KORÇË- Pedagogu i fakultetit të Shkencave Sociale në universitetin "Fan Noli", Alket Dino 34 vjeç është arrestuar ditën e sotme pasi merrte para në këmbim të dhënies së provimeve. Në pranga ka rënë edhe Xhevi Dervishi 35 vjeç, i cili luante rolin e sekserit, ndërmjetësit mes studentëve dhe Dinos.

Arrestimi i tyre është bërë pranë Fakultetit, teksa i janë gjetur edhe një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

 Hetimet janë kryer nga Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK. Ndaj tyre rëndojnë akuzat veprat penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike", "Korrupsioni aktiv" dhe "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm".

Report Tv ka siguruar foton e Dinos dhe Dervishit, të dy banues në Korçë ku ajo që shihet nga postimet në rrjetet sociale jeta e tyre karakterizohet nga luksi. 

Njoftimi i plotë i policisë
Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:  A. D., 34 vjeç, banues në Korçë (me detyrë pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe atyre Humane) dhe Xh. D., 35 vjeç (sekser) të dy banues në Korçë. Shtetasit e mësipërm, janë kapur në afërsi të këtij Fakulteti me një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë për veprat penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike", "Korrupsioni aktiv" dhe "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:05
Pedagogu i arrestuar për korrupsion, koordinator i LSI në Korçë! Foto me Metën dhe Kryemadhin

Pedagogu i arrestuar në Korçë është Kordinator i LSI Korçë. Ai ka foto ku shihet krah presidenti Ilir meta dhe përfaqësues të tjerë të kësaj force politike.

Ora 12:41
Pedagogu në Korçë ra në grackën e agjentit të infiltruar të SPAK/ Avokati: Hetimet 1 muaj! S'ndryshonte dot notën, sistemi i mbyllur (VIDEO)

Avokati mbrojtës i pedagogut Alket Dino, Nevzat Tarelli ka dhënë detaje nga arrestimi i tij. Ai ka bërë me dije se hetimet e SPAK kanë zgjatur për një 1 muaj dhe është vënë "në lojë edhe një agjent i infiltruar".

"Dino u arrestua mbrëmë për shkak të një hetimi të filluar nga SPAK. Dje janë finalizuar kryerja e veprimeve simulues nëpërmjet një agjenti të infiltruar. Bëhet fjale për një student i cili ka pasur një provim të mbetur. Prokuroria  ka kryer veprime të simuluara me Xhevahir Dervishin nëpërmjet një agjenti i infiltruar. Në momentin e arrestimit Dino nuk ka pasur asnjë prej kartmomedhave që u përdoren për veprimin simulues. Një pjesë e lekeve janë gjetur tek Dervishi, një pjese nuk janë gjendur.

Dino është në pozita mohuese. Është e vërtete që ka pasur kontakt me të arrestuarin tjetër, por takimi ka qene për shkak të interesit të pedagogut për një shtëpi me qira, pasi Dervishi është pronar i një agjencie imobiliare. Alket Dino është pozicionuar qartë që nuk ka lidhje me rastin korruptiv, që ka të beje me një student që pretendon që ka paguar për një provim me Alket Dinon 500 euro.

Gjatë kontrollit fizik profesorit nuk i është gjetur asnjë kartmonedhë euro. Një pjese e eurove janë gjetur te portofolin e Xhevi Dervishit. Rezultatet e provimit janë mbyllur para një jave dhe nuk ka asnjë mundësi që pedagogu të ndërhynte në sistem për të ndryshuar notën. Pedagogu është mbajtur për një muaj në përgjim, kohë kur është regjistruar procedimi penal nga SPAK dhe dje është bere arrestimi në flagrancë", tha avokati.

Ora 09:19
Me puro dhe jetë luksi, ky është sekseri që ndërhynte te pedagogu në Korçë...iu merrnin para studentëve për provimet

Report Tv ka siguruar foton e Xhevi Dervishit, sekseri që ndërhynte te pedagogu Alket Dino! Ata merrnin para nga studentët në këmbim të dhënies së provimeve.

Ora 09:07
FOTO/ Ky është pedagogu në Korçë që u merrte para studentëve për të dhënë provimet

Ky është Alket Dino, pegagogu në Universitetin "Fan Noli" në Korçë i cili merrte para studentëve për të dhënë provimet. Report Tv ka siguruar foton e tij.