VLORË- Dritan Korfuzi, ka rënë në pranga të policisë pasi merrte makina me qira për një ditë në Tiranë, Vlorë dhe Sarandë dhe shkonte i shiste për skrap!
34-vjeçari banues në Kuçovë, u arrestua pas denoncimeve të vazhdueshme të bërë nga pronarët e disa subjekteve që jepnin makina me qira.
Nga hetimet sipas policisë, Dritan Korfuzi, merrte në mënyrë të vazhdueshme, automjete me qira ditore, në subjekte që ofrojnë këtë shërbim, në qytetin e Tiranës, Vlorës dhe Sarandës, dhe mashtronte për kthimin e tyre sipas marrëveshjes.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas i merrte automjetet me qira ditore, me qëllim që t’i shiste në pika skrapi.
Vijon puna për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.