Takimi i organizuar nga zonja më e fuqishme e vendit më të fuqishëm të Europës, Merkel, në Berlin me vendet e Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga si ishim mësuar me konferenca të tjera të ngjashme, dërgoi mesazhin e qartë se këtë herë me axhendë konkrete politiko-ekonomike, Bashkimi Evropian në përgjithësi dhe vetë Gjermania në veçanti, kanë një plan konkret për të ndihmuar në zhvillimin e këtij rajoni historikisht problematik. Duket qartë se Perëndimi tashmë nuk i sheh më vendet e Ballkanit Perëndimor si potencial i gatshëm konfliktesh dhe luftrash, por si partnerë politikë dhe ekonomikë dhe se vetëm komunikimi dhe përfshirja në projekte të përbashkëta ekonomike-politike mund të zhvillojë rajonin dhe ti bëjë ata pjesëtar kokëlart të familjes evropiane.

Kancelarja Merkel, jo pa optimizëm, deklaroi: “Ne bëmë të qartë se duam që procesi i anëtarësimit të ecë shpejt”. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. “Ne duam që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen më në fund BE-së”. Por ai “dekonspiroi” edhe një vendim të rëndësishëm: “BE-ja do të vërë deri në vitin 2020 në dispozicion 12 miliardë euro, që do të përdoren  kryesisht për projekte infrastrukturore ndërkufitare”. Shumë analistë ndërkombëtarë dhe të tjerë në vendin tonë besojnë, jo pa të drejtë, se po fryn një erë e re për Ballkanin dhe veçanërisht për Shqipërinë.

Por të gjithë pa përjashtim në shtjellimet e tyre të këtij zhvillimi të rëndësishëm shtojnë një “por..” Në rreshtat dhe nënrreshtat e deklaratës prej 18 pikash, në përfundim të samitit, kuptohet qartë që të gjitha këto vende, që në mënyra të ndryshme kanë gjeneruar luftra dhe konflikte mes njëri-tjetrit, që të jenë të denja për familjen europiane, duhet të kenë axhendë të qartë komunikimi dhe bashkëpunimi, mbi të gjitha politik mes njëri-tjetrit, në favor të të njëjtit finish - anëtarësimit në BE. Në këtë pikë vendi ynë duket se është në rrugë të mbarë, duke u konsideruar tashmë si faktor i rëndësishëm stabiliteti në Ballkan. Por, njëkohësisht, dërgohen mesazhe të tjera të forta, të cilat, më shumë se kushdo, Shqipëria duhet t’i shndërojë sa më shpejt në prioritete kombëtare.

Korrupsioni dhe sistemi i kalbur i drejtësisë, më shumë se kurrë, kërkojnë operacione cezariane për t’i flakur njëherë e mirë nga sistemi politiko-shoqëror, së pari me ndërhyrje ligjore, por edhe me mbjelljen e një kulture të re qytetare, të paktën për brezat e rinj. U duk sikur “humbi” mes planeve dhe projekteve madhore, që u anoncuan në samit, por ideja e kancelares Merkel për krijimin e një organizate rinore për rajonin e Ballkanit, besoj se është hapi i duhur për krijimin e një të ardhme tipike evropiane të vendeve të rajonit. Një mesazh tjetër i rëndësishëm, që tingëlloi si i shkruar më së shumti për klasën politike shqiptare, ishte edhe ai për opozitën, e cila duhet të kryejë detyrat e saj dhe të jetë njëkohësisht gjithëpërfshirëse e bashkëpunuese në proceset e rëndësishme në vend.

E gjithë fryma e këtij takimi konsistonte në deduksionin se, përderisa është mundur të arrihet mirëkuptim mes vendesh me histori të largëta e të afërta konfliktesh e luftrash, atëhere në këtë panoramë është absurde që opozitat e këtyre vendeve të jenë agresive dhe jo bashkëpunuese në proceset demokratike, legjislative etj. Duket se për Shqipërinë këtë sinjal e kapi më shpejt, një nga drejtuesit e opozitës në Shqipëri zoti Fatmir Mediu… EKONOMIA DHE VETËM EKONOMIA Në të gjitha ambientet e politikës dhe shoqërisë shqiptare samiti i Berlinit është kthyer në kryetemë. Shumicën e ka kapluar një optimizëm shpresëmadh, se, më në fund, vendet e fuqishme të Europës, me në krye kryefuqinë Gjermani, e kthyen kokën nga vendi ynë i shumëvuajtur.

Shpresat janë ringjallur, të shoqëruara edhe me me teori konspiracioni për miliarda që do të vërshojnë në vendin tonë, të ngjashme me ato të pasvizitës së sekretarit të Shtetit të SHBA Xhejms Bejker, në verën e vitit 1991. Por edhe nëse zbresim fare me këmbë në tokë, duket se një shans konkret historik po na troket edhe ne. Kryetari i Shoqatës së Evropës Qendrore Lindore dhe të OMV, Marcus Felsner, e paralajmëroi BE-në që të mos e degradojë anëtarësimin në një perspektivë sa për sy e faqe. BE-ja nuk duhet ta vërë në rrezik ndikimin e saj me premtime gjysmake, por me hapa konkrete, sidomos në fushën e investimeve. Edhe komisioneri për Energjinë Günter Oetinger në të njëjtën linjë deklaroi se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE nuk duhet të shtyhet në pafundësi.

Sipas të dhënave zyrtare, për tregtinë gjermane Ballkani Perëndimor është një rajon në rritje. Në tremujorin e parë të këtij viti vëllimi i tregtisë gjermane me këto vende është rritur me rreth pesë përqind, e në disa raste, madje edhe më tepër. Pra, duket qartë se interesi nuk është vetëm gjeopolitik, siç ka qenë deri tani dhe kjo kokëkthyerje drejt nesh duhet kapur fort këtë herë. Duhet kapur dhe vlerësuar si përgjegjësi historike, së pari nga klasa politike, në çfarëdo pozicioni qofshin momentalisht. Në takimin e Berlinit morën pjesë kryeminisrat, ministrat e Jashtëm, por edhe ministrat e Ekonomisë së tetë vendeve nga Ballkani.

Ata ranë dakord për të organizuar takime pasuese në katër vitet e ardhshme, në të cilat do të bëhet një bilanc i punës për ato që do të bëhen. Vitin e ardhshëm, ky bilanc dhe, pse jo, llogaridhënia do të bëhet në Vjenë. Muajt ikin shpejt, por përgjegjësia historike e klasës politike që është votuar për pushtet a opozitë, nuk fshihet kurrë. Gjithsesi, dy gjëra janë të sigurta: asnjë ndihmë nga jashtë nuk ka vlerë dhe efikasitet po nuk ndihmuam vetveten dhe tjetra: këto mesazhe nuk janë futur në shishe e nuk janë hedhur në det, që të mbërijnë, “kësmet”, në ujrat tona…


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)