Ishte Thalassemia. Askush në familjen time nuk kishte dëgjuar më parë për të. Askush nuk e dinte se çfarë ishte dhe nga vinte. Kështu filluan transfuzionet që prej moshës 2 vjeç e gjysmë. Vështirësia shtohej me rritjen time. Kam qenë një fëmijë i shkathët dhe shumë i prapë edhe pse me këtë peshë mbi supe. Ka shumë gjëra që nuk i kupton kur je fëmijë, dhe fjala transfuzion është tepër e vështirë për ta. Unë i arrija shokët pa problem. Luaja me ta, qaja dhe qeshja njëlloj si ata, por shpejt vinte dita dhe agia e fortë sërish ngulej në mishin e njomë, i cili edhe prej hekuri të ishte tashmë do ishte ndryshkur. Ky proces do të përsëritej çdo 10 ditë, në të njëjtin vend rrugën e të cilit mund ta bësh edhe me symbyllur. E kur largohesh prej aty fillon rutinën e përditshme duke u ndjerë pjesë e shoqërisë, e jetës. Dukeu ndjerë normal. Por vitet kalojnë dhe pas fëmijërisë vjen adoleshenca. Unë do ta cilësoja si periudhën më të vështirë. Personalishtkam pasur raste pafund kur dikush është shprehur në mënyrë të gabuar mund të themi. Besoj se çdo pacient e ka pasur të paktën një herë të vetme një rast të tillë, e këto raste mua më vrasin, me ndrydhin.
Të gjithëve na vrasin. Na bëjnë të ndihemi ndryshe. E pra ky është realiteti i egër me të cilin përballemi çdo ditë. Do të doja të prekja një rast që ka ndodhur jo më larg se 2 vjet më parë. Dikush më është afruar dhe rëndomtë më ka zgjatur një sasi parash të futura në zarf. Në atë moment nuk e di për kë ndjeva më shumë keqardhje, për veten apo për atë. Ne nuk kemi nevojë për mëshirë, as nuk e kërkojmë dhe as nuk e duam atë nga askush. Një gjak i dhuruar nuk mund të blihet, dhe gjaku dhurohet nuk blihet!!!! Nëse dikush kërkon të na ndihmojë, këtë e bën vetëm duke dhuruar gjak. Kjo pra është thirrja e madhe që bëhet në Ditën Ndërkombëtare të talasemisë: Dhuroni gjak, shpëtoni jetë, na ndihmoni të bëjmë një jetë normale.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)
