Mero Baze: Shqipëria dhe Greqia nuk flasin hapur për thelbin e krizës mes tyre

Mero Baze: Shqipëria dhe Greqia nuk flasin hapur për thelbin e krizës mes tyre

Mitsotakis dhe Rama

E vërteta është se raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë në krizë, por të dy palët nuk i referohen thelbit të kësaj krize, por shkaqeve që gjejnë rrugës. Shqipëria bën rolin e viktimës duke u nisur nga retorika e Greqisë për rastin Beleri, por në fakt ajo që Shqipëria po kundërshton, është ndjenja e paternalizmit që Greqia ka ndaj Shqipërisë historikisht. 

Nga ana tjetër Greqia që bën sikur ka në dorë integrimin evropian të Shqipërisë, po ashtu është realisht e shqetësuar nga indiferenca me të cilën Shqipëria po i merr kërcënimet e saj, se sa nga fati juridik apo politik i Belerit. 

Fjalimi i Edi Ramës në Athinë ishte një gjarpërim mes fjalësh për të thënë se nuk jemi më ata që kemi qenë dikur në vitet 2000, kur pritja e ambasadës greke, kishte më shumë të ftuar se pritja e presidentit të Republikës dhe kur për një drejtor drejtorie vendosej në Athinë. Nuk ishte i sinqertë as kur i referohet krizës formale shkaktuar nga arrestimi i Belerit, kur bën sikur mbron pavarësinë e drejtësisë shqiptare, dhe bën si viktimë e mendësisë nacionaliste greke. 

E vërteta është se thellë thellë, Edi Rama, mezi pret të dëgjojë çdo gjë kundër SPAK prej Greqisë, pasi kështu forcon fabulën e tij për distancën që ka me drejtësinë e re, dhe po bën gjithçka që Greqia të vazhdojë ta mbajë ndezur këtë retorikë e cila e nxjerrë atë, më të mirë se sa është, në Bruksel. 

Ajo për të cilën ai bën si viktimë e sulmit të politikës greke ndaj tij, është në fakt nderi më i madh që po i bën Greqia, ndërsa ajo që ai nuk e thotë hapur dhe grekët nuk e pranojnë dot, është se ai thjesht nuk e konsideron rrezikun grek për anëtarësim në BE. Madje e lut që Greqia të jetë në anën tjetër të barrikadës, pasi kështu ka dhe një arsye më shumë patriotike për një fjalim të ri. 

Edhe më i pasinqertë është kryeministri Micotaqis në dy raste. E para në deklaratat e tij të sotme, ai padashje e nxjerr pikërisht ndjenjën e paternalizmit ndaj Shqipërisë reflektuar tek ideja që rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga Greqia, por këtë e maskon me çështjen Beleri. Çështja Beleri në aspektin e rrugës evropiane është në favor të Shqipërisë dhe jo të Greqisë. Kjo tanimë është e provuar me qëndrime zyrtare të Bashkimit Evropian dhe SHBA. Ndjenja e paternalizmit grek ndaj Shqipërisë po. Ajo është reale dhe dominon mendësinë e politikës greke. Dhe Greqia ngjan nervoze se në Shqipëri është bërë e parëndësishme.

Së dyti Mictoaqis gënjen kur thotë se nuk kishim pse e pengonim Edi Ramën të bënte vizitë në Athinë. Negociatat e dy palëve mund të shërbejnë për një serial Netflixi, për qindra probleme që nxori qeveria qendrore duke bërë presion mbi çdo pronar salle në Athinë që të mos e pranojë takimin me kryeministrin shqiptar dhe mbi çdo inxhinier grek të mos firmoste garancinë për sallën, dhe i hapi rrugë kur e pa që çështja u bë e rëndësishme dhe mund të dominonte fushatën e tyre elektorale. 

E vërteta e thjeshtë është se rruga e Shqipërisë për në Evropë, mund të kalojë edhe nga Athina, nëse Athina është në një gjatësi vale me Evropën, por në rastin e Belerit që i referohet Greqia, nga Athina mund të kalohet për ndonjë buzuk, por jo për në Bruksel.  

Kurse sa i takon shqetësimit që ka krijuar SPAK në politikën shqiptare, është ku e ku më larg se ai që ka krijuar në politikën greke. Dhe në këtë rast Micotaqis ka plot aleatë të heshtur në Shqipëri, përfshi dhe ata që thonë jemi me SPAK. Ndaj lodhet kot të na shpjegojë që SPAK ka gabuar. Po qe se shpëton politikën shqiptare nga SPAK-u, në emër të Evropës, janë gati ta marrin në supe të gjithë. 

Atëherë mund të ribëhet i rëndësishëm për politikën shqiptare. Duke kërcënuar për integrimin evropian, nuk tremb njeri, pasi integrimi evropian, nuk është ndonjë rrezik më i madh se SPAK për politikën shqiptare. Eshtë vonë shumë dhe i paqartë se si mund ta tremb politikën shqiptare. 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Po mër po: 20/05/2024 10:17

    Thelbi i krizës është se ne do futemi në BE do apo nuk do Greqia.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Grupi i trafikut të armëve Shqipëri-Kosovë, zbulohen detajet e operacionit! Ja si bëri Policia blerje të infiltruar

Grupi i trafikut të armëve Shqipëri-Kosovë, zbulohen detajet e operacionit! Ja si bëri Policia blerje të infiltruar