Kohë më parë një mesazh i dhimbshëm mbërriti në FSHF, ku njoftohej se një tifoz i vogël, i cili vuante nga kanceri, do të gëzohej shumë nëse do kishte një mesazh mbështetës nga futbollistët e Kombëtares, të cilët ai i ndiqte me këshëri. Kërkesa nuk ra në vesh të shurdhër dhe shpejt Kristjan Asllani i nisi një video mesazh.

“Përshëndetje Joni, të uroj ta kalosh operacionin me sukses dhe të shërohesh sa më shpejt. Shpresoj të shihemi në qershor në Tiranë, një përqafim të fortë, ciao”, ka thënë Kristjan Asllani një video-mesazhin e pare Jonit, djalit të vogël i cili vunte nga sëmundja.

Koha ka kaluar dhe pas një viti kanë ardhur lajme shumë të mira. I afërmi I Jonit të vogël ka njoftuar se djaloshi e ka kaluar sprovën. Sigurisht, që kjo duhej festuar, e si më mirë në mënyrën që vetë Joni donte. Ai ka marrë përshëndetje dhe ftesa nga disa futbollistë të Kombëtares shqiptare.

“Përshëndetje, para një viti ju kam shkruar për vëllain tim Jonin, i cili po luftonte me kancerin. Sot, me zemër plot gëzim, ju tregoj se pas një viti shumë të vështirë me kimioterapi dhe rrezatime, ai e ka fituar këtë betejë. Gjatë gjithë kohës, edhe nga spitali, ai nuk ka humbur asnjë ndeshje të Shqipërisë. Kombëtarja ka qenë forca dhe motivimi i tij më i madh. Tani duam t'i bëjmë një surprizë të madhe për festën e tij. Do të ishte e paharrueshme për të nëse disa nga lojtarët do t'i dërgonin një video të shkurtër, ku t'i thonë se janë krenarë për tifozin e tyre më të madh. Ju falënderoj nga zemra”,-thuhet në mesazhin e pas 1 viti, drejtuar FSHF-së.

Pas kësaj lumturie të madhe, nuk kanë munguar edhe mesazhet nga disa prej futbollistëve të Kombëtares, si Elseid Hysaj, Kristjan Asllani, Juljan Shehu, Mario Mitaj, Arbër Hoxha dhe Thomas Strakosha janë bërë bashkë me Jonin në këtë moment të veçantë dhe sublim për të.

Ndërsa vetë vogëlushi s’ka ngurruar, duke dalë para kamerës e falënderuar FSHF-në dhe lojtarët kuqezi për mbështetjen. “Faleminderit shumë, shumë jam gëzuar, ju dua krejt”, thotë vetë Joni i vogël në mbylljen e videos.

Një gjest që tregon fisnikëri nga e gjithë Federata Shqiptare e Futbollit si dhe lojtarët e Kombëtares, që kanë plotësuar ëndrrën e një djaloshi që tregoi burrëri përballë një vështirësie të madhe.

Mesazhet e futbollistëve të Kombëtares: 

Elseid Hysaj: "Përshëndetje Joni, jam shumë i lumtur për ty, për lajmin që mora, që ja dole. Fitove betejën e madhe, shpresoj që të të shoh shumë shpejt në stadium, që të na ndihmosh, të na mbështetësh siç ke bërë gjithë këto kohë."

Juljan Shehu: "Joni përshëndetje, jam shumë i lumtur për ty dhe krenar që ti ja dole me sfidën që pate. Shpresoj që t’ja kalosh sa më mirë tani dhe të presim në stadium."

Kristjan Asllani: "Joni, jam shumë i lumtur që e kalove këtë sfidë. Të uroj të gjitha të mirat në jetë dhe ishalla shihemi sa më shpejt në stadium."

Arbër Hoxha: "Përshëndetje Joni, më vjen mirë që je mirë me shëndet. Faleminderit që na ndjek gjithmonë, shpresoj që të takohemi shumë shpejt."

Mario Mitaj: "Përshëndetje Joni, jam shumë i lumtur që je mirë me shëndet. Bravo për forcën e treguar, të presim në stadium."

Thomas Strakosha: "Përshëndetje Joni, gëzohem që ja dole, bravo kampion. Ishalla takohemi sa më shpejt në stadium, të jemi bashkë, të përqafohemi bashkë dhe të na mësosh edhe neve si të jemi kaq të fortë. Të përqafoj fort dhe shumë shpejt ishalla takohemi në stadium."