DURRËS- Gjithçka u raportua si një aksident rrugor i paqëllimshëm, por një ditë më pas, nga hetimet, u zbulua se ishte një plan i mirëmenduar  në shenjë hakmarrjeje.

14 vite më vonë, 41-vjeçari Myslim Istrefi, banues në Rromanat, Durrës ka përplasur me dashje për vdekje bashkëfshatarin, 57-vjeçarin Shaqir Estrefin, pasi ky babai i këtij të fundit në vitin 2006 i kishte vrarë babanë.

Report Tv mëson se 41-vjeçari ka përplasur me qëllim për vdekje 57-vjeçarin teksa po lëvizte në këmbë në fshat. Ngjarja ndodhi një ditë më parë rreth orës 15:00. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprën penale "Vrasje me paramendim" dhe "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt".

Po si është historia e hakmarrjes? Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në vitin 2006 në fshatin Romanat. Gazetari i Report Tv, Artur Korriku raporton se Qamil Estrefi, babai i viktimës Shaqir Estrefi vrau për motive pronësie babanë e autorit,  Zydi Istrefin. Qamili Estrefi u arrestua dhe u dënua. Mësohet se ai ka vdekur disa vite më parë.

Njoftimi i plotë i policisë
Policia zbardhi shkakun e ngjarjes rrugore të ndodhur ditën e djeshme në Rromanat. Falë veprimeve profesionale rezultoi se ngjarja e ndodhur nuk ishte aksident rrugor , por dyshohet vrasje me dashje për hakmarrje. Vihet në pranga  41-vjeçari, për veprat penale "Vrasja me paramendim" dhe "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt"

Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, si rezultat i kqyrjes së vendit të ngjarjes, provave të grumbulluara dhe veprimeve profesonale të kryera, bënë të mundur zbardhjen e shkakut të ngjarjes dhe arrestuan në flagrancë shtetasin:

M.I., 41 vjeç, banues në Rromanat, Durrës.

Arrestimi i tij u bë pasi më datë 10.10.2020, rreth orës 15;00, në fshatin Rromanat, Durrës, duke drejtuar mjetin tip "Fiat", në gjëndje të dehur, ka goditur këmbësorin shtetasin Sh.E., 57 vjeç, banues në Rromanat, Durrës, i cili si pasojë e goditjeve të marra, ndërroi jetë. Shtetasi M.I., dyshohet se ka goditur shtetasin Sh.E., për motive hakmarrje, pasi shtetasi Q.E., (babai i viktimës) në vitin 2006 ka vrarë shtetasin Z.I., (babai i të dyshuarit). Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.