Mero Baze: Tre paradokset e atyre që shqetësohen nga fjalimi i Edi Ramës

Mero Baze: Tre paradokset e atyre që shqetësohen nga fjalimi i Edi Ramës

Kryeministri Edi Rama, në samitin e BE-së

Debati mbi gjuhën e përdorur nga Edi Rama në Samitin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor është fatkeqësisht më i varfër se gjuha e tij. 

Paradoksi i parë i debatit është fakti që një opozitë e cila ka në krye të saj një lider të ndëshkuar, të izoluar dhe të paralajmëruar nga perëndimi, për të mos e pasur udhëheqës, po derdh kot krokodili se fjalimi i Edi Ramës po na prish me Perëndimin. Qenia e Sali Berishës në krye këtyre eunukëve që qajnë për perëndimin, është akt lufte ndaj Perëndimit. Sot për sot, fatmirësisht është vetëm në emër të tyre dhe jo në emër të Shqipërisë.

Një parti që zgjedh në krye të saj liderin e vetëm në historinë e Shqipërisë të shpallur “a non grata” nga SHBA dhe të ndjekur në politikat e izolimit edhe nga BE, nuk ka nevojë të mbajë fjalime kundër perëndimit se ka votuar ndërkohë kundër Perëndimit. 

Ndaj është mirë të kursejnë lotët dhe t'i ruajnë kur të vdesë Sali Berisha. Atëherë mund të bëhen njerëz të lirë dhe të flasin dhe për fatet e Shqipërisë. Tani për tani nuk kanë fuqi të vendosin as për veta, e jo për Shqipërinë.

Paradoksi i dytë është që fjalimi i Edi Ramës ka gjetur më shumë aprovim në perëndim dhe sidomos në shtypin perëndimor dhe ka shqetësuar vetëm antiperëndimorët e Shqipërisë.

Kam parë dje shumë twiter apo komente të shumë personaliteteve ndërkombëtare, madje nga ata që nuk e honepsin dot Edi Ramën që shkruanin “se kur ka të drejtë ka të drejtë”.

Nuk kam parë thuajse asnjë koment negativ në shtypin perëndimor, dhe thuajse asnjë shkrim paranojak, që ta konsideronte fjalimin e Edi Ramës si përpjekje e tij për ta larguar Shqipërinë nga Evropa. Përkundrazi ankesa e tij e dhimbshme që i ngjante më shumë një vaji dëshpërues të një fëmije, para një porte që nuk po hapet, është tregues i këmbënguljes së Shqipërisë për të hyrë në portat e BE dhe jo ndonjë dëshirë për tu larguar prej saj.

Paradoksi i tretë është se gjuha e tij e ashpër me Bullgarinë, ndihmoi më shumë forcat politike properëndimore në Bullgari të zhbllokonin situatën dhe u prishi punë më shumë politikanëve antiperëndimorë në Tiranë, që filluan të qajnë dhe për Bullgarinë. Debati i Edi Ramës me Bullgarinë nuk ishte armiqësor, por i tensionuar. Komentet e tij nervoze me disa zyrtarë bullgarë, kujtesa që u bëri se ai ka njohur minoritetin bullgar në Shqipëri me një qasje që dëshmon standardet perëndimore të Shqipërisë për këtë çështje, dhe akoma më tepër telefonata e lumtur e Borisovit që njoftoi vetë kryeministrin e Shqipërisë për rënien e vetos bullgare, nuk tregojnë armiqësi me Bullgarinë, por një dinamikë të fortë bashkëpunimi, të cilat kanë anën e tyre dramatike për shkak se ishin shkaku i bllokimit të dy vendeve në rrugën drejt BE. Shumica e politikanëve bullgarë, janë në anën e Shqipërisë dhe Maqedonisë në këtë histori, por tani janë pengje të zhvillimeve të mëparshme politike brenda vendit të tyre. Për këtë arsye, gjuha e ashpër e Ed Ramës ka ndihmuar më shumë politikanët perëndimor të Bullgarisë të vepronin dhe ka mërzitur disa shqiptarë në Tiranë, të cilët dëshirojnë të mos i prishim qetësinë Bullgarisë, që ta mbajë në fuqi embargon kundër dy vendeve.

Në spiralen tashmë banale ku ka hyrë procesi i dritës jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë, ne nuk kemi më asgjë në dorë përveçse të qajmë me dëshpërim në sofatin e portave të Evropës ku duam të hyjmë. Nuk e kemi luksin të qajmë në portat e Moskës, dhe as ta rrethojmë Shqipërinë me tela me gjemba. 

Edi Rama ka vajtuar në emër tonë në shtëpinë e atyre që akoma nuk na hapin derën. I vetmi debat që mund të jetë në këtë rast me ata që e duan vërtet Shqipërinë në perëndim, është a na nderon e qara e tij. Në këto kohë, mendoj se fjalimi i tij është i vetmi mall eksporti i mirë që kemi për në Evropë.  

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • LORA: 25/06/2022 14:32

    Mbi 80% e shqiptarve gjejne mendimin ,bindjen dhe krenarine e tyre ne fjalimin e Kryeministrit Rama. Ata qe "shqetesohen" nga ky fjalim jane subjekt i denje per shpullat analitike te Mero Bazes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

'Daily Express': Shqipëria, vendi i vogël evropian më i bukur se Greqia dhe Kroacia

'Daily Express': Shqipëria, vendi i vogël evropian më i bukur se Greqia dhe Kroacia