
Një urim i veçantë për Krishtlindje ka ardhur nga ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, i cili ka ndarë në rrjetet sociale një grafikë të skenës së Lindjes së Krishtit, realizuar në fillim të viteve ’90 nga i ati, Jorgaq (Gaqo) Gogu.
“Gëzuar Krishtlindjen! Këtë skenë të Krishtlindjes e ka vizatuar im atë, Jorgaqi (Gaqo), në fillim të viteve ’90; ai nuk është më mes nesh, por kjo grafikë më kujton se dashuria nuk largohet kurrë, por lë gjurmë dhe na mban fort “, shkruan ministri.
Duke reflektuar mbi domethënien e Krishtlindjes, Gogu, besimtar i krishterë protestant, thekson se kjo festë simbolizon afrimin e Perëndisë me njerëzit për të sjellë dritë aty ku ka errësirë.
“Sot festojmë se Perëndia na u afrua jo si ide, por si Njeri: Ai hyri në historinë tonë për të nisur ripërtëritjen, që të mos mbetemi rob të errësirës, fajit apo dëshpërimit', tha ai.
Urimi i tij mbyllet me një mesazh paqeje dhe shprese.
“Uroj që kjo Krishtlindje t’ju sjellë paqe në shtëpi, butësi në zemër dhe guxim për të nesërmen, sepse mëshira e Perëndisë e nis rishtas jetën, edhe aty ku ne shohim vetëm zbrazëti.”
Lajmi kryesor:
Krishtlindja/ Begaj: Të duam më shumë njëri-tjetrin! Peleshi e Rama: Gëzuar! Uron edhe opozita











