Mero Baze: Vjosa Osmani, 'telefoni i prishur' i Albinit

Mero Baze: Vjosa Osmani, 'telefoni i prishur' i Albinit

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Kosova ka nisur të përballet me sanksionet e para të SHBA dhe Bashkimit Evropian, pas vendosmërisë së Albin Kurtit për ta përdorur konfliktin me Perëndimin si një opsion politik që shpreson se i siguron mbështetje popullore. 

Kosova u përjashtua dje nga stërvitja e përbashkët me forcat e NATO, Defender23, dhe ndaj saj po planifikohet pezullimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, anulimi i liberalizmit të vizave, ndalimi i fondeve IPA nga Bashkimi Evropian dhe duke shkuar në mendje dhe gjëra të tjera më të rënda, deri tek largimi i prezencës ushtarake amerikane në Kosovë.

Të gjitha këto janë kundërpërgjigjet e para të Perëndimit ndaj Albin Kurtit dhe përpjekjeve të tij për t’u faktorizuar si faktor politik anti-perëndimor në Kosovë.

Në konfliktin e Perëndimit me Albin Kurti nuk hyjnë në punë detaje teknike, por qasja anti-perëndimore që ai ka në provokimin dhe mbajtjen ndezur të konfliktit, për të hedhur në erë planin franko- gjerman, që në fakt është një stabilizim afatgjatë i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, nën mbështetjen dhe garancitë e Perëndimit.

Justifikimet e tij dhe mbështetësve trushpëlarë të tij për detajet teknike në Veri, janë një arsye më shumë për të kuptuar se me sa argumente të përcipta, ai kërkon t’i vërë flakën Kosovës. Ai kërkon të mbrojë me KFOR dhe forcat e NATO, katër kukulla të emëruara prej tij në Veri, në një proces ku serbët nuk kanë votuar, dhe nga ana tjetër është gati të lërë gjithë Kosovën në dorë të Serbisë duke u futur në konflikt me Perëndimin, që nuk është vetëm çlirimtari i Kosovës, por dhe garanti i ekzistencës së saj si shtet.

SHBA dhe Bashkimi Evropian ja kanë lënë të hapur një shteg nga ku mund të dalë, duke kërkuar që katër të emëruarit e Kurtit, të cilët nuk kanë as popull dhe as administratë me vete, të marrin rol teknik si koordinatorë të qeverisë për katër komunat në veri dhe të shkohet drejt një procesi legjitim zgjedhjesh. 

Këmbëngulja e Albin Kurtit, që të konsiderojë të zgjedhur katër kukulla të emëruar, tregon se sa i barabartë është ai në dimension e tij anti-demokratik me Aleksandër Vuçiq, të cilin e akuzon si autokrat dhe sa pak i besueshëm është si një lider që mund të drejtojë një shtet jo të pastër etnikisht.

Është kjo arsyeja që në Perëndim ka një reflektim të rrezikshëm, që po ngjall ndjenjën e pendesës për atë që Perëndimi ka bërë për Kosovën. 

SHBA e ka çliruar Kosovën, për shkak se Miloshevici nuk u la asnjë të drejtë shqiptarëve në vitet ‘90, dhe ua emëronte dhe udhëheqësit e tyre, por pas 25 vitesh, SHBA nuk mund të pranojnë dot që një udhëheqës shqiptar u kërkon llogari pse nuk vazhdojnë të bombardojnë përsëri Beogradin, edhe pse vetë sillen si Milosheviçi dikur.

Me kriterin me të cilin SHBA dhe Perëndimi bombardoi Beogradin, sot Albin Kurti është në anën e Beogradit të vitit 1999 dhe jo të Kosovës së 1999.

Dhe ai në fakt këtë po kërkon. Po kërkon ta paraqesë Kosovën viktimë të Perëndimit dhe të ngjallë aty një lëvizje anti-amerikane të mbështetur dhe nga segmente të politikës shqiptare në Tiranë, nën maskën e ruajtjes së sovranitetit nga SHBA dhe BE. 

Nëse shikon se si justifikojnë qasjen anti-perëndimore të Albin Kurtit, njerëzit e opozitës në Tiranë, e kupton qartë se ata mezi po presin formimin e një fronti mbarëshqiptar që kërkon të mbrojë “sovranitetin” e tokave shqiptare nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. 

Dhe nuk kanë pikë turpi në argumentet që përdorin. Për shembull frymëzuesit e bojkotit parlamentar në Shqipëri dhe djegies së mandateve më 2019, janë kundër bojkotit serb në Veri të Kosovës, mbështetësit e bojkotit të zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 2019, janë kundër bojkotit serb të zgjedhësve, dhe pro kukullave të Albinit, dhe më tej akoma një armatë e tërë diplomatësh të Berishës dhe Ilir Metës në Shqipëri, janë një gjatësi vale me Albin Kurtin, duke i kërkuar SHBA të mbajë duart larg nga Kosova, pasi nuk është neutrale.

E gjithë kjo ka një përfundim që do jetë i hidhur për Kosovën.

E para, që duhet thënë, është se të gjithë këta që po e nxisin Albin Kurtin të ndezë zjarr Kosovën kundër Perëndimit, do zhgënjehen disa javë apo muaj më vonë, kur Albin Kurti gjithë këtë tension dhe dëm që po i bën Kosovës, do ta përdorë si kapital politik për t’u tërhequr për të nënshkruar “Zajdenicën” e famshme, me kushte dhe më të rënda se sa ju diktuan në aneksin e Ohrit dhe do thotë “fitore”.

E dyta, që është dhe më e rëndësishme, është se pas kësaj në Perëndim do të ketë një shije afatgjatë pendese për çfarë kanë bërë dhe investuar në Kosovë, për çfarë e kanë çliruar me bomba atë vend, duke parë se produkti politik i këtij eksperimenti të pangjashëm në botë për krijimin e një shteti, ka prodhuar një shqiptar të klonuar me veset e Milosheviçit. Natyrisht për fat, pa fuqinë e tij.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Prek gjyshi i Martinit në protestë: Nëse nuk vihet drejtësi, nuk më duhet më jeta

Prek gjyshi i Martinit në protestë: Nëse nuk vihet drejtësi, nuk më duhet më jeta