ushtarë të tij në poste kyçe. 

Sot, ndërsa zhvilloheshin “zgjedhjet” në Forumin rinor të PD, u pa se forca kryesore që dominon në PD nuk janë militantët, por njerëzit e rrugës që i ftojnë të votojnë. Vendimi që në zgjedhjet e brendshme të votojnë dhe “simpatizantët”, përveçse një shkelje flagrante e rregullave të përbashkëta dhe garës, është një përpjekje për të fshehur braktisjen e partisë së tij. 

Duke shpikur votimin nga simpatizantët, në fakt Beirsha ka ligjëruar prishjen e çdo rregulli në garat brenda PD që dhe ashtu nuk është se kanë qenë rregulla që zbatoheshin. Por tani ndryshimi është që nuk ka më rregulla. Të mjafton mbështetja e Berishës dhe ti pastaj mund të dalësh në rrugë të thërrasësh fisin dhe të votojë, edhe pse mund ta kesh fisin nga PS apo parti të tjera. 

Atij i intereson vetëm që dikush të shikojë që shkuan disa njerëz të votojnë. 
Në pikën ku është katandisur PD e Berishës sot, problemi më i madh është mungesa fizike e njerëzve që janë të gatshëm të angazhohen qoftë dhe formalisht në garat e tij. Ai nuk ka më as figurantë dhe jo më anëtarë të partisë. 

Shpikja e votës së simpatizantëve, pa statut, dhe në kundërshtim të plotë me çdo model të votimeve të hapura, është thjesht justifikim i braktisjes fizike të zyrave të tij nga demokratët. Dhe për këtë ai ka thirrur njerëzit e rrugës që të duket se dikush ka votuar. 

Ky është fundi i çdo modeli të demokracisë së brendshme në një parti. Mund të ketë parti me disiplinë të lartë, me rregulla të forta, me diktim të autoritetit kryetarit, apo parti liberale që nuk i kushtojnë shumë rendësi votës, por kjo që bëri Berisha është zhvlerësim ne palcë i vlerës së votës së një demokrati. Ai provoi se mund t'i zëvendësojë ata me njerëz që kalojnë rastësisht në rrugë dhe ti i fton të votojnë. 

Ky është një rast që tregon se farsat e votimeve brenda partive, janë themeli i mungesës së demokracisë në Shqipëri dhe arsyeja përse elitat politike nuk qarkullojnë. Nëse ti në një parti hap dyert për njerëzit e rrugës që të justifikosh përzgjedhjen tënde, apo nëse në mëngjes është kryetar gruaja dhe në drekë thotë burri: "dua të bëhem unë" dhe ndryshon dhe emrin e partisë, pa asnjë proces votimi, mos prit që pastaj këta të ofrojnë standarde demokracie për shqiptarët. 

Ndaj ky rast duhet të shërbejë si alarm, që në ligjin e partive politike në Shqipëri, të sanksionohet që zgjedhjet në parti konform statuteve që partitë kanë depozituar të kontrollohen nga struktura të KQZ dhe votimi të jetë i mbikëqyrur nga Autoriteti i KQZ. Partitë politike janë institucione publike dhe demokracia brenda tyre ka peshë të madhe në standardet e demokracisë në vend, ndaj dhe përfshirja e KQZ në zgjedhjet e rëndësishme partiake, është mirë të sanksionohet me ligj. Jo se do kemi një përmirësim të ndjeshëm të demokracisë, por nuk do të kemi heqja dorë nga votimi siç po ndodh tani në partinë e Berishës. 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Dakord: 02/10/2022 22:40

    Nuk ka asgje per tu çuditur. Eshte brenda pritshmerive te njerezve. Kush pret demokraci nga nje sekretar i partise se punes??? Askush. Ata oak qe e ndjekin i ka kopsitur me dosje ky krye kriminel i kombit. Eshte njeriu me i zi qe ka nxjerre ndonjehere kombi shqiptar ne historine e vet. Nje baloz i zi sterre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje