Levzat Veseli, ish-inspektor policie në komisariatin nr.6 në Tiranë, është dënuar me dy vite burg nga GJKKO, për 'Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike'. Veseli mori 2 mijë euro ryshfet nga një qytetar në këmbim të lejimit të një ndërtimi pa leje. GJKKO ka dënuar po ashtu me 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar edhe Enver Radën, i cili kishte dhënë ryshfetin.
‘Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, më datë 01.07.2022, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është shpallur vendimi lidhur me çështjen penale në ngarkim të të pandehurve L.V. dhe E.R., ku trupi gjykues i përbërë nga gjyqtare Atalanta Zeqiraj, vendosi: 1. Deklarim fajtor të të pandehurit L.V. për kryerjn e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim. 2. Në bazë të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit me burgim për të pandehurin L.V. duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim. 3. Vuajtja e dënimit për të pandehurin L.V. fillon nga dita e ndalimit dhe do kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. 4. Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal të pandehurit L.V. i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohe prej 5 (pesë) vjetësh. 5. Deklarimin fajtor të të pandehurit E.R. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim. 6. Në bazë të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit me burgim për të pandehurin E.R. duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) muaj burgim. 7. Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, pezullohet ekzekutimi i dënimit me burgim për të pandehurin E.R., duke e vënë në provë të pandehurin për një periudhë kohe prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) muaj, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.’- njofton GJKKO.
Levzat Veselaj, 47 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policisë Kriminale pranë Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë, u ndalua nga SHÇBA pas kallëzimit të një personi. Pas hetimeve rezultoi se Veselaj, gjatë një periudhe kohore të vazhdueshme, ka kërkuar dhe marrë shuma parash, në këmbim të premtimit për të lejuar ndërtime pa leje.