Mero Baze: 'Pushtimi' i selisë, si beze e kuqe me të cilën Basha po tundon Berishën

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

E vetmja përgjigje e sinqertë që i vë kapakun çdo debati nervoz rreth foltores së Berishës dhe të ardhmes së saj, është pushtimi i selisë së PD nga mbështetësit e Berishës. Është një nga gjërat më origjinale që di të bëjë Sali Berisha për të frymëzuar njerëzit e vet.

Në betejat e tjera ngec dhe bëhet i paqartë. Në betejën rreth shkeljes së statutit nga Lulzim Basha është i paqartë. Është i paqartë përse do të mbledhë Kuvendin, përse do të mbledhë Këshillin Kombëtar, çfarë do të kërkojë në peticion, cilat ndryshime ligjore kërkon të bëjë etj. Pasi nuk e mban dot një qëndrim për gjithë këto telashe juridike, i bie shkurt dhe thotë do të pushtojmë “selinë e shenjtë” të demokratëve.

Njësoj si ai dhe mbështetësit e tij. Ata kanë krijuar stereotipin e problemit që ka PD dhe ky problem sipas tyre, është tradhtia e Lulzim Bashës ndaj Sali Berishës.

Pra Lulzim Basha nuk u kërkua të shkarkohet asnjëherë, as kur ka humbi zgjedhjet, as kur ka lënë jashtë liste njerëz me emër në PD, as kur ka bojkotuar Parlamentin apo zgjedhjet, por u dashka pushkatuar pse ka “tradhtuar” Sali Berishën. Dhe meqë ky është një argument i dobët për shkarkimin e tij, sërish si zgjidhje propozohet “pushtimi i selisë së shenjtë” të demokratëve.

Edhe mbështetësit e tij më të zëshëm në medie, kur nuk gjejnë dot argumente logjike se çfarë ka bërë Lulzim Basha tani, që duhet të shkarkohet, dhe nuk e ka bërë këto tetë vite, zihen ngushtë që është thjesht halli i Sali Berishës, dhe argument kanë që Berisha do t’i pushtojë selinë atij, nëse nuk ikën.

Pra është e qartë që problem është se Basha ka tradhtuar Sali Berishën dhe po aq e qartë që zgjidhja është të pushtojmë me forcë selinë e PD dhe ta zbojnë.

Gjithë debatet e tjera janë pa vlerë dhe nuk ngjisin në opinion. Të vetmet gjëra që mbesin në mëndje të njerëzve janë që Berisha është tërbuar se e ka tradhtuar Basha dhe se atë do ta zbojnë duke pushtuar selinë.

Kjo në fakt është dhe gjëja më origjinale e Sali Berishës. Hakërrimi i tij përmes forcës ndaj kundërshtarëve ka qenë e vetmja gjë që ka bërë 30 vjet, edhe pse asnjëherë nuk ka fituar prej saj.

Gjithnjë ka humbur pikërisht kur ka dashur të bëjë si i fortë. Ka humbur më 1997 dhe nuk dinte ku të fshihej pasi tentoi të përdorë forcën kundër qytetarëve, ka varrosur PD-në më 1998, kur keqpërdori vdekjen e Azem Hajdarit dhe pushtoi zyrat e shtetit dhe TVSH, ka humbur më 21 janar kur vrau katër qytetarë, pse demonstronin para selisë së Kryeministrisë dhe ka humbur çdo përballje force me kundërshtarët në jetën e tij opozitare.

Heshtja e Lulzim Bashës dhe injorimi i kërcënimeve, janë një joshje dhe më e madhe për Sali Berishën që t’i forcojë ato. Nuk di nëse Basha e ka taktikë që të përdorë heshtjen e tij, si beze të kuqe që ta tundojë Berishën, të kapërcejë gardhin e SHQUP-it, apo e ka të rastësishme, por në fakt, ai ka shanse ta degradojë përfundimisht foltoren, duke e kthyer në një skenë filmi ku ai prapë do të fitojë si soditës.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush pas zhvillimit të dy Kuvendeve PD do të jetë?



×

Lajmi i fundit

John

Sanksionet e SHBA ndaj grupit të Veselinoviç, Albin Kurti: Ky vendim legjitimon aksionet e policisë në veri të Kosovës