TIRANË- Një 31-vjeçar është marrë peng, pasi mashtroi shoqen duke i marrë 20 mijë euro. Ngjarja ka ndodhur në Kashar, ku burime për Report Tv mësojnë se Ermil Sorra, është marrë peng dhe dhunuar nga Shkëlqim Koçeku dhe Sulltan Picari, për të zbatuar 'porosinë' e Denalda Çezmës, 37-vjeçe. Kjo e fundit i kishte dhënë borxhin të riut, me të cilin kishte shoqëri, pasi i kishte thënë se ishte i prekur nga kanceri dhe i duheshin paratë për t'u kuruar.  

Por, 31-vjeçari nuk i ka kthyer borxhin dhe ajo kërkoi ndihmën e të fejuarit dhe mikut të tij që ta merrnin peng. Siç njofton policia e kryeqytetit, Shkëlqim Koçeku, 37-vjeç, i dënuar me masën 'arrest shtëpie' për 'armëmbajtje pa leje', dhe Sulltan Picari, në bashkëpunim, e morën të riun dhe e dërguan në banesën e shtetases Denalda Çezma, ku dhe e dhunuan.

Policia ka vënë në pranga, Shkëlqim Koçekun dhe Denalda Çezmën, si dhe ka shpallur në kërkim Sulltanin Picarin, për veprën penale "Heqja e paligjshme e lirisë" duke përdorur torturën, kryer në bashkëpunim.

Mësohet se Ermal Sorra u ka thënë pengmarrësve që ta lironin pasi, ishte mik i Nehat Kullës, i cili nuk jeton më, por që njihej si i forti i Tiranës.