Koalicioni i çiftit Berisha-Meta ‘Bashkë Fitojmë’ ka intensifikuar shpenzimet në fushatën zgjedhore, ndërkohë që nga buxheti i shtetit ka në dispozicion vetëm 15 milionë lekë, si dhe disa donacione të pretenduara, vlera e të cilave nuk dihet ende.

Belind Këlliçi, i cili pretendon se e ndihmon vëllai me para për të përballuar koston e jetesës, ka punësuar një ushtri me njerëz në fushatën “call center”, ku përveç telefonatave, ka intensifikuar edhe mesazhet automatike që u dërgon qytetarëve të Tiranës.

Në një prej rasteve më të fundit, një qytetar, të cilit i ka mbërritur një, mesazh për të votuar të dielën për Këlliçin, e pyet me shpresë se do të marrë përgjigje, se ku e ka gjetur numrin e tij dhe nëse kjo është një vjedhje e të dhënave personale që po u bëhet në masë qytetarëve.

Ai shkon më tej duke ironizuar edhe një prej akuzave të përsëritura të PD ndaj socialistëve, atë në lidhje me aktivizimin patronazhistëve.

Por, edhe këtë herë numri që Belind Këlliçi u dërgon mesazhe private qytetarëve është jo real, e si i tillë askush nuk mund të marrë përgjigje ndonëse mesazhet nisin me pyetje: Si je? A je i mërzitur….?!

Ky aksion mban të njëjtën pikëpyetje dhe sfidë për organet e ligjzbatuese: Cili është burimi i parave të Belind Këlliçit për shpenzimet e dukshme dhe të pashmangshme elektorale?!

Kushton para fushata intensive me sms të automatike që ka nisur Belind Këlliçi. Kanë një kosto financiare edhe rreth 12 festa që janë organizuar me muzikë në sheshe të ndryshme të Tiranës, çelja e fushatës, aktivitete përmbyllëse, banera në web-e, sponsorizime në Facebook, shpenzime kancelarie, për zyra, staf etj. Ndërkaq, një festë e madhe është planifikuar për mbylljen e fushatës në Sheshin Nënë Tereza në 12 maj.

Kanë vetëm 15 milionë lekë të ligjshme që i përkasin Partisë së Lirisë. Ose të gjitha këto para janë akorduar për fushatën e Belind Këlliçit, duke ua hequr kandidatëve të tjerë, ose fushata e Këlliçit financohet me para të posta, ndoshta me paratë e Familjes Berisha.